Ambasada Britanike në Tiranë dhe KQZ prezantuan raportin “Vota ime vlen”: Sfidat dhe rekomandimet për rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje për gratë, pakicat etnike dhe të rinjtë

140
Sigal

Raporti elektoral „Vota ime ka rëndësi“ u publikua në Parlamentin Shqiptar dhe sugjeroi që palët politike, mediat dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vijojnë të mos pengojnë grupet e margjinalizuara nga përfshirja në politikën në Shqipëri.

Shqipëria ka popullatën më të re në Evropë, 22.7% të popullatës në 2021 në moshën 15-29 vjeç. Megjithatë, raporti i sotëm tregon se të rinjtë në Shqipëri ndihen të përjashtuar nga politikat duke qenë se politikanët dhe partitë politike nuk komunikojnë me ta rreth ndikimit të politikave të tyre te çështjet që janë të rëndësishme për ta.

Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por janë më pak të prirura për të votuar se burrat. Një e pesta e tyre mendojnë se politika „nuk është për to“. Kjo thellohet edhe më shumë nga kandidatët dhe partitë që nuk angazhohen me gratë për çështjet e politikave që kanë rëndësi për to, cka e bëjnë zërin e tyre të mos dëgjohet.

Raportet përllogarisin se komuniteti Rom në Shqipëri numëron rreth 50.000 votues, por mungesa e informacioneve partiake dhe për kandidatët në gjuhën rome, sikurse dhe praktikat shtrënguese të kandidatëve të blerjes së votave nuk i lejon votuesit potencialë romë të marrin pjesë lirisht në zgjedhje.

Alastair King-Smith, ambasadori britanik në Shqipëri, tha:

“Gratë, të rinjtë dhe pakicat po humbasin të drejtën e tyre demokratike për të votuar për shkak të mungesës së angazhimit nga partitë politike – të cilat nga ana e tyre po humbasin vota në çdo zgjedhje.

Ky raport na tregon se këto grupe që përfaqësojnë thuajse tre të katërtat e elektoratit shqiptar, ndihen të injoruar dhe të përjashtuar nga periudhat zgjedhore.

Ka ardhur koha që partitë, përtej spektrit politik, mediat dhe kandidatët individualë të marrin masa, bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të sjellë ndryshimet e nevojshme me urgjencë.

Mesazhi im sot për të gjitha partitë është i thjeshtë – ju lutem, konsideroni integritetin dhe gjithëpërfshirjen zgjedhore, sepse zgjedhjet lokale po afrohen me shpejtësi.

Dhe ju lutem kthejeni zotimin për politika më gjithëpërfshirëse në një realitet të prekshëm dhe në jetët e shqiptarëve të thjeshtë.

Nxis çdo kandidat që të zotohet publikisht të mos blejë vota nga komunitetet e cënueshme dhe të përdorë praktika të drejta gjatë fushatës që të sigurojnë drejtësi dhe akses të lirë për të gjithë qytetarët në zgjedhje.

Kryetarja e Komisionit Rregullator të KQZ-së, Ilirjana Nano, tha:

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mirëpret këtë raport, i cili thekson se fushat e përmirësuara tashmë nga KQZ-ja – duke përfshirë zhvillimin e një fushate dhe programeve informuese që synojnë drejtpërdrejt këto grupe minoritare për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 2023 – por edhe nevojën për përmirësime të gjithanshme.

I ftojmë të gjitha partitë politike, kandidatët individualë dhe mediat që t’i marrin parasysh këto rekomandime dhe ndryshimet që mund të bëjnë për t’u siguruar gjithë shqiptarëve se kanë zërin dhe interesat e tyre në çdo proces zgjedhor.“

Një anketë, së cilës i referohet raporti, tregon se:

  • Më pak se gjysma (vetëm 46%) e 18-24-vjeçarëve synojnë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, krahasuar me 68% të popullsisë së përgjithshme.
  • 63% e grave synojnë të votojnë, krahasuar me 72% të burrave.
  • 58% e romëve synojnë të votojnë, 44% e maqedonasve dhe 75% e pakicës greke. Kjo, krahasuar me 68% të popullsisë së përgjithshme.
  • Gati 1 në 5 gra thonë që nuk luajnë ndonjë rol në politikë dhe ua lënë politikën anëtarëve të tjerë të familjes.

