Nis pelegrinazhi tradicional disaditor i bektashinjve në malin e Tomorit

1263
Pelegrinazhi masiv disaditor në malin e Tomorit është një ngjarje e shënuar jo vetëm për miliona bektashinj në Shqipëri e mbarë botën, por për qindra mijë pelegrinë që çdo muaj gusht marrin udhë e udhëtojnë drejt këtij vendi të shenjtë. Edhe për këtë vit në pelegrinazhin që nis nga data 20 deri më 25 gusht, Kryegjyshata Botërore e bektashinjve ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij riti të veçantë. “Prej kohësh, ne kemi organizuar punën dhe kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për kushte sa më të mira në ditët e pelegrinazhit. Ashtu sikundër ka ndodhur nga viti në vit, ku numri i pelegrinëve vjen në rritje, masat tona do të jenë më të plota dhe efektive. Në datën 22 gusht, siç është bërë traditë, zhvillohet dhe ceremonia përkatëse. Sipas konfirmimeve, në këtë pelegrinazh, përveç besimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Diaspora, besimtarëve nga shumë shtete të Europës e SHBA, priten dhe funksionarë të lartë shtetëror e krerë të besimeve të ndryshme fetarë”- pohon mes të tjerave për “Telegraf” Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. 

Historia e pelegrinazhit në Tomor 

Në malin e Tomorit, sipas studiuesve të hershëm ishte një tempull para ilir ku “jetonin perënditë” e drejt saj vërshonin banorë nga gjithë Evropa, të cilët flinin në qiell të hapur, në pritje për të mësuar të fshehtat e motit, të natyrës apo të fatit të tyre, për shëndet, ekonomi, shërimin e sëmundjeve të ndryshme, për suksese në luftë etj. Homeri në veprën e tij “Iliada” shkruan:… O Zot, mbret i dodonave pellazgjike. Që banon në ato vende të largëta e sundon mbi dodonën dimërkeqe, këmbëzbathur e gjumëpërdhese! Vetëm Tomori mund t’i përmbush të gjitha të dhënat e përshkrimit Homerik në këto vise ku është Tomori. Nga autorët antikë Plini, Sekundi, Theopompi, Tomori është përmendur me emrin Tomerum dhe Talar, së bashku me “njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij”. Por, thëniet e historishkronjësve të vjetër në librin e P. Aravantioit, për Dodonën e Tomorin, botuar në Janinë më 1859 konfirmojnë se “ Dodona ishte qendër pellazge parahelenike, shumë më e vjetër se gjuha, perënditë dhe mitologjia greke. Si e tillë ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet objektiv e kanë pranuar. Jo rastësisht bektashinjtë në Tomor, që nga lashtësia në antikitet, mesjetë e deri më sot drejtojnë pelegrinazhin tradicional. Emri i këtij mali është quajtur nga poetët e mëdhenj “Mali i Perëndive” dhe se është vend i shenjtë nga besimet më të lashta. Emri Tomor shpjegohet nga fjala “të mirët”. Osman Myderizi, Baba Ali Tomori japin të dhëna historike për pelegrinazhin në malin e Tomorit të drejtuar nga bektashinjtë qysh nga shekulli XV. Kujdesej në këtë periudhë nga teqeja e Vokopolës që ishte qendër e Skraparit, hershmëria e përhapjes së bektashizmit në këtë zonë e ka favorizuar edhe rruga e korridorit Berat – Uji i Zi – Këlcyrë – Janinë si një degëzim i Egnatias, i rrahur nga romakët, bizantët dhe osmanët. Në popull njihet me emrin ”Udha e Karvanit”. Poeti i madh shqiptar i shekullit njëzetë, Naim Frashri shkruan: “Abaz Aliu zu Tomorë/Erdhi afër nesh/ Shqipëria s’mbetet e gjor/Se Zoti e desh”. Dervish Iliazi ngriti në Kulmak teqenë e famshme në nderim të Çukës së Tomorit, ne vitin 1916. Mali i Tomorit është “Park Kombëtar” kurse tyrbja e Abaz Aliut, është shpallur monument i kulturës. Këtu sipas traditës bektashiane bëhet rituali për të vizituar tyrben, lutjet, ndezja e qirinjve dhe dhuratat e paracaktuara, therja e kurbanit, qengj, dash, gjel, bëhesh pjesë e këtij manifestimi tradicional, në dashurinë njerëzore, për vëllazërim e paqe, qetësi e kërkon mëshirë ndaj Krijuesit. Pelegrinët përulen me respekt në këtë mal të shenjtë. Simbolika e festës në ditët e Tomorit 20-25 gusht i përvitshëm, tashmë është kthyer në një traditë mbarëkombëtare. Besimtarët dhe jo besimtarët vijnë aty për pelegrinazh të bëjnë ziaret jo vetëm nga krahinat e ndryshme të shtetit amë, por edhe trojet etnike shqiptare apo nga Diaspora. 

Teqeja e Kulmakut

Teqeja e Kulmakut është ndërtuar për herë të parë rreth viteve 1908, nga besimtarë vendas. Ishte një dervishije me dy dhoma me mur guri poshtë Çukës së Tomorit ose qafa e rrugës për Abaz Ali. Në pranverën e vitit 1914, andartët grekë bënë reprezalje në drejtim të objekteve të kultit bektashianë, duke djegur e shkatërruar dhjetëra teqe në jug. Këtyre reprezaljeve nuk u shpëtoi dot as dervishija, poshtë Çukës Abaz Ali, e cila u shkatërrua nga themelet. E ringriti dhe e themeloi teqenë e re më poshtë dervishijes në pllajën e Kulmakut 100 vjet më parë dervish Iljazi i famshëm në vitin 1916. Ndërtimi i saj i plotë me dy kate i ngjante një kështjelle. Teqeja u ndërtua në shërbim të tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë. Sot kjo teqe është rindërtuar pas viteve ’90, dykatëshe, me mjedise të mëdha dhe në datat 20 – 25 gusht të çdo viti pret mijëra besimtarë bektashianë nga Shqipëria, Diaspora, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia e deri nga SHBA.

Gjurma e Abaz Aliut

Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën se si ka ardhur Abaz Aliu në Tomor. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në Dërrasën e Kajcës, kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”. Ato u kthyen në legjendë të figurës madhore të kryeheroit të Qerbelasë. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorit ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu si luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë Tomor. U përjetësuan vlerat e tij njerëzore dhe universale.
Përgatitën: N. Çuni, S. Xhelaj, K. Boriçi
Sigal