Përmbytjet, bllokohen 13 barinj dhe 1 mijë bagëti në Darëzez

542
Sigal

VLORE – Rënia e nivelit të ujit në lumin Vjosë që përmbyti jugun, veçanërisht fshatrat e komunës Novoselë në Vlorë dhe në Fier, ende nuk e largon rrezikun për banorët që jetojnë buzë lumenjve, por situata këtë të martë paraqitet më e qetë pasi reshjet e shiut kanë pushuar. Rreth 200 shtëpi dhe qindra hektarë tokë bujqësore në Novoselë vijojnë të jenë ende nën pushtetin e ujit, në ditën e tretë të përmbytjeve që u shkaktuan si pasojë e motit të keq dhe daljes nga shtrati të lumenjve. Mbi 300 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre gjatë këtyre ditëve, ndërsa një pjesë e madhe janë larguar para “trokitjes” së fatkeqësisë natyrore, duke u strehuar tek të afërmit e tyre.
 
Në disa nga fshatrat e komunës Novoselë mungon energjia elektrike si pasojë e dëmevë të shkaktuara nga përmbytjet. Shtabi i Emergjencave, forca të policisë e ushtrisë si dhe drejtues të pushtetit vendor ndodhen sërish në terren në ndihmë të banorëve të përmbytur, edhe me ushqime. Pavarësisht rënies së konsiderueshme të nivelit të ujit në Vjosë, Ura e Mifolit në Vlorë vijon të jetë ende e bllokuar.

Pjesa me kritike e kësaj situatë, janë dëmet materiale, kryesisht ato në blegtori dhe kulturat bujqësore. Ende nuk ka një bilanc zyrtar, por të dhënat paraprake flasin për dëme të konsiderueshme në këtë sektor, ku mijëra hektarë tokë u vunë nën pushtetin e ujit.

Pavarësisht se niveli i ujërave të Semanit dhe Vjosës është ulur, rreziku është ende i hapur dhe një prurje e dytë e fortë pritet në ditët në vijim, ku sipas parashikimve reshjet intensive të shiut do të vijojnë deri më 4 shkurt.

Ora 12: 12 Bllokohen në Darezezë të Fierit 13 barinj dhe 1 mijë bagëti
Trembëdhjetë barinj dhe 1000 bagëti kanë mbetur të bllokuar nga uji aktualisht në fshatin Darezëzë të Fierit.

Mësohet se barijntë janë bllokuar teksa po përpiqeshin të mblidhnin bagëtitë e tyre, ndërsa ata kanë kërkuar ndihmë pranë drejtuesve të pushtetit vendor në këtë rreth.

Mësohet se në drejtim të barinjve janë nsiur disa grupe shpëtimi me barka të vogla për evakuimin e tyre si dhe të bagëtive.

Ora 11:45 Rama e Tahiri takojnë banorët e Urës Vajgurore
Pas Novoselës në Vlorë dhe Levanit në Fier, këtë mesditë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri takuan nga afër banorët e Urës Vajgurore në Berat, shtëpitë e të cilëve u prekën nga përmbytjet.
 
Ora 11:40 Tejmbushet rezervuari i Manskurisë në Golem, pritet shkarkimi me 2 metra
Si rezultat I reshjeve të shiut të ditëve të fundit rezervuari i  Manskurisë në Golem është tejmbushur. Aktualisht po ndërhyhet për shkarkimin e rezervuarit në mënyrë që niveli i ujit në basen të bjerë me dy metra. Sipas informacioneve nga kryetari I komunës së Golemit, është bllokuar një kanal shkarkimi dhe po punohet për zbllokimin e tij. Ai siguron se ky shkarkimi nuk pritet të sjellë përmbytje në zonat përreth. Rezervuari i Manskurisë shërben edhe si basen i ujësjellësit që furnizon me ujë të pijshëm zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe zonës së Plepave në Durrës. Në vendngjarje ndodhen strukturat e pushtetit lokal dhe drejtues të ujësjellësit.
 
Ora 10:50 Fier, evakuohen 2 familje, qindra bagëti të izoluara
Në fshatin Qarr të Fierit u evakuuan 2 familje, banesat e të cilëve ishin përmbytur. Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar thotë se në Hoxharë janë izoluar 100 bagëti dhe ndihma po bëhet vetëm me gomone nga Delta Forcë.

Në Fik rreth 50 banorë me bagëtitë e tyre kërkojnë ndihmë për të nxjerrë bagëtitë nga uji. Në pyllin e fshatit Darëzeze janë 10 barinj me 1 000 bagëti që kërkojnë ndihmë. Në ndihmë të tyre janë nisur F.N.SH dhe Delta Forcë, së bashku me grupin e emergjencave civile
 

Fier, qindra banesa ende te rrezthuara nga uji
I njëjti bilanc negativ është edhe në rrethin e Fierit ku rreth 300 banesa dhe 5 mijë hektarë tokë ndodhen ende në pushtetin e ujërave të Vjosës.

Rreth 120 familje rezultojnë se janë evakuuar në fshatrat Ferras, Shtyllas, Cerven, Darezesë dhe Karcisht gjatë këtyre ditëve, zona të cilat u paraqitën më problematiket.

Në zonat e përmbytura lëvizja është e mundur vetëm me barka të vogla.

Shtabi i Emergjencave ndodhet në terren, ndërsa pushimi i reshjeve dhe përmirësimi i kohës pritet të ndikojnë për përmirësimin e situatës.

Në qarkun e Gjirokastrës situata paraqitet disi me qetë, teksa pushimi i reshjeve ka bërë uji te tërhiqet nga zonat periferike. Më kritike situata ka qenë në hyrje të qytetit të gurtë, ku dalja e lumit Drino nga shtratit përmbyti zonat përreth si dhe nënstacionin elektrik. Sakaq edhe në këtë rreth nuk kanë munguar rrëshqitjet e dherave kryesisht në zonat e thella malore, por nuk raportohet për zona të izoluara. 
 
Ndërkohë edhe në rrethet e Tepelenës edhe Përmetit raportohet për një situatë më të qetë. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet kanë qenë të konsiderueshme, ndërsa ende ka një bilanc paraprak.

Berat, pushojnë reshjet, Osumi tërhiqet nga tokat e përmbytura 
Pushimi i reshjeve ka ndikuar në pakësimin e sipërfaqes së përmbytur nga vërshimi u ujërave të Osumit në rrethin e Beratit.

Problematike mbetet situata në Urën Vajgurore, e cila ka sipërfaqen më të madhe te tokave dhe banesave të përmbytura.

Ende nuk ka një bilanc paraprake të dëmeve në bujqësi dhe blegtori si dhe ato materiale në banesa, por sipas banorëve ato deri më tani janë të konsiderueshme.