Përparim HALILI/Tepelena 73 vjet e lirë, 5 vjet e rindërtuar dhe në zhvillim…

796
Sigal

HISTORIA/15 Shtatori 1943 simbol i çlirimit, veprës së paharruar të 288 çetave
partizane dhe 380 dëshmorëve


Përparim HALILI

 

Tepelena sot në 15 shtator 2016, valëvit me
krenari flamujt e 73 vjetorit të çlirimit të saj, kësaj dite historike që ka në
themel gjakun e bijave e bijve më të mirë që dhanë jetën, sakrificat e veteranëve
të luftës të kësaj treve patriotike me emrin e lavdishëm “TEPELENË” e cila
ishte jo vetëm djepi i luftës, por edhe streha e saj e ngrohtë dhe bujare për
ata që luftuan me heroizëm e ideal të pastër e që sot nderohen prej brezave të
këtij rrethi e prej gjithë shqiptarëve! Sot, përveç familjeve të heronjve e
dëshmorëve, në radhën e parë të nderimit të ditës së çlirimit të Tepelenës janë
veteranët e luftës, janë pasardhësit tyre deri tek brezi i tretë, janë ata që
drejtojnë Tepelenën e që duhet thënë se ia kanë ndryshuar pamjen e ndërtesave,
shërbimet, kulturën, rrugët, mjediset, shkollat, spitalin, kopshtet, çerdhet,
tregjet… Sot, si në të 73 vitet e çlirimit, përkujtohet lufta që soli këtë
liri e cila ka si simbol të rënët në betejat me pushtuesit dhe shërbëtorët e
tyre që iu kundërvunë kësaj lufte të madhe heroike kombëtare…

 

Historia e formacioneve partizane të Tepelenës

 

Sipas arkivës së kësaj lufte legjendare, rezulton me fakte se Tepelena ka
pasur dy çeta partizane, të cilat në 10 gusht të vitit 1943, u bashkuan në
Batalionin “Baba Abaz”. Në faqen 27 të librit “Grusht Çelik Brigada e 6-të”,
thuhet: “Çetat që formuan Batalionin e 3-të ishin formuar gjatë vitit 1942.
Secila çetë, ka historinë e vet. Çeta e parë në Tepelenë, u formua në 15
dhjetor të vitit 1942 me emrin “Naim Frashëri”, me të rinj e të reja nga zonat
e Krahësit e Buzit, por edhe nga të ardhur të disa fshatrave të Qendrës. Disa
ditë më vonë u krijua çeta “Selam Musai” me të rinj e të reja nga zona e
Sinanajt. Gjatë Luftës N.Çl, çetat partizane të Tepelenës, mbanin emrat e
figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, personalitete të penës e luftëtarë
të çështjes kombëtare. Çetat u përfshinë në përbërje të Batalioneve që u
inkuadruan brenda “Brigadës-6 S”, batalione të cilët mbanin emrat e mëdhenjë të
Avni Rustemit, Abdyl e Sami Frashërit, Çerçiz Topullit, Koto Hoxhit, Musa
Fratarit etj. Nga radhët e këtyre çetave, dhanë jetën në luftime me pushtuesit dhe
kolaboracionistët dhe u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” 80 partizanë. Nga
fillimi i vitit 1943, të gjitha zonat rreth qytetit të Tepelenës ishin çliruar
nga çetat. Mbas kësaj kohe, çetat partizane të Tepelenës “Naim Frashëri” dhe
“Selam Musai” u bashkuan me Batalionit Partizan të ish-prefekturës Tepelenë të
10 gusht të 1943, në Donie të Kalivaçit dhe iu vu emri i atdhetarit “Baba Abazi”,
i cili u pushkatua nga fashistët më 25 qershor 1943 së bashku me 10 të tjerë.
Çeta e parë në Tepelenë “Naim Frashëri”, në mars ‘43 sulmoi dhe vendosi
kontrollin në Krahës. Po kjo çetë më 25 maj ‘43 mori komunën e Buzit, kurse më
21 qershor ‘43 çeta “Semal Musai” mori në dorëzim komunën e Sinanajt. Mbas
marrëveshjes së komunave çetat krijuan Këshillat Nacional-Çlirimtare të zonave
e fshatrave në përbërje të tyre.

