Maturantët, edhe 24 orë kohë për të verifikuar aplikimin

950
Deri më 10 gusht, çdo kandidat mund të dorëzojë ankesën pranë drejtorisë së shkollës
Kalvari i maturantëve për të fituar të drejtën e studimit në një shkollë të lartë ende vazhdon, ndërsa procedurat ndjekin njëra-tjetrën. Kandidatët, të cilët kanë bërë tanimë aplikimin për të ndjekur studimet në shkollat e larta, kanë kohë deri në datën 10 gusht për të verifikuar dhe një herë degët që kanë përzgjedhur apo si u është përllogaritur mesatarja e notave. Agjencia e Shërbimeve Arsimore ka publikuar pak ditë më parë edhe Librin e Transparencës. Në bazë të rregullores, kandidatët për student mund të futen në aplikimin e tyre dhe të shikojnë nëse kanë bërë ose jo gabime gjatë aplikimit. Sipas ekspertëve, maturantët që konstatojnë probleme duhet të dorëzojnë një ankesë pranë drejtorisë së shkollës së mesme që kanë ndjekur. Shkolla do të jetë e detyruar ta përcjellë këtë ankesë në Drejtorinë Arsimore përkatëse. Pas procesit të verifikimit, nëse ankesa e maturantit është e drejtë, atëherë Agjencia e Shërbimeve Arsimore e korrigjon nëse ankesa ndodh brenda datës 10. Më pas nis përpunimi i të dhënave dhe renditja sipas pikëve dhe në datën 28 gusht shpallen fituesit e raundit të parë.

Libri i Transparencës
Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve/kandidatëve, për sa i përket procesit të Maturës Shtetërore dhe aplikimit në Institucionet e Arsimit të Lartë. Në Librin e Transparencës çdo maturant/kandidat gjen të gjithë elementet kryesorë përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme: 

1- Mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme sipas VKM nr. 346 dt 19.04.2017; 
2- Rezultatin e provimit të Letërsisë D1; 
3- Rezultatin e provimit të Matematikës D2; 
4- Rezultatin e provimit të Gjuhës së Huaj D3; 
5- Rezultatet e provimeve të dy lëndëve me zgjedhje; 
6- Preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin e Aplikimit në IAL në raundin e parë, për programet e studimit që ofrojnë IAL-të për vitin akademik 2017-2018.
Për maturantët/kandidatët të cilët ndër preferencat e përzgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, pikët për këto programe studimi do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve nga ana e IAL-ve. QSHA u përcjell IAL-ve, brenda datës 23 gusht 2017, të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet vjetore të maturantëve/kandidatëve të cilat do t’u shërbejnë IAL-ve për përllogaritjen e pikëve, rankimin e maturantëve/kandidatëve dhe shpalljen e fituesve. Maturantët janë njohur me rezultatet vjetore pranë shkollave ku janë hedhur këto nota në Portalin Maturanti.

“Kjo është mundësia fundit i konkurrentëve për saktësimin e të dhënave të tyre. Çdo konkurrent që ka plotësuar Formularin e Aplikimit në IAL është përgjegjës për të dhënat e tij, si edhe respektimin e afateve për përcjelljen e pasaktësive nëse ka të tilla”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Sigal