Qeveria shqiptare ndihmon Greqinë, libra falas për nxënësit minoritar

657
Sigal

SARANDË/ Flet për “Telegraf”, Ziso Lluci, specialist për Koordinimin Rajonal dhe Inspektimin pranë MASH-it

Në rrethet Gjirokastër, Sarandë, Delvinë dhe Bashkinë e Himarës janë shpërndarë tekstet shkollore në gjuhën greke. E veçanta e këtij viti është se tekstet shkollore për nxënësit minoritarë të Vurgut, Dropullit dhe Sarandës dhe kudo, ku ka shkolla që mësimi kryhet në gjuhën greke për arsimin e detyruar 9-vjeçar këtë vit shpërndahen falas me financimin dhe kontributin e Qeverisë shqiptare, pasi Qeveria greke është në krizë ekonomike dhe mundësitë e hartimit të këtyre teksteve nuk i ka më.

Reagimi

Sipas z. Ziso Lluci, specialist për Koordinimin Rajonal dhe Inspektimin pranë MASH-it (përgjegjës për minoritetet), i kontaktuar nga “Telegraf”, tha se puna e teksteve shkollore me vendim të Qeverisë shqiptare është kanalizuar këtë vit nëpërmjet aktivizimit të institucionit, i cili ka qenë pasiv deri më sot, SHBLU-së (Shtëpia Botuese e Librit Universitar) në funksion të MASH-it dhe me reokupacionin e madh të drejtoreshës së saj, Lirika Çoçoli. Tekstet janë përkthyer e përshtatur në nivelin cilësor të gjuhës letrare greke duke u përshtatur dhe ruajtur raportet me gjuhën letrare shqipe. Sipas këtij programimi të ri të teksteve gjuha amtare (greke) nga klasa e parë deri tek e nënta me përmirësimin e programeve është hartuar dhe përshtatur me kërkesat e reja dhe teksti i gjuhës shqipe për minoritarët grek është hartuar tërësisht i ri sipas kërkesave pedagogjiko-psikologjike të fëmijëve minoritarë me qëllim përvetësimin e tyre edhe të gjuhës shqipe me të njëjtën cilësi si gjuhën amtare. Por edhe tekstet e shumëpërfolura viteve të fundit të historisë dhe gjeografisë përkatësisht për klasën e 9-të dhe të 8-të janë tekste të reja që futen në qarkullim me programe të reja të rinovuara. Vlen të përmendet fakti që të gjitha tekstet janë përkthyer këtë vit me financimin e MASH-it dhe me përkthye të rinj e cilësorë, shkencëtarë dhe pedagogë në UT, apo universitete të tjera të Shqipërisë, ku vlen të përmenden Kostando Baruta, Mirela Mitro, Sofie Pasko, Aristotel Spiro, Themo Kordha, Kristo Kapsalidhi etj..”, tha Lluci.

Tekstet

Titujt e shpërndara për ditën e parë të shkollës të teksteve në gjuhën greke për nxënësit minoritar arrijnë në numrin 25 dhe brenda shtatorit do të përfundojnë edhe tekstet e klasave të klasave të pesta e të nënta, tekste që deri më sot nuk kanë ekzistuar në gjuhën greke. Në këtë mënyrë Qeveria shqiptare plotëson një nga të drejtat e minoritetit për tu arsimuar në gjuhën amtare dhe kjo nuk është pak po të ripërmendim faktin që i financon dhe i shpërndan falas si dhe puna për përkthimin, botimin dhe shpërndarjen e këtyre teksteve është kryer brenda një afati prej dy muaj e gjysmë.