Nis abuzimi me çmimet e trageteve

248

DURRËS/ Rritja shkon deri në 30%. Pasagjerët: Sustat e shqyera në krevate, na ofrohen për kabina të klasit të parë!

Janë 600 franga zviceriane për katër vetë, 2 të rritur e dy fëmijë, nga Bari në Durrës dhe anasjellatas, kjo është e patolerueshme, sepse me këtë çmim  ofroheshin krevate me susta të shqyera dhe dyshekë copë- copë, ndërsa çarçafët ishin për faqe të zezë. Më e keqja akoma është se na kanë lënë dy orë në radë duke pritur që të hynte trageti për në Durrës”, kështu shprehen me qindra emigrantë në pikun e mbërritjes së pasagjerëve në Portin e Durrësit. Abuzmet me çmimet e biletave, por edhe kushtet mizerabël i ngrenë pjesa me e madhe e atyre pasagjerëve që kanë zgjedhur të lundrojnë me tragete nga portet italianë drejt Durrësit dhe anasjelltas.  “Nuk kishte asnjë kusht minimal në traget, papastërti e madhe dhe kabina tejet të papastra, çmimet shumë të larta, abuzim fare hapur. U detyruam e prenotuam nëpëmjet internetit biletën dhe çmimet janë katastrofë. Erdha nga Londra dola në Francë, në Itali dhe nuk më kushtoi i gjithë udhëtimi sa bileta Bari – Durrës, me tragete që nuk ofrojnë as kushtet minimale. Si i kanë futur në këtë linjë, sepse as siguri nuk mund të kenë!”, shprehet një tjetër kryefamiljar, i cili jeton në Londër, por që kalon tranzit nga Porti i Durrësit drejt Kosovës.

Flet kapiteni i Portit të Durrësit, Hysni Aruçi

Kapiteni i Portit të Durrësit Hysni Aruçi deklaroi se licencimi i trageteve bëhet nga Ministria e Transporteve, e cila ka vendosur çmime tavan, çka do të thotë, se mbi këtë çmim asnjë prej kompanive nuk mund të presë bileta, as për pasagjerët dhe as për mjetet, ndërsa nëse i ulin çmimet, ato do të tarifohen, për çmimet tavan të parapërcaktuara në kontratën e lidhur. “Licencimi i tyre bëhet nga Ministria e Transporteve, por njëkohësisht aplikojnë edhe tek  Drejtoria e Përgjithshme Detare. Në fillim lidhin një kontratë me Autoritetin Portual dhe më pas me dokumentacionin teknik të anijeve, të pronësisë etj., dorëzohen tek Drejtoria e Përgjithshme Detare. Nëse dokumentacioni është i plotë i përcillet Ministrisë së Transporteve dhe kjo e fundit jep lejen e ushtrimit të aktivitetit. Së fundi ka hyrë një kompani e re, që ka një traget dhe ka ardhur nga linja e Vlorës, me të gjithë dokumentacionin e duhur. Tragetet janë të gjithë me qira nga operatorët e lundrimit”, tha Aruçi.

 Zoti Aruci tragetet që operojnë, sa i përmbushin standardet e lundrimit? A është bërë kontrolli i këtyre mjeteve lundruese përsa i përket sigurisë së lundrimit? Çfarë moshe kanë tragetet që operojnë në linjat e Durrësit me Italinë?

Tragetet janë të viteve të prodhimit ‘75- ‘85. Të gjithë tragetet plotësojnë kushtet e lundrimit, sepse kontrollohen nga italianët. Ata kanë kontrolle të rrepta. Linjat tona janë me shtete komunitare si Italia,  dhe ata janë të rreptë në këtë drejtim. Nëse një mjet nuk plotëson kushtet ata nuk të japin certifikatat për kontrollin teknik, nëse një mjet vjen me certifikata kontrolli të bardha nga shteti italian atëherë lejohet nga institucionet tona të ushtrojë veprimtarinë.

 Sa të mbrojtur janë kompanitë që operojnë gjatë gjithë vitit?

Çmimet janë tavan të vendosura në kontratën dhe licencimin që u bëhet nga Ministria e Transporteve për sezonin e ulët dhe sezonin e lartë. Me sezon të ulët nënkuptohet çmimi gjatë muajve të vitit normal, ndërsa me sezon të lartë në sezonin e dimrit dhe të verës kur shënohet fluks. Asnjë prej kompanive nuk mund të marrë më shumë se çmimin e biletës të përcaktuar në kontratë, sepse në rastin më të parë të konstatimit, penalitet janë shumë të rënda. Kjo është konkurrenca, brenda këtyre çmimeve të përcaktuara në 5 kategori të ndara, kompanitë mund të thithin tregun e pasagjerëve dhe të transportit të mallrave. Ashtu si për pasagjerët edhe për mjetet çmimet janë të ndara në 5 kategori, me kabinë, të klasit të parë, të dytë të tretë, pa kabinë, në poltron dhe biletë e thjeshtë që do të thotë në karrige. Bileta, nga e thjeshta deri tek e klasit të parë varijon 29 euro vajtje ardhje deri në 107 euro.

Kompanitë

Në Durrës operojnë 6 kompani lundrimi, por 5 ushtrojnë aktivitetin, për shkak se një kompani me pronarë vendas i ka dy tragetet në remont dhe pritet që brenda pak ditësh të nisë sërish aktivitetin . Kompanitë në total kanë 12 tragete, ku pjesa më e madhe e tyre janë marrë me qira nga vende të ndryshme, kryesisht të komunitetit Europian.  11 tragete ushtrojnë aktivitetin në linjën Durrës – Bari dhe një traget në linjën Durrës – Ankona. Mesatarisht në sezonin veror në Durrës vijnë çdo ditë tre tragete, ndërsa në fundjavë numri i tyre dyfishohet. Specialistët e agjencive të udhëtimit pohojnë se rritja e çmimeve ka nisur dhe udhëtarët që preferojnë të udhëtojnë me tragete, mund t’u drejtohen porteve italiane me çmime deri 30% më të larta, krahasuar me një muaj më parë. E njëjtë paraqitet situata edhe për transportuesit e mallrave.