Edukimi i fëmijës, mes kostos së lartë dhe kohës së pamjaftueshme të nënave

1409
Sa shpenzon një familje për të arsimuar të vegjlit dhe tarifat që po rëndojnë gjithnjë e më shumë buxhetet e prindërve
Robert Elsie, albanologu që e donte aq shumë Shqipërinë citonte do kohë më parë se të largohej nga jeta, se po të jetonte në vendin tonë, do të çmendej. Për të marrëdhëniet mes njerëzve në Shqipëri janë të egra dhe ka shumë frustrim. Shtoji kësaj të qenit grua dhe nënë në Shqipëri. Dilemat për mënyrën e edukimit të fëmijës dhe rrekjen për të balancuar kohën e shpenzuar me fëmijët dhe paratë në një jetë frenetike ku koha të kalon duke vrapuar, janë të shumta. Në ditët e sotme prindërit në mbarë botën, veçanërisht në Shqipëri thonë se rritja e një fëmije kushton shumë dhe ata janë ende të pasigurt, nëse po i rrisin dhe edukojnë mirë fëmijët e tyre.

Marjana është një nënë e vetme. Ajo është nëpunëse në administratën publike dhe e mirëarsimuar. Ka mbaruar dy fakultete e numëron disa kualifikime e mastera brenda dhe jashtë kufijve. Ndërsa përpiqet të bëjë edhe punë të tjera përpos asaj në shtet për ti plotësuar shkollimin dhe edukimin e duhur fëmijës, shpesh i mbetet pak ose aspak kohë për të shpenzuar me vajzën e saj 10-vjeçare, e cila e kalon kohën ose me gjyshërit, ose tek zyra e të ëmës pasditeve duke luajtur në kompjuter. “Një fëmijë kushton shumë. Të kushton në ndërgjegje mbi të gjitha e pastaj sigurisht në vleftë monetare. Unë jam një nënë liberale, por sigurisht që kam kontrollin e duhur dhe në masë ndaj vajzës sime. Më rrëshqet situata, sigurisht. Jam një nënë e vetme. Por edhe me dy prindërit është boll e vështirë të rrisësh e edukosh fëmijë. Shpesh vajza rri pa ngrënë, harron. Shpesh ha keq, përpiqem të rikuperoj. Kohën e kam të limituar për shkak të dypunësimit, pasi nuk dua ti mungojë asgjë në marrjen e njohurive dhe shpenzoj edhe për kurset ku ajo argëtohet”, tregon Marjana. Vajza e saj që ndjek klasën e IV fillore në një nga shkollat publike në kryeqytet shpenzon mesatarisht 35.000 lekë në muaj.

