Pallati 11-katësh, Bashkia padit Bicin e IMKT: Bëri kallëzim të rremë

473
Sigal

TIRANE – Këtë të premte Bashkia e Tiranës kallëzoi penalisht në Prokurori  drejtoreshën e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit  Dallëndyshe Bici, me pretendimin se ka bërë “kallëzim të rremë”. Kjo padi i referohet kallëzimit që kreu i IMKT-së bëri një javë më parë ndaj kryebashkiakut Lulzim Basha dhe kreut të INUV-it të Tiranës Florenc Hoxha për pallatin që po ndërtohet pranë shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.
 
Sipas Bashkisë së kryeqytetit, leja e miratuar për pallatin 11-katësh është në përputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit. Sipas IMKT-se leja eshte e paligjshme pasi nuk respektohen hapesirat mes shtepise se Femijes dhe shkolles se Gjuheve te Huaja, ne rrugen e Elbasanit. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës thotë se Bici nuk ka prova në akuzat e saj ndaj dhe e ka çuar në Prokurori për kallëzim të rremë.
 
Në një njoftim zyrtar të Bashkisë së Tiranës, risillet në vëmendje se padia ndaj Bicit i shtohet kallëzimeve të tjera të zyrtarëve të lartë, siç është ai për ministrin e Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, për të cilin Bashkia pretendon se po ndërton pa leje. Kallëzimi tjetër është bërë më herët po nga Bashkia ndaj ministrit të Financave Shkëlqim Cani, pasi sipas Bashkisë, ministri ka bllokuar prej një viti pagesat ndaj dy kompanive të cilat po punojnë për projektin e Bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. 
 
“Për bllokimin e punimeve në bulevardin e ri të Tiranës është në proces gjykimi dhe ish-kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Zyhdi Dajti”, përfundon njoftimi i bashkisë së kryeqytetit.