Populli do udhëheqës të vërtetë, jo shpikës taksash

583
Shqipëria gjendet në udhëkryq. Çdo ditë ka pasur akuza dhe kundër akuza nga pozita dhe opozita. Të dyja palët qëndrojnë në llogoret e tyre dhe VETINGUN e kanë flakur si top futbolli sa nga njëra fushë tek tjetra, vetëm e vetëm që të shtyhet në pafundësi. Populli e ka kuptuar tashmë, se kjo klasë politike është tërësisht e degraduar, ai e ka të qartë që ka nevojë për udhëheqës të vërtetë, atdhetarë të përkushtuar dhe të papërlyer në afera korruptive. Ai ka nevojë për udhëheqës, të cilët janë të shtyrë nga dashuria për kombin, jo nga delenxhinjtë që vjedhin popullin çdo ditë e nuk lenë taksë pa shpikur për banesat apo makinat, vetëm e vetëm që t`i heqin atij lëkurën. Polarizimi politik midis të majtës dhe të djathtës është dukuri negative, ajo e ka rritur tensionin tek ne. Forcat regresive po vazhdojnë të na mbajnë peng, për interesat e tyre abuzive. Jetojmë në epokën kompjuterike në të cilën lajmet shpërndahen menjëherë dhe kudo. Efekti i tyre negativ është paralizues. Koha në të cilën jemi tani është momenti, kur të gjitha gjërat e fshehura nga një takëm politikanësh në shoqërinë tonë po dalin sheshazi, korrupsioni, droga , koncesione skandaloze dhe plot afera të tjera. Njerëzit po bëhen të vetëdijshëm në lidhje me gjithë këto skandale që pëlcasin çdo ditë. Por gjithashtu është fakt se ka edhe një ambientim me të keqen, çdo skandal që ndodh nuk na i vret më veshin si më parë. Ka pasur aq shumë skandale sa që të krijohet përshtypja se mund të ndodhë gjithçka e të mos i bëjë përshtypje askujt. I ndodhur mes trishtimit dhe pesimizmit dikush thotë: Nuk kemi se çfarë të bëjmë, ky qe fati ynë, kjo klasë politike na ra në hise! Jo, një takëm prej tyre u ngjajnë disa sundimtarëve injorantë të pashkolluar, por që janë mjeshtër për korrupsion. Ata janë të varur nga paratë të cilat i venë duke abuzuar me pushtetin. Ata mund të blihen lehtë, me lekë ose me dhënie koncesionesh dhe shpirtin e kanë të shitur vetëm tek paraja. Shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës. Ne kemi nevojë të shpëtojmë veten nga të këqijtë që fatkeqësisht po bëhen shumicë dhe po na mbysin si një epidemi. Ne duhet të hapim rrugën për të shembur të keqen që na ka kapluar keqas. Ndërkaq në shoqërinë tonë disa liderë janë të mbuluar nga errësira, dallaverja, allishverishet dhe korrupsioni. Shqiptarët duhet të punojnë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion. Meqenëse nuk kanë shumë mundësi për të gjetur një përgjigje tërësisht të përsosur, duhet të gjejnë një përgjigje të përafërt. E para mund dhe duhet të jetë: Duhet të venë në zbatim urgjentisht VETINGU .Kur të fillojë Vetingu mos kujtoni se do të bëhet ndonjë mrekulli e menjëhershme, por të paktën shteti do të kthehet në normalitet, zyrtarët e gjyqtarët nuk do ta bëjnë baltë siç e bëjnë tani, por do të jenë më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm, duke e ditur se mund të përfundojnë mbrapa hekurave në qelitë e ftohta. Është fakt që organet e drejtësisë janë të urryera thellësisht nga popull për bëmat e shumta që kanë bërë në drejtësi, me abuzimet e tyre, duke vënë pasuri marramendëse . Duhet të shembet kjo ngrehinë korrupsioni. Ata që shtyjnë Vetingun, realisht shtyjnë agoninë e tyre, se ai një ditë ai do të fillojë të zbatohet dhe për këtë mbetet garant vetëm faktori. Duke e kuptuar se një ditë Vetingu do të fillojë të funksionojë , mobilizohet rezistenca e atyre forcave të errësirës që e pengojnë atë. E vërteta është e rrezikshme për këtë takëm të korruptuarish që e dinë se çfarë i pret, ata duan të komprometojnë segmente të caktuar për të mbijetuar… Ne të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell, por jo në të njëjtën botë. Një kategori zyrtarësh të korruptuar u shkatërron shqiptarëve cilësinë e jetës. Shqiptari nuk duhet të trembet nga ky takëm injorantësh të korruptuar. Shqiptari e ka vrarë frikën prej dekadash… Ai duhet të ketë shpresë për një jetë më të mirë pas kësaj reforme, e cila po zgjatet dhe stërzgjatet nga segmente të caktuar që çdo ditë po dalin në shesh .
Bardhyl Berberi
Sigal