Policia italiane i tregon Hysni Burgajt hartën e drogës në Shqipëri

582
Sigal

Policia italiane deklaron prefekturat e drogës dhe sasinë prej 900 ton me vlerë 4.5 miliardë euro

Policia italiane i tregon drejtorit të Policisë Shqiptare zonat e drogës, duke dhënë këshillat përkatëse. Në fakt, Hysni Burgaj, Drejtori në ikje i policisë shqiptare, kishte planifikuar ta shfrytëzonte konferencën e djeshme për të vënë në dukje, meritat e tij personale, por nga ato që thanë Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanzia, Stefano Bastonin, si dhe zv/ambasadori italian në Shqipëri, Giuseppe Berlendi, rezultoi se, policia shqiptare gjatë këtij mandati qeverisës, ka mbetur në klasë. Midis të tjerave, përfaqësuesit italianë treguan me gisht, 3 prefekturat shqiptare, ku kultivohet kanabis. Jo se ato nuk diheshin, por se Burgaj nuk ka marrë asnjë për minimizimin pasojave të këtij aktiviteti, i cili në Shqipëri ka shkaktuar me qindra viktima, gjatë konkurrencës së grupeve të drogës. Midis të tjerave, Vlora, Gjirokastra dhe Shkodra janë prefekturat, ku lulëzon ende kanabisi. Ky konstatim u bë gjatë një konference të përbashkët të drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj me Drejtorin e Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastonin si dhe me zv/ambasadorin italian në Shqipëri, Giuseppe Berlendi. Në konferencë u evidentua ndihma që policia italiane dha në identifikimin e plantacioneve me kanabis në Shqipëri. Kjo u arrit në saj të avionëve të specializuar në teknologji për këtë qëllim. Siç theksoi Bastoni, policia italiane është e shqetësuar sepse kanabisi që kultivohet në Shqipëri tregtohet masivisht në Itali. “Avionë me teknologji të përparuar fluturuan dhe zbuluan qindra plantacione me kanabis, lëndë narkotike që më pas masivisht trafikohet në Itali”. Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni theksoi gjithashtu se, një nga zonat më problematike për kultivimin e kanabisit mbetet Lazarati, ku sipas tij, lënda narkotike mund të arrijë në 900 ton ndërsa nga vlera e shitjes së saj mund të përfitohet 4.5 miliardë euro. “Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat si kurrë më parë”, vuri në dukje ai. Dhe kjo deklaratë e Bastonit, tregon se realiteti shqiptar, është “i minuar” me veprime antiligjore, të cilat do t’i kushtojnë shtrenjtë, shoqërisë sonë gjatë të nesërmes. Konferenca e djeshme konstatoi vetëm një nga plagët e mavijosura, të realitetit tonë, para të cilës, Policia e Burgajt, është e paralizuar dhe deri tani nuk ka bërë asgjë për luftën ndaj trafikantëve.

Justifikimi i Burgajt

Betejën kundër trafikantëve që e ka humbur me kohë, tani në prag të largimit, Burgaj e konsideroi si një nga prioritetet kryesore të policisë që drejtohej nga ai. Dhe ndërsa e cilësoi luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, si një nga prioritet kryesore të policisë së shtetit, Burgaj theksoi se, me rëndësi është ç`rrënjosja e këtij fenomeni dhe dalja e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese të drogës. “Autorët në shumë raste janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre. Janë asgjësuar 108 raste dhe janë proceduar 33 shtetas; 23 janë arrestuar dhe të tjerë janë në kërkim”, u shpreh ai. Por në këtë konferencë, Burgaj nuk artikuloi asgjë për rastet kur uniformat blu kanë shoqëruar trafikantët deri në daljet kufitare, kur policëve të thjeshtë u është mbyllur goja, nga interesat apo urdhrat e eprorëve të tyre, etj.. Burgaj, tha ndërmjet të tjerave se, “në këtë operacion, policia ka angazhuar forca të specializuara të mbështetura nga helikopterë”. Dhe si për ironi të fatit, Burgaj tha se: “kontrolli dhe krehja e zonave do vazhdojnë deri në shtator, së bashku me asgjësimin e parcelave. Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike do të vazhdojë deri në heqjen e plotë të Shqipërisë nga harta e kultivimit të tyre”. Sipas tij, nga filmimet ajrore është bërë i mundur fotografimi i të gjitha parcelave në vend dhe zonat më problematike që janë: Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi. “Kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla, larg zonave të banimit dhe në zona të thella malore”, tha me tej, Burgaj.

Përfundimi

Nga kjo konferencë, Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj, la përshtypjen se ai mezi ka pritur që të fillojë këtë luftë kundër kultivimit të drogës, në shtator dhe madje, edhe pas shtatorit. Atëherë, kur ai vetë të jetë hequr nga formacionet e bluve dhe ndofta, pas këtij largimi, atij do t’i duhet të përballet me akuzat e drejtësisë, për shkak të letargjisë që ka treguar në luftën kundër trafikantëve dhe kriminelëve. Pikërisht, për shkak të këtij indiferentizmi, qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, kanë vuajtur pasoja të shumta, ndërsa shumë të tjerë që ishin përzierë në këto afera kanë mbushur xhepat, me miliona euro.