Nis trajnimi i komisionerëve, për zgjedhjet. KQZ apel partive, për të plotësuar emrat

167
Pavarësisht mungesave të shumta të komisionerëve të zgjedhur nga partitë, nga nesër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë zbatimin e skemës së trajnimit, e cila i është vënë në dispozicion të gjitha KZAZ-ve, partive politike që propozojnë anëtarët e KQV-ve dhe misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it.

KQZ ndryshe nga vitet e tjera, ka parashikuar që trajnimi do të zhvillohet në oraret e pasdites, 16.00-18.30, me qëllim për të shmangur pengesat që vijnë nga Task Forca, për të marrë pjesë në trajnim.

Trajnimet do të zhvillohen në ambientet e shkollave, gjë e cila u arrit në sajë të bashkëpunimit të suksesshëm me Ministrinë e Arsimit.

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxha tha se ka një reflektim të partive pas apelit të një dite më parë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek në dinamikë situatën sa i përket emërimeve të anëtarëve të KQV. Pas apelit të një ditë më parë, ka reagim pozitiv nga ana e partive politike, por ende vijojmë të kemi KZAZ pranë të cilave nuk janë depozituar propozimet komisionerë të QV-ve”, deklaroi sot ajo.

KQZ ripërsëriti apelin për partitë politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme të gjithë propozimet për komisionerët e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-ve përkatëse.

Njëkohësisht apeli shkon edhe për komisionerët, të cilët pjesëmarrjen në trajnim e kanë detyrim të ngarkuar nga Kodi Zgjedhor.