Policët kompesojnë rrogën, duke shitur informacion te banditët

551
Një lajm i trishtë, skandaloz, për të vënë alarmin, në polici ka punonjës që shesin informacionin e ardhur nga qytetarët. Porthuajse në në gjitha komisariatet e policive në rrethe, tani ka policë që shesin informacionin, duke kompesuar në njëfarë mënyre rrogën e tyre, që duhet thënë se nuk është e keqe. Burime tepër të sigurta nga disa komisariate policie në rrethe i thanë “Telegraf” se “prej kohësh kemi rrjedhje informacioni, dekonspirim të njoftimeve, sinjalizimeve dhe lajmeve të ardhura nga qytetarët, për parandalimin ose ndodhjen e veprave të ndryshme penale, kemi policë që janë parë duke vajtur tek personi i denoncuar dhe i paditur, dhe ka “raportuar” të gjithçka ka ardhur tek salla operative, ka dhënë numrin e celularit të personit që ka telefonuar dhe denoncuar edhe adresën e tij, duke dekonspiruar aksionet tona dhe FNSH, dhe duke krijuar pastaj situata dramatike mes palëve”. Pavarësisht këtyre veprimeve sa të paligjshme aq edhe të paimagjinueshme për një institucion që pretendon se mbron liritë dhe të drejtat e njeriut, rendin dhe qetësinë, por edhe anonimatin e personit që denoncon një akt kriminal, të duket se ata policë që kompesojnë rrogën me para të pista, vegjetojnë mrekullisht në komisariate. 

Dekonspirim aksionesh

Raste të tilla mësohet se janë të përhershme në shumë komisariate policie si në qarkun e Elbasanit, Durrësit, Korçës, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, ku edhe ka patur shpesh dështime të aksioneve nga policia dhe FNSH. Efektivët e patrullave janë të ndarë, në të ndershëm dhe të korruptuar, në shkelës syri dhe dinjitozë. Të parët u shkelin syrin elementëve të denoncuar, duke nënkuptuar se “informacionin, emrin dhe adresën e denoncuesit dhe telefonin e tij ta jap unë pas shërbimit”, kurse të dytët ndjehen të tradhëtuar nga kolegët e tyre, duke u ndeshur të vetëm me shkelësit e ligjit, por gjithmonë të dështuar. Ky koncept kaq negativ mbi punën dhe misionin në polici dhe kjo situatë dramatike ka mbuluar pothuajse çdo strukturë të uniformave blu në komisariatet e vendit. E ndërsa të rinjtë e ardhur nga Shkolla e Policisë, vijnë me mentalitetin e formëzuar nga teoria dhe praktika, sipas të cilit “ligji është për të gjithë njëlloj”, të vjetrit që janë rikthyer dhe “reformëzuar” me dhjetra herë, kanë mbetur atje ku ishin, tek bakshishi. Pasi janë pikërisht ata që u shkelin syrin rrugaçëve dhe elementëve kriminalë, që marrin prej tyre “honorare”, kanoçe birre, dreka dhe darka, duke shitur informacionin e sallës operative, duke dekonspiruar numrat e celularëve të qytetarëve që kanë kurajon të denoncojnë aktet kriminale dhe veprat e ndryshme penale që ndodhin në rrugët, pallatet, lagjet dhe zonat e tyre të banimit. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur në polici ka akoma elementë që janë veshur dhe zhveshur nga uniforma me dhjetra herë, kur në rradhët e policisë ka elementë që kanë patur punë me organet e hetimit dhe gjykatat, që kanë biznese dhe lidhje të veçanta me elementë të dënuar nga drejtësia. 

Elementë kriminalë komandojnë agjentë krimi

Të kompesosh rrogën që të jep shteti, me para dhe honorare të pista, duke shitur kolegët, qytetarët dhe informacionin që vjen në rrugë të ndryshme duke ndihmuar policinë, konsiderohet më shumë se shkelje ligji, por tashmë kjo gjë është kthyer në normalitet në shumë komisariate. Mburrja e elementëve kriminalë në rrethe të ngushta se “e dimë kush më ka denoncuar, kemi mikun atje brënda”, apo “e di kush më kallëzoi në polici dhe prokurori”, është një sinjali i fortë, se uniformat e shtetit janë njollosur ( kryesisht të reformëzuarit) keq dhe janë bërë palë me antiligjin, se shteti nuk mbron më qytetarin, por rrugaçin dhe të fortin. Nga këtu nis kapitullimi i institucioneve zbatuese të ligjit , ku të parët që nisin heqjen e “tullave” nga poshtë janë pikërisht uniformat e shtetit, nuk ka rëndësi ngjyra e tyre, blu apo gri. 

Makim Tufa 
Sigal