Rekomandimet për auditim

Raporti rekomandon që politikanët, partitë, mediat dhe Komisioni Qendror Zgjedhor në Shqipëri t’i angazhojnë më shumë këto grupe të mëdha në zgjedhjet e ardhshme.

Rekomandimet për partitë dhe kandidatët politikë përfshijnë:

  • Të gjitha partitë të bëjnë një manifest, sipas një modeli të paracaktuar, që planet e politikave të tyre dhe çështjet themelore të mund të krahasohen, ndahen dhe përkthehen lehtë për të gjithë publikun.
  • Kandidatët të përcaktojnë pesë politikat ose prioritetet më me rëndësi në mënyrë të rregullt që të mund të ndahen dhe krahasohen lehtësisht.
  • Partitë të zhvillojnë sesione të moderuara pyetjesh-përgjigjesh mes kandidatëve të tyre dhe komuniteteve të pakicave, me interpretët e nevojshëm që të mundësojnë dialog të dyanshëm midis kandidatëve dhe votuesve.
  • Sesione pyetjesh-përgjigjesh midis kandidatëve të partive dhe të rinjve, që këta të fundit të mund të bëjnë pyetje për temat dhe politikat që u interesojnë.
  • Partitë politike të zhvillojnë „manifeste rinore“ ku të theksojnë trajtimin nga politikat e tyre të çështjeve thelbësore për të rinjtë.
  • Partitë të angazhohen kundër blerjes së votave, dhe kandidatët individualë të zotohen publikisht të mos blejnë vota nga komunitetet e cenueshme dhe të përdorin praktika të drejta fushatash zgjedhore.

Rekomandimet për median përfshijnë:

  • Të krijojnë përmbajtje të lehta për t’u kuptuar në mediat tradicionale dhe ato sociale që qytetarët t’i kuptojnë më mirë dallimet midis partive politike gjatë periudhës zgjedhore, për shembull grafikët/diagramet/tabelat që përdoren gjerësisht në vende të tjera.
  • Sesione televizive pyetjesh-përgjigjesh me kandidatët, ku bëhen të njëjtat pyetje, në mënyrë që qytetarët të mund t’i kuptojnë lehtësisht dallimet midis politikave.

Raporti rekomandon që KQZ-ja:

  • Të krijojë programe sensibilizuese që synojnë të rinjtë dhe pakicat.
  • Të ofrojë informacion për regjistrimin dhe informacione të tjera zgjedhore në gjuhët e pakicave.
  • Të krijojë fushata ndërgjegjësuese që synojnë gratë, të rinjtë dhe pakicat, për zgjedhjet lokale në pranverë 2023.

Të rinjtë, gratë dhe qytetarët romë në studim ndanë përvojat e tyre me përfshirjen nga kandidatët dhe partitë politike gjatë zgjedhjeve. Raporti zbulon se:

  • Të rinjtë thanë se çështjet më urgjente për ta përfshijnë krizën e kostove të jetesës, mjedisin, migrimin e të rinjve shqiptarë, homofobinë dhe pabarazinë gjinore, por nuk kanë mundësi që ta bëjnë të dëgjohet zëri i tyre dhe të bëjnë ndryshimet që duan. „Zëri ynë duhet të merret parasysh dhe t’i jepet hapësira që meriton…së bashku mund të zgjidhim çdo problem,“ mashkull, 15 vjeç, Tiranë.

  • Të rinjtë ndihen të injoruar nga partitë dhe kandidatët, por janë të dhënë pas politikës. „Mësova që duhet të ngremë zërat dhe që vota jonë është shumë e rëndësishme. Nëse përpiqemi sa duhet, mund të ndryshojmë botën,“ femër, 18 vjeç, Shkodër.
  • Gratë mendojnë se politikanët nuk ndjekin politika që të përmirësojnë jetën e tyre të përditshme, gjë që i ka bërë të mos angazhohen në politikë dhe të humbasin besimin te partitë politike. „Gjithçka që mbajmë mend janë premtimet e pambajtura që janë bërë,“ tha një pjesëmarrës nga Shkodra në studimin për gratë.

