“Projektet, sipas Strasburgut, nuk duhet të cenojnë të drejtat e grupeve vulnerabil”

89

Avokati i Popullit: ALUIZNI nuk njofton qytetarët për vendimet në lidhje me legalizimin e objekteve informale, INUK vepron me prishjen e tyre

(Mbi problematikën e banorëve në Zonën e Selitës, që preken nga zbatimi i projektit për ndërtimin e “Unazës së Re”)

 Prej disa kohësh në institucionin e Avokatit të Popullit janë paraqitur ankesa nga familje, të cilat banojnë në Zonën e Selitës dhe pikërisht në zonën që preket nga zbatimi i projektit për ndërtimin e “Unazës së Re”. Shqetësimi i tyre lidhet me njoftimet për prishje që i janë komunikuar, deri tani verbalisht, nga ana e punonjësve të INUK, për prishjen e ndërtimeve informale që ata kanë ngritur në këtë zonë. Ndërkohë, nga shqyrtimi që i kemi bërë këtyre ankesave na rezulton se, ka disa kategori ankuesish sipas problematikes që ata kanë prezantuar dhe që rezulton faktikisht dhe ligjërisht:

  1. Familje që kanë vetëdeklaruar (që prej viteve 2005-2006), pranë njësive përkatëse të qeverisjes vendore ndërtimet e tyre informale, duke kërkuar legalizimin e tyre. Megjithëse procesi i legalizimit ka vite që ka filluar si procedurë për këto familje, nga ana e ALUIZNI-t pas më shumë se 8 vitesh, ende nuk ka një vendimmarrje përfundimtare për legalizimin e këtyre banesave, apo jo. Kjo gjë çon në konkluzionin se, çdo vendimmarrje e INUK-ut, pa një vendimmarrje përfundimtare nga ana e ALUIZNI-t, për këto ndërtime informale është në shkelje të legjislacionit në fuqi.
  2. Familje që kanë vetëdeklaruar, pranë njësive përkatëse të qeverisjes vendore ndërtimet e tyre informale, duke kërkuar legalizimin e tyre dhe për të cilat ALUIZNI ka dalë me vendimin për moslegalizimin e tyre. Këto familje kanë të drejtën e tyre të kundërshtimit në rrugë gjyqësore të aktit të refuzimit të legalizimit nga ana e ALUIZNI-t. Por, ndërkohë, organet përkatëse shtetërore janë të detyruara të respektojnë për të gjitha këto raste standardet e Këshillit të Europës për strehimin adekuat, pasi këto familje rrezikojnë potencialisht të mbeten të pastreha. Këto standarde janë aksesueshmëria në trajtimin me strehim, përshtatshmëria e strehimit, masat që duhet të ndërmerren kundër mungesës së strehimit, përballueshmëria e kërkesave për strehim dhe barazia në trajtimin me strehim.
  3. Duke veçuar familje të këtij komuniteti që i përkasin minoritetit Rom, ka familje të cilat përfshihen në grupin e parë dhe për të cilat çdo vendimmarrje nga ana e INUK-ut do të ishte në shkelje të ligjit, sikurse ka familje që nuk kanë vetëdeklaruar banesat e tyre si ndërtime informale. Për këtë kategori të dytë, nënvizojmë me forcë respektimin e standardeve të Këshillit të Europës për strehimin adekuat, pasi edhe këto familje rrezikojnë potencialisht të mbeten të pastreha.
  4. Nga shqyrtimet e ankesave kemi evidentuar edhe raste, kur, megjithëse ka një vendimmarrje nga ana e ALUIZNI-t për moslegalizim të ndërtimeve informale në këtë zonë, këto vendime nuk i njoftohen zyrtarisht subjekteve që disponojnë ndërtimet informale, por i dërgohen INUK-ut, i cili vepron menjëherë me vendimmarrje për prishje të objektit. Sikurse ka edhe raste, kur INUK-u, bazuar në vendime të tilla që nuk i janë njoftuar zyrtarisht subjekteve që disponojnë ndërtimet informale, vepron për prishje të objektit vetëm mbi bazën e vendimit paraprak të ALUIZNI-t, pa nxjerrë vendimin kompetencial të tij për prishje të objektit. Në këto raste, theksojmë se procedura e ndjekur nga organet përkatëse konstaton shkelje të rënda të ligjit, që cenojnë të drejtën themelore për një proces të rregullt ligjor, shkelje të cilat mund të cilësohen në kushtet e shpërdorimit të detyrës nga ana e punonjësve përkatës të ALUIZNI-t, apo edhe të INUK-ut.

Raste analoge në Gjykatën e Strasburgut

Është vendi këtu të sjellim në vëmendjen tuaj, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut mbi gjykimin e rasteve analoge dhe me konkretisht të çështjes “Jordanova dhe të tjerët kundër Bullgarisë”, ku gjykata në referim të nenit 8, të KEDNJ-së (për respektimin e jetës private dhe familjare dhe banesës) mban qëndrimin se:

“Gjatë zbatimit të projektit nuk duhet të kemi cenim të të drejtave të njeriut të grupeve vulnerabël, ose ai të sjellë rritje të numrit të të pastrehëve. Procedurat duhet të përfshinë konsultimin me publikun, ose me personat individual të prekur, njoftime të arsyeshme si dhe dhënie të informacionit.

… Pra, ndërhyrja nuk do të mund të prekë vetëm banesat por, në një këndvështrim më të gjerë edhe jetën e tyre private dhe familjare. Edhe me humbjen apo prekjen e një banese të vetme, çdo person tjetër në rrezik për një ndërhyrje të tillë, duhet të jetë i aftë të ushtrojë në mënyrë të arsyeshme dhe proporcionale të drejtën e tij të ankimimit pranë një gjykate të pavarur, në këndvështrimin e Nenit 8 të KEDNJ-së. Parimi i proporcionalitetit, në këtë rast, kërkon që të merren parasysh pasojat e ndërhyrjes dhe rrezikut të lënies pa banesë. Kryesisht grupeve vulnerabël duhet t’u ofrohet asistenca e nevojshme, me qëllim që të jenë efektivisht të aftë të gëzojnë dhe ushtrojnë të njëjtat të drejta, si edhe personat e tjerë.

Për autoritetet shtetërore njihet detyrimi për të siguruar strehim për grupet vulnerabël në raste të veçanta. Autoritetet duhet të marrin në konsideratë mënyra alternative të veprimit, ose një zgjidhje më të balancuar. Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që autoritetet të pranojnë pezullimin e zbatimit me forcë të projektit, përderisa është relevant cenimi i të drejtave themelore të njeriut”.

Institucioni i Avokatit të Popullit është i vetëdijshëm për faktin se vepra të tilla infrastrukturore si “Unaza e Re”, ndërtohen në dobi të interesit të përgjithshëm, por mban qëndrimin se, realizimi i qëllimeve të mira në dobi të interesit publik, duhet të respektojë parimet e shtetit të së drejtës dhe veçanërisht të parimit të mirëqeverisjes nga ana e organeve të administratës publike në veprimtarinë e tyre. Shkelja e rëndë e procedurave ligjore nuk ndihmon këtë proces, por rëndon në radhë të parë mbi të drejtat e ligjshme të familjeve që jetojnë në këtë zonë, si dhe në mënyrë të pashmangshme edhe mbi interesat publike shtetërore që qëllimojnë arritjen e objektivave sociale të strehimit të familjeve të pastreha në vend.