Rama me Samaras dhe Venizellos: “Kapitull të ri në marrëdhëniet mes 2 vendeve”

452
Sigal

Mediat greke e nënvlerësojnë  vizitën e kryeministrit të zgjedhur shqiptar në Athinë, duke e cilësuar si…private

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama përfundon vizitën zyrtare në Turqi dhe nis të radhës në Greqi. Në rrjetet sociale Twitter e Facebook, Rama njofton me anë të një postimi se ndodhet në Athinë për një vizitë tjetër të nivelit të lartë. Pas takimit me Erdogan, Rama pritet nga Samaras.  “Athinë. Rreth 1 orë me Kryeministrin Samaras për t’u njohur e diskutuar në funksion të një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve”, citon Rama në rrjetet sociale.

Mediat greke pasqyrojnë gjerësisht takimin e Ramës në Athinë

Të gjitha mediat greke, tv dhe elektronike,  e pasqyruan vizitën e Kryeministrit të zgjedhur në Athinë dhe takimin e tij me Kryeministrin grek, Antonis Samaras. Madje, disa sajte elektronike të gazetarëve, sikurse “Kathimerini”, “In.gr” e përshkruan takimin Samaras- Rama, si një vizitë private dhe jo zyrtare. Sajti elektronik i gazetës “Proto Thema” dhe ai i “Real nevvs” theksuan se, Edi Rama, ditët e fundit ishte kritikuar se “anashkalon Greqinë dhe Italinë”, duke takuar fillimisht kryeministrin turk. Në fakt, këto kritika janë të palës greke, e cila shikon me një xhelozi politike, faktin që Edi Rama vizitën e parë e bëri me kryeministrin turk dhe jo me atë grek. Gazetat greke, përfundojnë reportazhin e tyre kushtuar vizitës (private) të Kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama në Athinë, duke theksuar se Rama ka pohuar se, “Turqia, Greqia dhe Italia janë vende aleatë strategjikë të Shqipërisë”. Po dje, në orën 13:30, sipas orës greke, Edi Rama u takua edhe me kryetarin e PASOK-ut dhe zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos.

 

Axhenda e takimit të Ramës në Athinë, me karakter njohës

Sikurse e theksuan mediat greke, vizita e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama është private, pra nuk është një vizitë zyrtare, ndaj edhe axhenda e bisedimeve ka patur karakter njohës,të udhëheqësve më të lartë të qeverisë greke me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Edi Rama. Madje, Rama takohet për herë të parë me Antonios Samaras, por edhe me kryetarin e PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, edhe pse PASOK e PS janë në të njëjtën Internacionale Socialiste. Kujtojmë se para disa ditësh, ministri i Jashtëm Venizelos, në takimin me ambasadorin e Shqipërisë në Athinë, zotin Dervishi, theksoi se, për qeverinë greke, prioritet ka marrëveshja detare me Shqipërinë.

Athina zyrtare ka rezerva ndaj Edi Ramës

Që Athina zyrtare ka rezerva ndaj Edi Ramës, kjo u reflektua edhe në komentet e medias greke, e cila theksoi se: “Rama është kritikuar që ka anashkaluar Athinën dhe Italinë, duke vizituar më përpara Turqinë”.  Rezervat e Athinës ndaj Edi Ramës, mund t’i kuptojmë edhe në faktin që PASOK-u, domethënë, AS Papandreu dhe as Venizelos nuk e mbështetën Ramën gjatë fushatës elektorale. Kjo shpjegohet me faktin se ishte PS-ja që denoncoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Berishës me qeverinë greke për kufirin detar. Së dyti, Athina zyrtare ka reaguar ndaj vendimit të Ramës, që për herë të parë, në këto 21 vjet, të mos përfshijë në qeverinë e tij asnjë ministër të minoritetit grek, edhe pse PBDNJ-shi është në koalicion me PS-në.

Mediat greke, duke iu referuar Ramës në Tvvitter, theksuan se, tashmë, në marrëdhëniet bilaterale të Shqipërisë dhe Greqisë, do të hapet një kapitull i ri. Por, ajo që është më kryesorja, nuk dihet se në kë sens do të jetë ky kapitull i ri. Pozitiv, apo negativ? Duke njohur mirë diplomacinë dhe politikën greke, e sidomos në marrëdhëniet me Shqipërinë, vlerësimi i tyre pozitiv gjithnjë nënkupton që qeveria shqiptare duhet të plotësojë seri në një, kërkesat e saj, në raportet që duhet të ndërtojë me minoritetin grek dhe politikën e saj ndaj Shqipërisë. Fakti, që paraprakisht, Rama është kundër marrëveshjes së dëshiruar nga grekët për kufijtë detarë dhe, derisa nuk do të përfshijë në qeverinë e tij edhe përfaqësues të minoritetit grek, është vështirë që kapitulli i ri i marrëdhënieve të dy qeverive ( jo dy popujve) të ketë pozitivitetin e dëshiruar.