  • Gratë në zona rurale përballen me mungesa të mëtejshme lidhur me votimin. Kandidatët që u bëjnë premtime familjeve në shkëmbim të mbështetjes – zakonisht burrit të familjes – kufizojnë mundësinë e grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes që të votojnë sipas vullnetit të tyre. Disa gra gjatë këtij studimi thanë se shumë pak gra në fshatrat e tyre votojnë vetë. Një grua nga Shkodra tha që „burrat e tyre mund t’i pengojnë gratë“.
  • Gjuha është pengesë e rëndësishme për pjesëmarrjen në zgjedhje të komunitetit rom, për shkak të mbizotërimit të analfabetizmit, njohurive të pakta në shkrim/lexim dhe shqip. Informacioni për kandidatin dhe partinë nuk ofrohen në gjuhën rome ose në formate të aksesueshme nga persona me mangësi në shkrim/lexim.
  • Popullata rome përjeton presion për të votuar për kandidatët para dhe gjatë ditës së votimit, zakonisht me blerje votash dhe shtrëngim. Një pjesëmarrës në studim tha që „shpesh, kërcënohemi të votojmë për një kandidat të caktuar“ kur shkojmë drejt qendrave zgjedhore dhe shumë prej tyre raportojnë se nuk i marrin fëmijët në qendrat zgjedhore sepse druhen për sigurinë e tyre.
  • Edhe grupe të tjera pakicash në Shqipëri, si komunitetet greke dhe maqedonase, përballin pengesa të ngjashme për pjesëmarrjen në zgjedhje, por varfëria dhe margjinalizimi e bën komunitetin rom veçanërisht të cenueshëm nga kjo mënyrë shfrytëzimi – ku votat shkëmbehen për para, të mira apo punësim – për të cilën, një pjesëmarrës shprehu se „familjet e mëdha rome shihen si shënjestra nga kandidatët“.

Qëndresa qytetare punoi me KQZ-në për të mbajtur seminare në shkollë me 15-18-vjeçarët në gjithë vendin. Drejtori Rigels Xhemollari tha:

„Partitë politike duhet ta dinë se të rinjtë nuk janë e ardhmja, por e tashmja – dhe tani për tani ata e konsiderojnë të pavlerë votimin në klimën politike aktuale.

Ata besojnë te politikanët e tyre po aq sa dhe te Babagjyshi i vitit te ri, dhe mundësinë e ndryshimit në të ardhmen e shohin me cinizëm. Megjithatë, kur ndihen të përfillur dhe të fuqizuar, ata tregojnë shumë gatishmëri për t’u angazhuar dhe për të ofruar zgjidhje krijuese për probleme të vjetra.

Për të angazhuar të rinjtë shqiptarë mjafton të tregosh gatishmëri për t’i dëgjuar, dhe ka ardhur koha që politikanë ta bëjnë këtë. Të rinjtë janë grupi më i madh dhe në rritje i elektoratit. Vota e tyre ka peshë të jashtëzakonshme.“

Presidenti i qendrës së grave të Shkodrës „Light Steps“, Denada Shpuza tha:

„Nëse duam të sigurojmë stabilitet dhe të ardhmen e vendit tonë duhet të punojmë shumë për institucionet demokratike. Gratë duhet të jenë aktive, të dëgjohen dhe të jenë pjesë e këtyre institucioneve.

Gratë e Shkodrës mund të thonë e të bëjnë shumë. Gratë duhet të dëgjohen – sidomos gratë në zona rurale ku patriarkalizmi është shumë i theksuar dhe gratë nuk janë të lira të ushtrojnë të drejtat e tyre.“

Bledi Taho, Drejtor, Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IKRSh) tha:

„Në vitin 2022, a duhet të kenë prindërit frikë ta marrin fëmijën me vete gjatë ushtrimit të së drejtës për të votuar? A duhet që, kandidatët të cilët kandidojnë për përfaqësimin e komuniteteve tona, të kërcënojnë dhe shfrytëzojnë qytetarët e cenueshëm për vota?

