QINDARKA PËR TË PËRMBYTURIT, MILIONA PËR QEJFET E SHTETARËVE

489
Vjollca KUTA
KESH, 150 milionë lekë bileta avioni, Bashkia Vlorë dhe AMF, u “dhurojnë” shefave makina nga 80-90 milionë lekë
Dhjetori muaji i tenderëve, drejtuesit shtetërorë janë hedhur në sulm për të falur dhe përlarë sa më shumë fonde e taksa publike
Vetëm për tenderët e shpallur e të zhvilluar në muajin dhjetor 2017, kapin vlerën 1.9 miliardë lekë të reja, 30% e të cilëve, kanë si afat zhvillimi edhe datat 30-31 dhjetor 2017. Janë fonde buxhet shteti, të ardhura të institucioneve e shërbimeve dhe taksa, që u mblidhen qytetarëve e bizneseve, të cilat nuk po bëhen investime publike, por blerje për shpenzime luksi privat për drejtuesit

Ndërkohë që politika, po përleshet për strukturat e reja të drejtësisë që do të luftojnë krimin në zyrat e shtetit, ndërkohë që flitet për nisjen dhe eficiencën e “Veting”-ut, ndërkohë që ministrat deklarojnë luftë kundër korrupsionit, në një “stan” tjetër po bëhet kërdia me korrupsion. Drejtorët e institucioneve dhe shërbimeve publike që janë në vartësi të shtetarëve të lartë në të gjithë sektorët, nuk duan t’ia dinë fare për “Veting” e për operacionin “Forca e Ligjit”, mbasi ata e bëjnë vetë ligjin e xhunglës me financat publike. Sipas një investigimi që ka kryer këto ditë “Telegraf”, rezulton se drejtuesit qendror në institucione, e ndërmarrje shërbimi kombëtare, po bëjnë batërdinë në tenderë, për ta mbyllur edhe këtë vit, me sa më tepër… fitime për xhepat e tyre dhe të klientëve, të cilëve ua japin këto tenderë. Është një masakër e shfrenuar financiare që po lihet të bëhet lirshëm, të cilën e ndesh këto ditë, në njoftimet që drejtuesit shtetëror shpallin në “Buletinin e Prokurimit Publik”. Këto njoftime, të cilët bëjnë “MU” për përmbajtje korrupsioni, duhet t’i ndal Agjencia e Prokurimeve Publike e cila ligjërisht dhe zyrtarisht, ka detyrimin t’i verifikoj paraprakisht deri në detaje, por që po hesht, sikur nuk i shikon. Ndaj dhe i publikon si të ligjshme këto skandale financiare, që vetëm për tenderët e shpallur e të zhvilluar në muajin dhjetor 2017, kapin vlerën 1.9 miliardë lekë të reja, 30% e të cilëve, kanë si afat zhvillimi edhe datat 30-31 dhjetor 2017. Janë fonde buxhet shteti, të ardhura të institucioneve e shërbimeve dhe taksa, që u mblidhen qytetarëve e bizneseve, të cilat nuk po bëhen investime publike, por blerje për shpenzime luksi privat për drejtuesit. Sot, po publikojmë 3 raste skandaloze, nëpërmjet të cilëve provohet fakti, që drejtuesit shtetëror, po shpenzojnë fondet publike për qejfet dhe rehatinë e tyre personale, duke blerë bileta avioni dhe makina të shtrenjta, vetëm pak ditë para Vitit të Ri, duke i bërë këto blerje në emër të shtetit, me procedurë të përshpejtuar, me justifikimin e “kushteve të emergjencës”. 
Shënim i “Telegraf”
Në vijim, do të publikojmë fakte të tjerë abuzimesh, që bëhen me tenderët e shumtë, të zhvilluar këto ditë të fundit të vitit 2017, të cilët kanë si objekt, vetëm synimin për të zhvatur sa të munden edhe në ditën e fundit të vitit, kur qindra-mijëra familje përjetojnë stresin e pamundësisë financiare për të blerë edhe 1 kilogram fruta për fëmijët!.
KESH shkon “duar-plotë” në Vitin e Ri, tender 150 milionë lekë për bileta avioni 
1. Emri dhe adresa e Autoritetit Kontraktor: KORPORATA ELEKTROENERGJITIKE SHQIPTARE
Adresa Rruga “Eshref Frashëri”,Nr. 8, Kompleksi Vizion, Tiranë, Fax +355 4 2232046, E-mail [email protected]
2. Lloji i procedurës se prokurimit: Procedurë e hapur.
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër:” BLERJE BILETA UDHËTIMI PËR KESH SHA”.
4. Fondi limit: 15,000,000 (PESËMBËDHJETË MILIONË) Lekë.
5. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin:3 vjet nga data e nënshkrimit të kontratës ose me mbarimin e vlerës së kontratës.
6. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: o Data 29 /12/2017 ora 10:00, në KESH sh.a.
7. Afati kohor për hapjen e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: Data 29 /12/2017 ora 10:00, në KESH sh.a.
Komisioni i Mbikëqyrjes Financiare/“Dhuratë” shefit për Vitin e Ri, tender për veturë 92 milionë lekë 
1. Procedura e prokurimit: E HAPUR
2. Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Blerje automjeti për titullar të A.M.F.”
3. Fondi limit: 7,933,334 (shtatë milionë e nëntëqind e tridhjetë e tremijë e treqind e tridhjetë e katër) lekë pa TVSH.
4. Data e zhvillimit të procedurës së prokurimit: 13.11.2017
5. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit: çmimi më i ulët X
6. Njoftojmë se, ka qenë pjesëmarrës në procedurë vetëm një ofertues me vlerën përkatëse: 7,666,666 (shtatë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtëmijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH.
VLORË/Kanalet kulluese në Novoselë kushtojnë 70 milionë lekë, kryebashkiaku Dritan Leli blen veturë 80 milionë lekë me rastin e Vitit të Ri 
1- Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Bashkia Vlorë, sheshi “4 Heronjtë”, Nr. tel. 033 421 210
2- Lloji i procedurës së prokurimit : Kërkesë për Propozim me prokurim elektronik
3- Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “Blerje makinë për administratën”.
4 – Fondi limit – 6,666,667 (gjashtë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë pa tvsh.
5 – Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: deri në 10 ditë nga lidhja e kontratës
6 – Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: datë 15.12.2017 ora 10.00, vendi www.app.gov.al
7- Afati kohor për hapjen e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: datë 15.12.2017 ora 10.00
Sigal