Pasaportat biometrike “ku thërret kiameti” për emigrantët në Durrës!

613
Sigal

Mbi 150 persona në ditë presin të aplikojnë në çdo rajon, por ndërprerjet e internetit dhe dritave shtojnë radhët

Emigrantët durrsakë të kthyer për pushime në vendlindje, prej 15 ditësh janë të detyruar të ngrihen në mesnatë për të zënë radhë në zyrat e aplikimit që funksionojnë për të gjithë rrethin e Durrësit për pajisjen me dokumente biometrike identifikimi. Janë mbi 150 persona në ditë që presin të aplikojnë, në çdo rajon, por ndërprerjet e internetit, të dritave radha e madhe numri i lartë i dokumenteve që  i ka lënë në pritje prej 10 ditësh, shtojnë radhët. Pavarësisht nëse qytetarët kanë prerë kupona për aplikimin e përshpejtuar atyre iu duhet të presin në radhë ashtu si edhe aplikantët e zakonshëm ndërsa edhe për aplikim të përshpejtuar duhen jo më pak se 7 ditë për të marrë pasaportën.

Kushtet skandaloze

Sikur të mos mjaftonte pritja në radhë të gjata në godinën, ku është vendosur zyra e aplikimit nuk ka asnjë kusht, ku në pak metra katror qëndrojnë në temperatura përvëluese më shumë se 150 vetë, shumica, e të cilëve fëmijë dhe të moshuar për të tërhequr pasaportat e prodhuara. Në të njëjtën godinë bëhet edhe dorëzimi i dokumenteve në polici, duke bërë që herë pas here ambulanca dhe mjekët të kalojnë për të marrë njerëzit që asfiksohen nga vapa e madhe dhe kushtet e rënda.

Situata

 Mbi 150 persona kanë zënë radhën që në orët e para të mëngjesit në të vetmen zyrë të shpërndarjes së pasaportave biometrike në qytetin e Durrësit. Janë kryesisht emigrantë që kërkojnë të kthehen sa më shpejt në vendet e tyre të punës, por që bashkë me radhët e gjata në aplikim duhet të kalisin edhe  durimin për të marrë pasaportën biometrike. Emigrantët shprehen se numri i madh i aplikantëve është përballur vetëm në një sportel ndërsa të shumta janë shqetësimet që ngrenë përsa i përket kohës së prodhimit të këtyre dokumenteve biometrikë.

Mungon infrastruktura

Shqetësimi i tyre i madh është se në këtë zyrë janë paraqitur edhe me fëmijët e vegjël, për të cilët nuk ka kushte qëndrimi dhe duhet të rrinë në të nxehtë së bashku me prindërit e tyre, për të pritur  ndërsa nuk është vënë asnjë punonjës  shtesë.  Qytetarët durrsakë, kërkojnë  që  të punojnë më shumë punonjës, për të përballuar fluksin e njerëzve që kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike apo karta identiteti. Kompania franceze që ka fituar tenderin për prodhimin e dokumenteve biometrikë.  Mesatarisht çdo javë shiten rreth 3 mijë kuponë për pasaporta biometrike, duke bërë që  kërkesa e lartë të shkaktojë dyndje në zyrat e aplikimit.

Kërkesat

Emigrantët i kërkojnë strukturave përkatëse të rrisin numrin e sporteleve në zyrat e aplikimit dhe të shpërndarjes, pasi 2 persona dhe një zyrë, nuk mund të përballojnë kërkesat e larta të shpërndarjes së dokumenteve biometrikë. Prej ditësh në të vetmen zyrë të shpërndarjes së  dokumenteve biometrikë radha është shumë e gjatë. Nën të nxehtin e gushtit, së bashku me fëmijët ata janë të detyruar të presin në radhë të gjata që nisin që prej orëve të para të mëngjesit për të marrë dokumentin biometrik.

Fakte dhe dëshmi tronditëse

Në familjen e 45-vjeçarit, Fiqiri Muça. Babai: “Nuk ua falim gjakun”!