Shpenzimi mujor 
Kurs pianoje – 3.250 lekë; Kurs baleti – 2.000 lekë; Basketboll – 8.000 lekë; Kurs anglisht – 3.000 lekë; Shpenzime ditore – 7.000 lekë; Kuota e ushqimit – 10.000 lekë. Në këtë listë nuk është llogaritur shpenzimi për veshje dhe lodra. Pyetjes nëse shpenzon kaq shumë para për të justifikuar mungesën e kohës për të kaluar me vajzën, Marjana përgjigjet: “Fëmija im ndjehet mirë dhe e angazhuar në kurse. Përveç mësimit të gjuhës angleze, kurset e tjera janë të karakterit argëtues. E shoh të kënaqur dhe të gëzuar. Është e vërtetë që kohë nuk kam mjaftueshëm për të kaluar me të. Përpiqem të gjej balancën, por është shumë e vështirë”. Esmeralda Keta, gazetare në “Top Channel”, rrëfen se “të kesh një fëmijë në shkollë është përtej çdo parashikimi që unë kam pasur. Kam menduar se që nga koha ime, kur mënyra se si shkruaje përcaktonte sa nxënës i mirë apo i keq ishte, nuk ka ndryshuar shumë… Mësuesit kanë mbetur ende tek ideja: Unë shpjegoj mësimin në klasë dhe nxënës i mirë është ai që ma thotë nesër përmendesh dhe nuk merren me nxënësin personalisht dhe me potencialin që ai mund të ketë. Shto këtu që klasat janë të mbipopulluara me nga 38 nxënës, kuptohet se sa mund ta përvetësojë dijen brenda në klasë një fëmijë. Kështu që mua mu desh të gjeja zgjidhje jashtë oborrit të shkollës për disa arsye. Në klasë të parë m’u desh që të gjeja një afterschool (shërbim pas shkolle) që jo vetëm të ma merrte nga shkolla, pasi klasa e parë mbaron në 11:20, por edhe ta ushqente dhe ta ndihmonte të bënte detyrat. E vetmja gjë që kisha të sigurt ishte fakti se e dija ku kisha fëmijën, sa për detyrat as nuk arrinte t’i bënte dhe në shumicën e rasteve i kishin zgjidhur gabim, kështu që detyrohesha t’i bënim edhe njëherë nga e para në shtëpi. Kjo për faktin se vërtetë ishin 5 fëmijë në grup në afterschool me një mësuese, por ishin të gjithë të klasave të ndryshme dhe mësuesja nuk i ndiqte dot. Pagesa ishte 11 mijë lekë të reja në muaj, që unë i konsideroj të shkuar dëm. Pa folur për mjetet e shumta didaktike, portofolin e nxënësit, fletore në format A4 që shkruhen vetëm nga njëra anë dhe mësuesja e ka më të lehtë për t’i grisur dhe futur në dosjen e nxënësit”. Por ndërkohë, vajza e Esmeraldës ka pasion pianon dhe shkon një herë në javë në një kurs për të mësuar të luaj në këtë instrument. “Në klasën e dytë vendosa të heq dorë nga afterschool për shkak të eksperiencës jo të mirë, por më duhej patjetër një mësues privat që të ndiqte vajzën në bërjen e detyrave dhe mësimeve, pasi unë jam e zënë në punë”, tregon Esmeralda. Sigurisht, thotë ajo, që u përpoqa të gjej dikë me një çmim të përballueshëm për mua që është 8 mijë lekë në muaj, për 2 orë në ditë, por që një pjesë të detyrave i përfundojmë kur unë kthehem nga puna. “Tashmë unë e shikoj të nevojshme një kurs anglishteje, por ndoshta edhe një kurs tjetër për shkencat ekzakte, por nga ana tjetër më duhet të ndjek edhe pasionet e saj, pasi në fund të fundit ajo është ende fëmijë. Në total, ndonëse unë e kam në shkollë publike, për t’i plotësuar disa nevoja minimale mua më duhen rreth 20 mijë lekë (të reja) në muaj. Dhe pasi kam harxhuar të gjitha këto para shpeshherë gjendem duke e pyetur veten: po përse dreqin po punoj? Po harxhoj para për edukimin e fëmijës, por ende nuk kam gjetur një formulë që të justifikojë këto para të harxhuara. Në fund të ditës, vajza pasi ka bërë 4 ose 5 orë mësim në shkollë, ka bërë detyrat me mësuesen privatisht rreth 2 orë, unë vij në shtëpi e kontrolloj dhe në shumë raste del që nuk i ka përfunduar të gjitha, kështu që na duhet edhe një ose dy orë të tjera. Vajza është e demoralizuar dhe normalisht kjo ndikon edhe tek rezultatet dhe dëshira për të mësuar”, thotë gazetarja. Ajo gjykon që sistemi ynë arsimor është ende larg asaj si duhet ta përgatisim fëmijën për të ardhmen, dhe e ka të madhe dilemën: “Nëse është më mirë për të hequr dorë nga puna dhe për t’u marrë vetë me edukimin e fëmijëve të mi!”

Çfarë thotë INSTAT?
Situata e mësipërme e dy familjeve nuk pasqyrohet në të gjithë realitetin shqiptar. Sipas Institutit Shqiptar të statistikave, shpenzimet që bëhen për arsimin nga një familje në vend zënë vetëm 4.4% të totalit të buxhetit mujor. Konkluzioni është arritur përmes Anketës së Buxhetit të Familjes. Sipas kësaj ankete, gjatë vitit 2016, një familje shqiptare ka shpenzuar për arsimin një shumë prej 3.207 lekësh nga buxheti mujor prej 73.143 lekësh. Krahasuar me vitin e kaluar, shpenzimet që familjet shqiptare kanë bërë për arsim janë dyfishuar. Por sërish, ky zë është shumë i ulët krahasuar me grupet e tjera, për të cilat familjet i shpenzojnë paratë. “Në vitin 2016, shpenzimet mesatare mujore për konsum të një familje, të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona janë 73.143 lekë. Shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4.4 % të buxhetit gjithsej kanë pësuar rritje prej 2.3 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. Peshën më të madhe e zënë pagesat në lidhje me kategorinë ‘Master (niveli i parë dhe i dytë)”, 68.3 %”, theksohet në Anketën e Buxhetit të Familjes.

Sabina Veizaj, Ekonomix.al
Sigal