Prej kohësh, racizmi ka penguar aksesin e pakicave në Shqipëri në procesin zgjedhor. Nevojitet një ndryshim urgjent dhe në shkallë të gjerë, me qëllim krijimin e hapësirave në çdo zgjedhje për personat romë dhe pakicat e tjera.

Ky raport tregon se shumë nga këto ndryshime janë tepër të thjeshta. Ato janë të mundura dhe duhet të kryhen.

Çdokush ka të drejtën të marrë informacionin e nevojshëm për të votuar, në një format tëkuptueshëm dhe të aksesueshëm për të, dhe kushdo duhet të jetë në gjendje të votojë pa iu druajtur shfrytëzimit apo frikësimit. A është vërtet kaq e tepërt të synohet diçka e tillë në vitin 2022?“

Sfondi

  • Raporti i disponueshëm në al/vota-ime-vlen
  • Vlerësimi për llogari të Ambasadës Britanike në Tiranë, në mars 2021 gjeti se synimi i popullsisë për të votuar ishte sa më poshtë:
  • Mesatarja e popullsisë: 68%
  • Gra: 63%
  • Burra: 72%
  • Mosha 18-24-vjeçare: 46%
  • Mosha 25-34-vjeçare: 65%
  • Mosha 35-44-vjeçare: 72%
  • Mosha 44-54-vjeçare: 74%
  • Mosha 55-64-vjeçare: 72%
  • Mosha: mbi 65 vjeç 80%
  • Romë: 58%
  • Grekë: 75%
  • Maqedonas: 44%
  • Këto statistika vijnë nga një anketë të porositur nga Shërbimi Qeveritar për Komunikimin Ndërkombëtar (ShQKN), për llogari të Ambasadës Britanike në Tiranë. Vrojtimi në terren u krye në mars 2021. Lexoni rezultatet e plota të anketës në https://kqz.gov.al/sondazh-parazgjedhor-2021-nga-ambasada-britanike/
  • Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IKRSh) vlerëson se komuniteti rom në Shqipëri ka 50.000 pjesëtarë që kanë arritur moshën e votimit.
  • Në seminaret sensibilizuese në shkolla të mbajtura nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe OJQ-ja Qëndresa Qytetare, nxënës 15-18-vjeçarë thanë se çështjet më urgjente për ta përfshijnë krizën e kostove të jetesës, mjedisin, migrimin e të rinjve nga Shqipëria, homofobinë dhe pabarazinë gjinore.
  • Edhe pse shumica e romëve flasin pak shqip, shumica nuk e përdorin në shtëpi si gjuhë kryesore, dhe shumë syresh e kanë shumë të vështirë të kuptojnë komunikime formale dhe të ndërlikuara në shqip, të tilla si komunikimet e partive apo kandidatëve politikë – 76% e votueseve romë raportojnë se kanë vështirësi me aksesimin e informacionit për kandidatët vendorë.
  • IKRSh-ja vlerëson se rreth 85% e romëve flasin gjuhën rome në shtëpi dhe se romët kuptojnë përgjithësisht rreth 60% të shqipes së folur, dhe nuk kuptojnë rreth 30% të shqipes formale në përmbajtje zyrtare.
  • Raporti përmbledh vlerësime në dy ngjarje studimore – një për gratë në Shkodër në nëntor 2021 dhe një për pakicën rome në maj 2022 – dhe në 15 vizita në shkolla gjithandej në Shqipëri, midis janarit dhe marsit 2022.
  • Raporti u shkrua nga Shërbimi Qeveritar për Komunikimin Ndërkombëtar (ShQKN), për llogari të Ambasadës Britanike në Tiranë. ShQKN-ja po punon me QKZ-në për të zhvilluar strategjinë e saj të komunikimit dhe angazhimit.