Beqir Gjika shfaq ambicien për kreun e Bashkisë së Gjirokastrës

696
Sigal

Kurveleshi i Sipërm kërkon Bashkinë e Gjirokastrës

Fshatrat e Kurveleshit të sipërm, Picari i Çelo Picarit, Golemi i Ismail e Bilal Golëmit, Kolonja, Shtëpëzi e Kaparjeli që nuk u mungojnë trimat dhe historia krenare, rreshtuar në malet me kreshta, me burimet e buronjat e freskëta tek retë, të shfaqen me një bukuri natyrore edhe nëse dimri e dëbora ka mbuluar me çarçafin e saj gjithçka. Tingujt e zileve e këmborëve ta bëjnë më të ëmbël peizazhin dimëror mëngjeseve e mbrëmjeve në këto fshatra. Një simfoni që nuk ka kompozitor ta hedhë në pentagram, përveç mjeshtrit popullor të kësaj krahine. Ata banorë të paktë që kanë mbetur nga eksodi i madh i tranzicionit, si emigracioni dhe migracioni, mundohen ti japin jetë vatrave të të parëve të tyre, të mos i mbulojë bari i harresës, varrezave ku prehet historia e këtyre fshatrave me trima kordhëtarë, artistë e njerëz të punës, që sot nuk janë më, por vepra e tyre i bën ata krenarë, oxhakët të mos mbeten pa tymin e zjarrit që trarët, dëshmitarë të jetës në vite e shekuj, të mos i bluajë krimi i rëndesës. Ata të rrethojnë e të falin dashurinë e mikpritjen, ashtu siç dinë ata, me humorin që përkundet në djepet e tyre, shkrirë në gotën e rakisë e mishit të pjekur, traditë që nuk ua vodhi askush. Dhe një nga këta bij të kësaj krahine e të këtyre fshatrave është edhe kreu aktual i komunës së Picarit, komunë që përmbledh fshatrat e lartpërmendur, Beqir Gjika, nga Picari i bukur e historik. Përmes bisedave të qytetarëve, mësojmë se Beqiri jo vetëm si djalë i zonës, por edhe si traditë e tij fisnore, ka në shpirt dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e këtyre fshatrave. Dhe këtë e ka treguar investimi pa dallim në fshatrat e kësaj komune. Dhe investimet duken e flasin vetë: Xhadeja e asfaltuar Picar –Kolonjë, ujësjellësi i ri i Kolonjës dhe Picarit, pompat e fuqishme të ujësjellësit të Golemit, por mbi të gjitha vlerësimi i personaliteteve që ka nxjerrë në vite e kohë të ndryshme kjo zonë, duke i bërë kështu një shërbim të vyer historisë së zonës dhe asaj kombëtare, dhe ky vlerësim ka ardhur real, duke mos parë përkatësinë politike të personave apo rreshtimin luftarak gjatë LANÇ-it, por ata që kanë kontribute dhe na nderojnë e krenojnë, duhet të jenë në piedestalin e merituar. Të parët e Beqirit kanë qenë shtresë e pasur, me mall të shumtë e prona të mëdha, sa që gjyshi i tij, Magrip Gjika, në kohët e turbullta të pushtimit turk në fillim shekull, u zgjodh kryeplak i zonës që përmblidhte fshatrat nga Kallarati në Golem, ku e karakterizoi drejtësia, fisnikëria dhe morali i lartë, me përgjegjësi ndaj komunitetit në vitet që era e barotit dhe gjakut të kokave të prera zotëronte kudo. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës më 1920, duke treguar vlera të larta patriotike dhe atdhedashurie e mospajtim me këdo pushtues që prek trojet shqiptare. Dhe këto cilësi të të parëve të tij i gëzoi dhe pinjolli i sotëm, Beqir Gjika, i cili eci në gjurmët e të parëve të tij, por edhe me traditën e gjenit të dy fshatrave më në zë të Kurveleshit të sipërm, Picarit, nga është djalë e Golëmit nga është nip. Eci për shumë vite duke ngritur biznesin e tij e jo me pak suksese të arritura, deri sa në zgjedhjet vendore të 2010-ës, PD-ja e kandidon si kandidat të saj në komunën e Picarit, garë të cilën e fiton bindshëm e me rezultat të thellë, tregues ky se ka marrë vota të majta e të djathta, dhe me këtë bindemi se rreth tavolinës së tij sheh të majtë e të djathtë, së bashku në një sofër. Banorët thonë se tani që komuna e tyre, me hartën e re territoriale do shkrihet dhe bashkëngjitet me bashkinë e Gjirokastrës, ata do të kërkojnë që Beqiri, i cili shfaqi këto katër vite aftësi drejtuese dhe pastërti në figurën e tij si i palakuar në korrupsion, të jetë kandidat për kreun e bashkisë së Gjirokastrës. Dhe këtë na e konfirmon edhe Beqir Gjika, se ka ambiciet e tij për kreun e Bashkisë së Gjirokastrës, pasi kjo bashki nuk do të ketë më në administrim vetëm qytetin, por edhe fshatrat e thella malore të kësaj krahine, që duhet akoma punë e investime për ta mundësuar kthimin e emigrantëve në vendet e tyre, të investojnë e ndërtojnë jetën e tyre. Por edhe vetë bashkia e Gjirokastrës duhet të ndryshojë, thotë Beqiri, pasi vihet re një amulli e përgjumje, sidomos në drejtim, organizim e investim, çka e tregojnë rrugët e qytetit, por edhe mos kujdesi ndaj ndërtesave dhe veprave monument kulture të shpallura e të mbrojtura nga UNESKO, të cilat po rrënohen dita-ditës. Dhe këtu duhet kujdes dhe investim se po na zhduket tradita. Por edhe probleme të tjera të infrastrukturës kërkojnë përmirësime dhe investime dhe Gjirokastra i ka mundësitë të gjitha, mjafton vetëm përgjegjshmëria ndaj votës së qytetarëve, dashuria për ta, të cilat jam i bindur se do ti realizoj duke i dhënë qytetit tim gjithçka ai meriton dhe e djathta besoj se do ta ketë këtë aftësi për qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Jam i bindur se do ja arrij finalizimit të ambicies sime, pasi deri më sot, me gjithçka që jam marrë, nuk e kam njohur humbjen dhe dështimin, por vetëm suksesin, përfundon Beqir Meta, kreu aktual i komunës së Picarit, me ambicie për kreun e bashkisë së Gjirokastrës.

Agron MEMA