Petrit Sinaj vlerëson Ferdinand Ponin me “Nderi i qytetit” të Beratit

97

Për kontributin e tij të shquar në funksionimin e qeverisjes vendore, sistemeve elektorale, organizimin e zgjedhjeve, hartimin e politikave në fushën e administrimit publik, territorit dhe autonomisë vendore; si një nga nëpunësit e lartë të shtetit shqiptar, për kontributin e tij të çmuar në lëvizjen opozitare dhe pluripartiake në vendin tonë dhe si qytetar i denjë i Beratit, që gëzon respektin e qytetarëve të tij, Këshilli Bashkiak, i akordon Ferdinand Ponit, pas vdekjes, titullin “NDERI I QYTETIT” të Beratit. Në ceremoninë e zhvilluar dje në sallën e konferencave të Bashkisë merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, intelektualë, të afërm të familjes Poni, qytetarë etj. Pas paraqitjes në PowerPoint të biografisë, veprimtarisë politike dhe shoqërore të Ferdinand Ponit, si dhe të disa sekuencave nga jeta familjare, drejtuesi i kësaj ceremonie, Kadri Kuka, ftoi Kryetarin e Bashkisë, z.Petrit Sinaj, dhe Nënkryetaren e Bashkisë, znj.Afize Skëndo, t’i dorëzojnë bashkëshortes së tij, Merita Poni, titullin e akorduar nga Këshilli Bashkiak Berat. Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, vlerësoi kontributin e çmuar të Ferdinand Ponit si një nga protagonistët kryesor të lëvizjes opozitare për vendosjen e pluripartizmit, por edhe si një nga nëpunësit e lartë të shtetit, që punoi me përkushtim dhe devocion në hartimin e politikave të mirëfunksionimit të pushtetit lokal dhe më gjerë, duke dhënë ndihmesën e tij të pakursyer në të gjitha proceset e ndryshimit dhe të zhvillimit të shoqërisë sonë. Bashkëshortja e tij, znj. Merita Poni, pasi shprehu mirënjohjen e saj për vlerësimin e bërë nga ana e Bashkisë së Beratit, tha se do të donte që këto dekorata Ferdi t’i merrte vetë dhe të shihte se sa shumë ju e deshët atë dhe sa shumë e vlerësuat. “Jam shumë e prekur nga ky gjest tejet human, ku ju e shpërbleni për punën, mundin dhe sakrificat që ai bëri për qytetin e tij, duke më lumturuar mua dhe dy djemtë tanë, të cilët duhet të ndihen krenarë për veprën e babait të tyre”. Adriatik Mema