Përfshirja në TVSH, biznesi i vogël letër Ramës: Tërhiqu ose nisim protestat

729
Biznesi i vogël kundërshton me forcë përfshirjen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që pritet të ndodhë nga 1 prilli. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet së cilës kërkon tërheqjen e qeverisë nga vendimi për përfshirjen e kësaj kategorie tatimpaguesish në TVSH. Biznesi i lë kohë qeverisë 15 ditë për të ndryshuar qëndrim mbi këtë çështje. Në të kundërt, paralajmëron se do të nisë protestat në të gjithë vendin. Letra zyrtare dërguar qeverisë parashikon 4 kërkesa. 

1. Të anulohet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili vendosi të fusë në skemën e TVSH-së të gjitha bizneset me xhiro vjetore 2 milionë lekë. 
2. Përmirësim urgjent i klimës ‘armiqësore’ ndërmjet biznesit dhe shtetit. 
3. Biznesi i vogël dhe i mesëm të kontrollohet 1 herë në vit ose në 3 vjet. 
4. Rimbursim i kasave fiskale për të gjithë biznesin, i cili nuk ka përfituar nga ligji i parë për rimbursim. 

Për realizimin e pikës së parë i lihet afat qeverisë 15 ditë. Mosrealizimi brenda afatit i pikës NR.1 do të shënojë fillimin e protestave në gjithë vendin deri në realizimin e kësaj pike”, theksohet në letrën e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Në letrën dërguar kryeministrit, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm jep edhe argumentet, mbi bazën e të cilave kundërshton përfshirjen në skemën e TVSH-së. “Në vitin 2015 u mbyllën 26 mijë biznese. Në vitin 2016 u mbyllën 23 mijë biznese. Në vitin 2017 u mbyllën 14 mijë biznese. Në tre vjet 63 mijë biznese”, theksohet në letrën zyrtare. Shoqata vlerëson si shkaqe të mbylljes së bizneseve nivelin e lartë të taksave, më të lartat në rajon dhe Evropë; çmimin e lartë të energjisë dhe karburanteve; rënien e fuqisë blerëse; rritjen e korrupsionit; kontrollet e shpeshta dhe selektive; klima e rendit dhe sigurisë, sjellja “armiqësore” e shtetit me biznesin; gjobat e shpeshta dhe të pa përballueshme nga biznesi; ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe rregulloreve për biznesin.

Biznesi paralajmëron rritje çmimesh
Kostot që biznesi do të ketë nga futja në skemën e TVSH-së do t’ia faturojë konsumatorëve. Shoqata paralajmëron rritje të çmimeve në treg, nëse të vegjlit do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. “Jemi kundër pasi rrit shpenzimet e biznesit të vogël dhe të mesëm. Rrit çmimin e produkteve që tregtohen nga kjo kategori biznesi. Favorizon monopolet dhe ul konkurrencën e biznesit në krahasim me bizneset e vendeve të rajonit. Kjo skemë e vendosur nga qeveria shqiptare është kritikuar nga FMN dhe BB dhe nuk zbatohet në 26 vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Sipas parashikimeve të saj, nëse përfshihen në TVSH, brenda vitit 2018 do të mbyllen 50 mijë biznese.
Sigal