Ngjallet Krishti, besimtarët Ortodoksë në Shqipëri e në botë kremtojnë Pashkët

669
TIRANE – Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë. Në Tiranë mesha u mbajt në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” dhe u drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili mbajti liturgjinë e shenjtë që u ndoq nga qindra besimtarë.
Kryepeshkopi dha mesazhet e tij për besimtarëve ortodoksë në momentin e ringjalljes së Jezu Krishtit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e Perëndisë.
Besimtarët Ortodoksë në të gjitha kishat e vendit, qoftë edhe nga besime të ndryshme fetare kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. Nisja e ceremonisë së pashkëve, sjell si simbol dhe ngjyerjen e vezëve të pashkës me të kuqe, e cila tregon dhe traditën e hershme të kësaj feste. Flaka e ndezur simbolizon dhe Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. 
Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Korçë
Besimtarët ortodoksë në qytetin e Korçës kremtuan mesnatën e së shtunës duke u gdhitë e diela ringjalljen e Krishtit. 

Katedralja e qytetit dhe sheshi para saj u pushtuan nga mijëra besimtarë, të cilët me qirinj në duar dhe vezët e pashkës uruan njëri-tjetrin për më shumë begati dhe mirësi.
Festa vijon gjatë ditës së sotme ku besimtarët dhe qytetarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri.
Gjirokastër
Me dhjetëra besimtarë ortodoksë në Gjirokastër kremtuan ringjalljen e Krishtit në kishën e “Shën Mihajllos” në lagjen Varosh të qytetit të gurtë.
Meshës në natën e pashkëve iu bashkuan edhe drejtues të pushtetit vendor e lokal, të cilët në këtë natë të shenjtë për besimtarët ortodoksë së bashku me qytetarët e thjeshtë dhanë mesazhet përkatëse të urimit në këtë ditë të shënuar. 
Berat
Në natën e ringjalljes së Krishtit edhe katedralja e “Shën Dhimitrit” në qytetin e Beratit u tejmbush nga besimtarët ortodoksë, por edhe të feve të tjera për të kremtuar Pashkën. 
Me qirinj ndër duar por edhe me vezët e ngjyera me të kuqe besimtarë uruan njërit-tjetrin në këtë ditë të shënuar.
Lushnje 
Edhe besimtarët ortodoksë në qytetin e Lushnjes kanë festuar Pashkët, teksa kisha e “Shën Premtes” si kurrë më parë ishte pushtuar nga besimtarët.
Riteve fetare të kësaj feste të shenjtë vendosën t’i bashkoheshin edhe drejtuesit e pushtetit vendor dhe lokal të këtij rrethit, teksa ndaj këtyre të fundit nuk munguan edhe urimet për zgjedhjet e 21 qershorit. 
Elbasan
Kisha e “Shën Athanasit” në Elbasan në kuadër të festës së pashkëve ortodokse ka zhvilluar në pritje, ku të pranishëm ishin besimtarë të shumtë, të cilët uruan njëri-tjetrin. 
Sakaq në hyrjen e kishës u shkëmbyen edhe dy kandidatët për bashkinë e Elbasanit Qazim Sejdini i Partisë Socialiste dhe Ardian Turku i Partisë demokratike.
Dy kandidatët nuk i kursyen një shtrëngim duarsh dhe një urim njëri-tjetrin, teksa në këtë ditë të shenjtë uruan edhe besimtarët ortodoksë.
Fier
Pashkët Ortodokse janë kremtuar edhe në qytetin e Fierit. Në katedralen e qytetit ishin të pranishëm besimtarë të shumtë dhe drejtues të instancave vendore.
Urimet për më shumë begati e paqe ishin kryefjalë e kësaj natë.
Pashkët ortodokse u kremtuan edhe në Vlorë, Sarandë, Pogradec e Durrës.
Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet. 
Festa e Pashkëve, politika uron besmitarët ortodoksë shqiptarë 
TIRANE – Politika shqiptare ka shprehur urimet për Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Përmes një komunikate për shtyp, Presidenti Bujar Nishani ka uruar besimtarët ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodhen, duke u shprehur që vlerat dhe virtytet e kësaj feste të ruhen dhe përcillen përgjatë të gjithë vitit.
Edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta, nga Katedralja Ortodokse ka uruar të gjithë shqiptarët ortodoksë, duke e cilësuar këtë si një ditë të shenjtë për të tashmen dhe për të ardhmen.
Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha uroj shqiptarët për Festën e Pashkëve. Në fjalën e tij Basha uroi që e nesërmja të jetë më e mirë se e tashmja. 
Ndërkohë zëvendëskryeministri Niko Peleshi nga Mitropolia e Korçës uroi besimtarët ortodoksë shqiptarë, për më shumë mbarësi dhe shëndet për të gjithë. Një tjetër urim për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë ka ardhur edhe nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e cila ka shprehur urimin për më shumë mirësi në familjet shqiptare. 
Nishani uron Festën e Pashkëve besimtarëve ortodoksë shqiptarë
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë Festën e Pashkëve kudo ku ndodhen. Duke uruar sa më shumë paqe e begati në familjet shqiptare, Presidenti Nishani tha se kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë besimtarët ortodoksë e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit tek ringjallja e Krishtit.
Në urimin e tij Nishani kërkon që vlerat dhe virtytet që përcjell kjo festë të ruhen përgjatë gjithë vitit dhe të përçohen kudo për popullin shqiptar.
Sigal

