Porti Durrës, skandali me basenin dhe zhdukja e 3.5 milionë eurove

1470
Sigal

Draga nuk kreu thellimin e basenit, danezët u larguan, por nuk dihet fati i miliona eurove të dhëna nga qeveria e asaj kohe

Një tjetër skandal me paratë e shtetit, një tjetër skandal me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Bëhet fjalë për një projekt që kurrë nuk u zbatua, thellimi basenit të portit, tender, i cili u deklarua se u “fitua nga një firmë nga Danimarka”. Por realisht qysh prej vitit 2007 dhe deri sot baseni portit jo vetëm nuk është thelluar, firma daneze jo vetëm u largua, por nuk dihet fati i 3.5 milionë eurove të dhëna nga qeveria e asaj kohe. Në një relacion të KLSH të vitit 2009 thuhet se “pas kontrolleve dhe verifikimeve tona ka rezultuar se, ka dështuar projekti i thellimit të basenit të Portit Detar, njëherësh edhe zbatimi i tij me vlerë 3.5 milionë euro, e marrë përsipër nga një firmë nga Danimarka, e cila ka sjellë me vete edhe dragën gjigande me emrin “Gefion-R”, e njohur në thellimin e disa prej porteve kryesore në Europë”. Projekti ka nisur si ambicioz, qysh në vitin 2006,  dhe vetëm pas tenderimit  dhe shpalljes fitues të firmës daneze, specialistët e xhenios  nga Danimarka gjatë  punës kanë hasur në bomba të paplasura qysh nga viti 1944, të hedhura ditët e fundit të qëndrimit të tyre nga nazistët në gjithë bregdetin e Durrësit”. Asokohe përgjatë gjithë muajit puna u ndërpre për të nisur në muajt e ardhshëm duke u ndërprerë  shpesh dhe pa asnjë arsye , duke lënë përgjysmë zbatimin  e projektit me vlerë 3.5 milionë euro, i cili parashikonte thellimin e basenit nga 7 metra që ishte në 10.5 metra duke e njësuar me atë të porteve të Ballkanit dhe Europës. Por  aktualisht  largimi  i çuditshëm i firmës daneze, ka lënë përgjysmë jo vetëm zbatimin e projektit, por ka sjellë edhe largimin e dragës gjigande e cila ishte marrë me qira nga një firmë tjetër ruse e cila e kishte ankoruar atë në Balltik. Dokumentacioni arkivor i APD ka zbuluar faktin se “sipas  ish-drejtorit Ekzekutiv  Eduart Ndreu, çështja ka kaluar në kompetencë të Ministrisë së Transporteve e cila e ka dërguar atë në gjykatë, duke kërkuar zgjidhje ligjore, sepse firma daneze nuk e ka realizuar plotësisht detyrimin ndaj nesh dhe zbatimin e projektit”. Porti Detar i Durrësit mbetet i vetmi ndoshta në Ballkan dhe Europë, që thellësinë e basenit ku ankorohen anijet nga 500 deri 15 mijë tonëshe, e ka pasur deri në muajin dhjetor 2006 me thellësi deri 7 metra, kurse sot ai ka vajtur në 8.5 metra kur duhet të ishte 10.5 metra një kufi i pranueshëm për ankorimin edhe të ndonjë frigate ushtarake. Eksperienca e viteve të shkuara mbetet e hidhur dhe e patolerueshme për  një port  që pretendon të kthehet në bazë ku mund të akomodohen mbi 1.5 milion konteinerë me mallra për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe  vendet e tjera të Lindjes. Thellimi i basenit, mbetej detyra kryesore e firmës nga Danimarka, e cila me largimin e saj padyshim meriton një ndëshkim ligjor nga më të rëndat. Largimi i saj dhe i dragës thelluese, ka paralizuar punën normale dhe hyrje-daljet e anijeve gjigande në  kalatat e portit.  Në vitin 2009, çështja  i kaloi  organeve  ligjore dhe firma nuk duhej të largohej aq më tepër draga thelluese, e cila ishte e Flotës Mbretërore të Danimarkës. Projekti  ishte ambicioz dhe synonte thellimin e basenit në rreth 10.5 metra duke lejuar hyrjen e anijeve të tonazheve të mëdha të cilat deri dje hidhnin spirancën e tyre qindra metra larg Portit pasi cektësia në kalatat tona nuk lejonte ankorimin e tyre, gjë, e cila gjithsesi, vështirësonte shkarkimin e mallrave. Tashmë i mbetet organeve të  drejtësisë të zgjidhin problemin e lindur prej 7 vitesh  mes Ministrisë së Transportit  të Shqipërisë dhe firmës zbatuese të projektit nga Danimarka, ku sipas ligjit ndërkombëtar dhe Kodit Detar, kjo e fundit detyrohet të paguajë gjoba të cilat e kalojnë vlerën e investimit që duhej të kryente në afate kohore pa kaluar 3 muaj, por që realisht ka kaluar plot 7 vjet. Por gjëja më kryesore që u intereson shqiptarëve  është fakti se, ku kanë vajtur 3.5 milionë euro, që u dhanë për projektin e thellimit të basenit, kush i mori, kush i përdori, dhe ku përfunduan. Këto pyetje padyshim duhet të marrin përgjigje nga organet e hetimit, në të kundërtën kjo çështje shumë shpejt do të klasifikohet si “dosje e mbyllur për mungesë provash”, kur ato janë të gjalla në portin detar.