Pyjet që i shpëtuan zjarreve, po shfarosen nga trafikantët me pushtet, si biznes ilegal eksporti

558
Përparim HALILI
Pyjet në Shqipëri, janë pasuria që po zhduket sistematikisht dhe me shpejtësi. Nuk po i zhduk natyra që i ka krijuar, por njerëzit që i përdorin për interesat e tyre dhe zjarret që vendosen prej keqbërësve për qëllime të caktuara përfitimi e që lejohen prej strukturave të shtetit. Megjithëse ka një shërbim pyjor, nuk shërbehet në dobi të mbrojtjes së tyre! Megjithëse ka edhe një moratorium që ndalon prerjen e pyjeve, prerja e tyre vazhdon! Po zhduken pyjet e shëndetshme shekullore! Ligji Nr. 5/2016 “Për Shpalljen e Moratoriumit në Pyje në Republikën e Shqipërisë”, ka mbetur veçse një copë letër që nuk zbatohet. Sipas këtij ligji, prerja e pyjeve ka vetëm një përjashtim për rastet e përdorimit të tyre prej bashkive, për nevoja ngrohjeje në shkolla, spitale, konvikte, qendra sociale, përcaktuar nën nenin 3 të këtij ligji i cili përcakton këtë detyrim: Nga zbatimi i këtij ligji, përjashtohen rastet e shfrytëzimi për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor e i kullotave dhe shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore! Realisht, prerja e pyjeve po bëhet në masivet e drurëve të shëndetshëm. Çdo ditë, automjete të shumtë ngarkohen me trungje pemësh, të cilët nuk përdoren për dru zjarri nga bashkitë dhe as priten nga bashkitë, por nga grupe sharrtarësh të pa licencuar ose që përdorin emra shtetarësh si porositës këtyre trungjeve. Automjetet e ngarkuar me pemë të prera, dalin nga Shqipëria e shkojnë në vendet e BE dhe të rajonit, nëpërmjet një trafikimi të lejuar prej vetë shtetit. Çdo ditë, në pikat kufitare tokësore e detare të Shqipërisë, kalojnë dhjetëra metër kub trungje, të cilët shiten për mobilie. Nuk ka ende një shifër të saktë se sa sipërfaqe pyje dhe se sa pemë zhduken në zonat me masive pyjore, ku bëhet batërdia mbi pemët e çdo lloji, sipas porosive që bëjnë blerësit jashtë Shqipërisë! Mijëra hektarë pyje me pisha, bredh, ah e lloje të shumta pemësh, u shkrumbuan nga zjarret e kësaj stine vere, që në shumë raste rezultoi se u dogjën me qëllim të caktuar edhe për të fshehur masakrën në pyje! Çuditërisht, shërbimet kontrolluese, mbrojtëse e ligj-zbatuese, kapin dhe ndëshkojnë ndonjë banor zone qe ngarkon mushkat me trungje të kalbur dhe nuk “shikojnë e nuk dëgjojnë”, motosharrat dhe automjetet që zhurmojnë e ngarkohen nëpër pyje, madje edhe që transportojnë trungjet mes qyteteve e në rrugët nacionale! heshtja ka lidhje me faktin, që këtë trafik masiv të trungjeve e kanë biznes shtetarë, të cilët shkelin edhe ligjin për moratoriumin që kanë miratuar vetë e që bëjnë sikur e zbatojnë!


Sigal