 

betejat e çetave partizane, krijimi i Këshillave Nac-Çl dhe historia tek
Rrapet e Dervenit

 

Çetat partizane dhe këshillat Nac.-ÇL formuan çetat territoriale, zonale e në
bazë fshati, për t’u mbrojtur nga pushtuesit dhe mbështetur çetat partizane në
aksionet që bënin kundër forcave italiane. Këto çeta, organizuan debatin
politik në 4 maj 1943 tek Rrapet e Dervenit në Memaliaj, me bashkëpunëtorin e
fashizmit, njërin nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar, Ali Këlcyrën. Në këtë
debat pati pjesëmarrje të madhe të popullit të Tepelenës, nga gjithë zonat. Beu
Ali Këlcyra që kishte nënshkruar marrëveshjen me italianët për të mos luftuar
kundër tyre, bëri çmos të bindë e trembë tepelenasit në sloganet: “Nuk ka
ardhur koha të luftojmë kundër italianëve se ne jemi pak dhe të paarmatosur
kurse ata janë fuqi e madhe”. Përfaqësuesit lokalë të Luftës Nac-Çl që
organizuan debatin kishin ftuar për ndihmë edhe Mehmet Shehun. Abaz Shehu dhe
Mehmet Shehu me fakte e dokumente e demaskuan ashpër Ali Këlcyrën, duke e
akuzuar hapur si bashkëpunëtor të fashizmit. Deri në pranverë 1943 çetat
partizane kishin bërë 22 aksione kundër forcave pushtuese. “Selam Musai” më 25
shkurt ‘43 u përplas me forcat italiane në afërsi të fshatit Turan dhe i
shpartalloi ato. Më 26 qershor ‘43 në Mogila të Vasjarit, çeta “Naim Frashëri”
e mbështetur dhe nga të tjerë luftoi ashpër kundër italianëve që donin të
futeshin në zonën e Krahësit, duke dëmtuar e zënë rob. Në këtë betejë ra
heroikisht dëshmori i parë Qazim Manxhari nga Toçi. Më 14 korrik ‘43 forcat e
shumta italiane u nisën nga Tepelena të mbështetur edhe nga njëri me drejtim të
zonës së Krahësit duke tentuar për të dytën herë ta pushtonin, por me të mbërritur
në Qafën e Miricës u bllokuan nga çetat partizane të rrethit dhe ato
territoriale të fshatrave të zonave Krahës, Buz dhe fshatra të tjerë. Mbas 6
ditë e natë luftimesh të ashpra, italianët u detyruan të kthehen mbrapsht për
shkak të pritjes së fuqishme dhe humbjeve të mëdha. Dy ditë pas dështimit në
luftën e qafës së Miricës, forca të shumta italiane erdhën nga Berati me synim
të futeshin në zonën e Krahësi nga Rabia. Por çeta partizane dhe ato
territoriale i pritën në Gllavë me luftë të pandërprerë për 12 orë dhe i
detyruan të kthehen nga erdhën. Në Rabie italianët erdhën edhe nga Fieri për
t’u futur në Krahës, por për të tretën herë dështuan sepse në këtë fshat janë
bërë luftime me 20-25-27 qershor, 20-23 qershor dhe 25 korrik 1943 dhe kanë
dhënë jetën 25 dëshmorë të atdheut. Këto përpjekje të njëpasnjëshme të
pushtuesve për të pushtuar e kontrolluar zonën e Krahësit kishin të bënin me
faktin se atje ishte baza kryesore e Luftës Nac-Çl e Tepelenës, se atje ishte
formuar çeta e parë partizane. Grumbulloheshin, strehoheshin dhe furnizoheshin
me ushqime e armatime partizanët që luftonin në Tepelenë dhe rreth saj. Atje
shtroheshin e kuroheshin të plagosurit në luftë sepse ishin vendosur dhe
funksiononte spitali partizan i Tepelenës që shërbente edhe për zonat përreth.
Në këtë zonë u formua edhe Batalioni partizan i rrethit 10 gusht 1943, që çoi
në çlirimin e 15 shtatorit 1943.

 

Tepelenasit nuk e kanë puthur pushtuesin, por e kanë përzënë deri në çlirimin
e saj

 

Në këto beteja, populli i Tepelenës ka qenë aktiv e me kontribute të çmuar.
Nuk ka pushtues që tepelenasit të mos e kenë pritur me armë, të organizuar në
njësi e çeta. Në këto luftëra, nga gjiri i popullit të Tepelenës kanë dalë
figura të shquara për mendje, trimëri, atdhetarizëm, me kontribute jo vetëm
krahinore por edhe në shkallë vendi. Mjafton të përmendim Ali Pashë Tepelenën,
prijësat e dëgjuar të luftëtarëve Tafil Buzi, Selam Musai, Osman Haxhiu e shumë
të tjerë gjatë Luftës NAÇl. Kontribuan me çfarë patën dhe bën sakrifica të
mëdha sepse u dogjën e u shkatërruan nga pushtuesit. Në formacionet partizane u
radhitën 1937 djem e vajza që luftuan brenda e jashtë atdheut që nga fillimi e
deri në çlirimin e plotë të vendit. Që nga vitit 1912 e deri në 29 nëntor të
vitit 1944 në përpjekje me pushtuesit e huaj për interesat e çështjes kombëtare
janë vrarë e shpallur dëshmorë të atdheut 510 djem e vajza nga Tepelena, nga të
cilët vetëm 445 në Luftën NAÇl, 6 prej të cilëve janë shpallur “Heronj të
Popullit”…. Pikërisht këtë luftë, këtë datë përkujtimore të çlirimit të
Tepelenës, drejtuesit e Bashkisë së Tepelenë e nderojnë çdo 15 Shtator me
aktivitete dhe vlerësim të veteranëve e të familjeve të dëshmorëve, që skalitën
këtë datë me gjakun dhe herizmat e tyre….

