Qemal Stafës i kanë “pushtuar” lapidarin, “Rilindja” ta çliroj

318
Zaptuesit e mjediseve publike, nuk po kursejnë as vendet dhe simbolet historike. Pas lapidarit të Heroinës së Popullit Mine Peza, që ishte “strehuar” brenda një kafeneje të ndërtuar pa leje, pas monumentit të Heroit të Popullit Avni Rustemi, i cili prej 23 vitesh po përdoret si pazar pulash, pas Monumentit “Partizani i Panjohur” që po përdoret si pazar punëtorësh, “viktimë” e sulmit të “pushtuesve” të hapësirave publike, veprave, vendeve e simboleve historike të luftës Nacional-Çlirimtare në Tiranë, ka rënë edhe lapidari i Heroit të Popullit Qemal Stafa. Siç duket edhe në foton që ka bërë gazeta “Telegraf”, lapidari i ndërtuar në nderim të atij që ra në luftën për çlirimin e Shqipërisë është “pushtuar” dhe është kthyer në treg privat, prej atij që… “e zuri i pari”. Nuk e dimë, nëse pushtuesi i lapidarit është apo jo “në tokë të vetë”, por dimë faktin që “pronar me letra” i këtij trualli e lapidari, prej 73 vitesh është Qemal Stafa, që ka emrin të gdhendur në beton. Siç shihet në fotografi, lapidari “Qemal Stafa” është kthyer në kioska, dyqane e shesh ambalazhi ku shiten mallra të çdo lloji. Në bazamentin e lapidarit është vendosur një karrige, në të cilën ulet “pushtuesi”, i cili nuk lejon të afrohen as veteranët për të bërë homazhe e për të vendosur lule, ndoshta nga psikoza historike, se mos partizanët shkojnë gjoja për të bërë homazhe dhe e çlirojnë lapidarin. I “rrethuar” si në 5 maj 1942 kur u vra, tashmë Qemal Stafa në “beton” është rrethuar me baraka, mure rrethues, gardhe teli e objekte nga një “pushtues” i fortë, aq sa duket se nuk po e “çliron” dot as “Rilindja” që e ka simboli veprën e dëshmorëve dhe heronjve të luftës! Veteranët i kanë kërkuar “rilindjes” t’u kthej lapidarin e zaptuar dhe pastrimin e tij prej tregtarëve, por nuk ka asnjë reagim. Pas 10 ditësh është 5 Maj. Le të shërbej kjo fotografi skandaloze, si një “lajm” shqetësues që gazeta “Telegraf’ ia kujton me shumë dashamirësi “Rilindjes”, me qëllim që ky simbol historik, rruga dhe mjedisi i tij, të jenë të “çliruar” e të restauruar, për të bërë nderimet e merituara për veprën dhe gjakun e atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë…!