Durrës- Versioni, sipas të cilit viktima 18 -vjeçare, Nazime Visha vrau përdhunuesin e saj, Fiqiri Muçën duket se nuk është e vërteta përfundimtare e krimit të ndodhur në Kërrabë. Familjarët e Fiqiri Muçës, të cilët gjenden në fshatin Kullë, të Bashkisë së Manzës, kanë hapur dyert e mortit. Për të gjithë tragjedinë që u ka ndodhur deklarojnë se nuk do ta falin gjakun e 45-vjeçarit. Gruaja e Fiqiriut, Mynyre Muça së bashku me 5 fëmijët, në një varfëri ekstreme, deklaroi se Nazimeja po luan rolin e viktimës duke e akuzuar si joshëse të 45-vjeçarit, duke argumentuar se më së miri këtë e ka zbardhur celulari, i burrit të saj, viktimë e një makinacioni të ndërmarrë nga tre vëllezërit Visha dhe familjarët e tyre, me qëllim që të mbulonin ato çfarë bënte vajza e tyre. “Për aq kohë sa burri im të jetë nën dhe atje mbi atë kodër, ku e varrosëm dje, aq kohë të qëndrojë edhe ajo në burg. Ne pamë 250 sms, në celularin e burrit, ku Nazmiut i kërkonte të shkonte dhe ta merrte në Kërrabë. Ajo është bërë shkak për të gjithë këtë gjëmë duke lënë edhe 5 fëmijët e tij jetimë. Në media thuhet se ai e ka përdhunuar, por shikoni se çfarë i thotë në sms, Nazmia. “Eja dhe më merr. Kam mbetur 30 kile, eja dhe ikim bashkë, ku të duash ti. Martohemi të dy!”, kështu deklaron Mynyre Muça bashkëshortja e viktimës. Prindërit dhe të afërmit e Fiqiriut deklarojnë se, nuk do ta falin gjakun e djalit të tyre. Në shtëpinë e varfër të 45- vjeçarit ka rënë zija dhe kuja. Ata shprehen se miqtë e tyre nuk u kanë ardhur për ngushëllim, e aq më pak nuk i kanë telefonuar.

Zyber Muça: “Ajo i bënte presione vetëvrasjeje djalit tonë”

“Për vijimin e miqësisë duhet të vijnë dhe të flasim, sepse kemi nipër të përbashkët”, shprehet Zyber Muça. “Nuk kishin pse ta vrisnin, se jemi miq, por tani do ta rishikojmë pozicionin tonë, u kemi kërkuar disa herë të vijnë dhe të flasim, që nëse kishte faj djali ynë e vrisja me duart e mia dhe nëse kishte faj vajza e tyre ta vrisnin me duart e tyre, e jo të vrisnin tim bir! Unë nuk do t’jua fal gjakun, për më tepër që vajza e tyre është nuse në derën tonë e kemi nip të përbashkët. Jo vetëm që nuk na kanë ngushëlluar, por nuk i kanë rënë as telefonit, ndërsa nëpër media shpifin e shpifin pa fund. Prova e gjallë janë 250 sms, që i ka dërguar djalit tonë vajza e tyre, duke i bërë edhe presion se do të vetëvritej dhe do të shkruante letër akuze për djalin tonë”.

Do të përgatiten për t’u certifikuar si ushtarë profesionistë 230 meshkuj dhe 30 femra

Starton stërvitja në bazën e NATO-s në Bunavi të Vlorës

Në bazën e NATO-s në Bonavi të Vlorës, ka startuar stërvitja bazë për të përgatitur ushtarët profesionistë, kontingjent që përbëhet nga 230 djem si dhe 30 femra. Gjatë 10 javëve, ushtarët e përzgjedhur, të parët të këtij lloji në Bonavi, do të përgatiten për të shërbyer, në Irak, Afganistan dhe në zona të tjera të nxehta si dhe në emergjencat civile. Forcat e Armatosura në Shqipëri, po kalojnë një realitet të ri, për të krijuar një mentalitet të ri në punë dhe stërvitje, për të vendosur standardet bashkëkohore.

Ceremonia

Duke e konsideruar një event të rëndësishëm, një hap të madh, fillimin e përgatitjes së ushtarëve profesionistë, është organizuar një ceremoni, ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare. I pranishëm ka qenë Shefa të Shtabit të Përgjithshëm Xhemal Gjunci, Kolonel Kujtim Rustemaj, komandanti Askerd Meraj, të cilët folën për rëndësinë e kësaj stërvitjeje, që starton me këtë kontingjent kursantësh. Në qendër të ligjëratave, ka qenë forcimi i ushtrisë profesionistë shqiptare, marrja e përgjegjësive profesionale në forcat e NATO-s në operacionet luftarake brenda dhe jashtë vendit. Gradat e larta të ushtrisë, që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni të parë të këtij lloji në Bonavi, janë shprehur se kursantët do të stërviten përmes një programi intensiv, nga një personel trajnues i standardit të lartë. Kjo është një stërvitje selektive certifikuese, çka do të thotë se, kualifikohen vetëm ata kursantë që arrijnë standardet dhe se certifikimi fitohet me djersë, mund e stërvitje intensive. Bunavia ofron të gjitha resurset, si poligonet, baza materiale, duke pasur të gjithë kohën në dispozicion për përgatitje.

Z.Luka