 

Sipas bisedës me kryebashkiakun e qytetit, Tërmet Peçi

 

Tepelena, ky qytet i rindërtuar me punë konkrete e dashamirëse të bijëve të
saj

 

Historia e ndryshimeve infrastrukturore në
Tepelenë, ka nisur vrullshëm, konkretisht, funksionalisht e cilësisht pas
korrikut të vitit 2011, kur në krye të bashkisë u votëbesua një ekip drejtues
që sot pas vitesh “flet” me bilanc ndryshimesh për t’u përshëndetur, duke nisur
këtë ndryshim jo me citate, por me njohjen e gjendjes, problematikave, përshtat
të cilave ndërtoi strategjinë dhe përcaktoi mundësitë për të nisur punë, punë që
nisën nga futja në punë stafit të bashkisë dhe pastrimi is aj nga të paaftët, të
molepsurit, dashakeqët, parazitët, megalomanët dhe ata që nuk punonin për
komunitetin dhe qytetin, por për “bahçen” e tyre private! E pas kësaj, nisi
komunikimi me komunitetin, sepse bashkia nuk janë muret, tavolinat dhe dosjet,
por njerëzit që presin shërbime, duke e bërë komunitetin pjesë të diskutimit,
orientimit dhe miratimit të çdo qindarke buxheti, me destinacion sipas nevoja të
njerëzve, të cilëve prej 5 vitesh u jepet llogari për çdo shpenzim jo me
raporte zyrash, por me ballafaqim konkret të çdo investimi e shërbimi të kryer,
siç është vepruar në çdo rast. Tepelena ka pasur dhe vazhdon të ketë papunësi,
por kjo po vjen duke u zbutur nëpërmjet ornetimit të shërbimeve publike, më
ngritjen e ndërmarrjeve publike me qëllim punësimin stabel, ose sezonal të
njerëzve në nevojë dhe ky riorganizimi ka dhënë efektin e vet, duke u siguruara
të ardhura shumë familjeve të qytetit e në vazhdim edhe të zonës i bashki e
madhe tashmë me afro 28 kilometër shtirej gjeografike nga kufiri me Këlcyrën e
deri ën kufirin me Vlorën! Ndonëse me fonde modeste, të cilat në vitet
2012-2013 u shkurtuan në mes të vitit buxhetor në l0 milionë lekë të reja, arritëm
të siguronim shërbime më cilësore e në më shumë drejtime, madje duke krijuar
shërbime të reja komunitare, që nuk kishin ekzistuar asnjëherë në Tepelenë
paçka se fondet figuronin të harxhuar për
,gjelbërim, ndriçim publik, mirëmbajtja e shërbime në varreza! nevoja për të
transformuar qytetin në shërbim të interesave të komunitetit, u mbështet nga
qeveria pas vitit 2014, kur për shkak të besimit tek punët e bëra, u akorduan
fonde investimesh në disa drejtime, si rikonstruksioni i Kopshtit të fëmijëve
“Murat Koçiu”, rikonstruksioni i shkollës së mesme “Abaz Shehu” dhe i Palestrës
të cilët janë dy objektet model në krejt jugun e Shqipërisë! Po kështu, model
me standarde europiane është rikonstruksioni i sheshit qendror të Tepelenës dhe
i hyrjes së Kalasë në shumën 48.888.000 lekë, studimi urbanistik dhe
infrastruktura e zonës së Spitalit në shumën 18.618.000 lekë. Investimet
vazhduan në vitin 2015, duke  kulmuan
fuqishëm e estetikisht me rindërtimin e Bulevardit “Ali Pashë Tepelena” me
vlerë 84.158.000 lekë, tashmë e përfunduar edhe si shesh me vlerat e një vepre
arti me funksion si një “familje natyrore”, ku mblidhen e çlodhen të gjithë,
ose më saktë e kthyer në qendër takimi të përbashkët, që të imponon kulturë! Në
Tepelenën e lirë prej 73 vitesh dhe të rindërtuar prej 5 vitesh, janë në ideim
e zbatim shumë projekte të tjera komunitare, sociale, arsimore, sportive,
rinore, infrastrukturore e kulturore, për të cilat do të flasim më gjerësisht
në një shkrim tjetër…