“Piramida Makashi” mban në qeli Ministrin Ksera

250
Prej katër ditësh, organet e drejtësisë kanë deklaruar “zbulimin” dhe goditjen e një aktiviteti mashtrimi piramidal me punësimet e shqiptarëve, duke u premtuar paralelisht sigurim vendesh pune dhe shkollim në Kanada, Angli e Australi, kundrejt një pagese që shkonte minimalisht 20 mijë dollarë dhe maksimalisht 20 mijë euro. Sipas burimeve hetimore, rezulton se ky aktivitet i organizuar kriminal me fasadë false punësimi e shkollimi në Kanada, Angli e Australi, kishte grumbulluar mbi 5.2 milionë dollarë. Prej kaq vitesh, aplikuesit nga të gjithë rrethet e vendit, por kryesisht nga rrethet e jugut të Shqipërisë, të cilët për të ikur edhe familjarisht shitën “shtëpi e katandi”, kanë pritur sinjalin e ikjes nëpërmjet piramidës “Makashi”. Por kjo pritje zgjati 2, 3, 5. 8 e 10 vite, deri sa ata u detyruan të kërkojnë ndihmën e drejtësisë! Kjo veprimtari mashtruese, që zgjati 10 vite, “çuditërisht” nuk u zbulua nga shteti, nga policia, nga shërbimet sekrete, paçka se ishte në qendër të Tiranës (bllok)! Madje edhe me një tabelë sa një “fasadë pallati” e me ndriçim, me turma njerëzish që flinin” prej vitesh tek hyrja e “sarajeve” të kësaj piramide, cila në qetësi e liri të plotë vazhdonte të zhvaste milionat e hallexhinjve shqiptarë vetëm me një… formular! 

Pas 10 vitesh krim masiv, policia dhe prokuroria ndërhyri! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, ndërhyrja goditëse u bë me diktat (urdhër) nga shërbimet e drejtësisë ndërkombëtare, për faktin se bëhej fjalë për një rrjet mashtrimi ndërkombëtar me fije veprimi në Kanada, Angli e Australi, që funksiononte nëpërmjet lojës false të punësimit e shkollimit masiv të shqiptarëve! Ky detyrim që iu bë shtetit shqiptar, për të bllokuar e goditur këtë piramidë mashtrimi me fije mafioze ndërkombëtare me synim final emigrimin ilegal në SHBA, na e konfirmojnë këto fakte zyrtare: Prokuroria arrestoi një person që gjeti tek zyrat e kësaj firme piramidale, pikërisht 1 orë pasi ai e kishte blerë këtë kompani me 1 euro nga “bosja” Makashi! Prokuroria dhe policia, deklaruan se “bosja” Makashi dhe e bija bashkëpunëtore në mashtrim, ishin arratisur në Kanada! Dje, policia deklaroi se kishte arrestuar në Rinas nënë e bijë me mbiemrin “Makashi”, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Policia e Rinasit, deklaroi dje pas orës 24.00, se i kishte arrestuar kur kishin zbritur në Rinas, të kthyera nga Kanadaja! 

Në fakt, burimet e “Telegraf” thonë, se nënë e bijë “Makashi” janë arrestuar disa ditë më parë në Kanada dhe janë ekstraduar urgjent në Shqipëri, për shkak se veprimtaria e tyre kriminale, ka lidhje me dosjen e një ish-deputeti e ish-ministri shqiptar, të arrestuar në datën 29 janar 2016 me akuzën për korrupsion me 30 milionë lekë. Po sipas burimeve konfidenciale të gazetës “Telegraf” dhënë nga organi i hetimit, konfirmohet se urgjenca e hapjes dhe “qepjes” së dosjes së punësimeve mashtruese të piramidës “Makashi”, ka lidhje me dosjen hetimore të ish-deputetit dhe ish-ministrit të Punës të ish-qeverisjes së PD, zoti Spiro Ksera, akuzuar për korrupsion me 30 milionë lekë të paguara për aktiviteti “ahengu” të pa bërë me komunitetin rom! Në fakt, kjo akuzë ka qenë sebepi sa për ta prangosur, mbasi sipas burimeve, shkak real është krimi i mashtrimit me punësimet në Kanada, Angli e Australi, ku (sipas dosjes) ish-ministri Ksera ka firmosur një miratim konfirmues në emër të ministrisë, kërkuar nga “bosja” Luli Makashi, të cilën e kishte futur në kornizë që të bindte “viktimat” e saj, se gjoja… “ky projekt njihej zyrtarisht dhe kishte miratimin dhe mbështetjen e Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale të Shqipërisë”, në lejen e lëshuar prej të cilës firmosur prej ministrit Ksera, citohej se “ministria kishte lidhje me këto shtete për projektin “Makashi”. Siç thuhet nga brenda prokurorisë, ish-deputetin dhe ministrin Spiro Ksera nuk e mbajti në burg mashtrimi 30 milionë lekë me ahengun fiktiv të romëve, por “legalizimi” që i bëri piramidës “Makashi”. Në vijim, gazeta “telegraf” do të publikoj fakte që provojnë këtë lidhje “pune” mes dy gjirokastritëve në këtë mashtrim edhe zyrtar, konkretisht mes Luli Makashit dhe ish-deputetit e ministrit Spiro Ksera!