Më poshtë urimi i plotë i Presidentit Nishani:

Të nderuar besimtarë ortodoksë shqiptarë! Dëshiroj sinqerisht që me rastin e Ditës së ringjalljes së Krishtit t’ju shpreh dhe t’ju përcjell, në emër të Institucionit që përfaqësoj si dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, urimet më të mira e të përzemërta për Festën e Pashkëve! Kjo ditë e shenjtë, e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit tek ringjallja e shenjtë e birit të vërtetë të Zotit sipas besimit tuaj të krishterë, tek ringjizja e vlerave dhe bindjes se sakrificat, vetëmohimi, virtytet dhe altruizmi në shërbim të njerëzimit na bëjnë më të mirë, na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë. Përkundrazi, ajo ringjallet dhe ripërtërihet duke u rinovuar me forca të reja dhe me më tepër besim në anën e mirë dhe pozitive të natyrës njerëzore, në përpjekjen e përbashkët që shoqëria jonë, ajo shqiptare sidomos, do të bëhet edhe më e përsosur vetëm në saje të zbatimit të parimeve thelbësore fetare apo etike, mbi të cilat funksionon dhe ecën përpara mbarë njerëzimi. Drejtësia për të gjithë pa dallim, barazia mes nesh që nga më i pari e deri tek më i fundit, ndihmesa pa interes për më të pafatët dhe më të dobëtit përbëjnë thelbin e gjallesës sonë në këtë botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida të vështira. Por Dita e Pashkëve na mbush njëkohësisht me një gjallëri të re, me një vetëbesim dhe ringjallje të vërtetë vlerash që na bëjnë të kuptojmë se nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhé të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar. Gëzuar Festën e Pashkëve dhe ju sjelltë sa më tepër mirësi, paqe, dashuri për njëri-tjetrin, lumturi në gjirin e familjes si dhe për të dashurit tuaj kudo ku jeni!” – thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

Meta: Ditë e shenjtë për të ardhmen

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë ortodoksë për Festën e Pashkëve. Duke folur nga Katedralja Ortodokse, Kryeparlamentari Meta tha se kjo është një ditë e shenjtë si për të tashmen dhe për të ardhmen, një ditë që sipas Metës është e të gjithë shqiptarëve falë harmonisë fetare që nga karakterizon.
“Është kënaqësi e veçantë për të gjithë besimtarët ortodoks dhe të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, në këtë ditë e cila na sjell në mendje vlerat e besimit dhe të sakrificës dhe në veçanti të besimit tek sakrifica si rruga që na çon drejt dashurisë, faljes, mirësisë dhe të ardhmes. Dhe natyrisht që kjo ditë e shenjtë e Pashkës dhe ringjalljes së Jezusit është një mundësi e shkëlqyer për të besuar se e nesërmja do të jetë më e mirë dhe për të punuar të gjithë së bashku për këtë qëllim” tha Meta

Basha: Uroj që e nesërmja të jetë më e mirë

Kreu i Partisë Demokratike nga Katedralja Ortodokse, uroi të gjithë besimtarët shqiptarë ortodoksë, duke u shprehur në urimin e tij që e nesërmja të jetë me e mirë se e sotshmja.
“Të gjithë besmitarët ortodoksë, në Shqipëri ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët. Uroj që shpresa dhe besimi që rilindi për ta këto ditë të agojë në zemrat e çdo shqiptari. Uroj që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Uroj që Zoti t’u japë forcë në një të nesërme më të mirë.” tha Basha

PDIU: Gëzuar Pashkët, dhe një kujtim për të gjitha figurat historike të klerikëve ortodoksë shqiptarë 

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i është bashkuar urimeve të politikës shqiptare me rastin e Festës së Pashkëve për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë. Krahas urimit, PDIU ka përkujtuar me respekt edhe përulje punën e klerikëve ortodokse shqiptare ndër vite, të cilat janë shndërruar edhe figura të rëndësishme për kombin shqiptar.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë në Shqipëri, Çamëri, Maqedoni dhe Diasporë, sikurse dhe të gjithë besimtarët anembanë botës, Gëzuar Pashkët. Kjo ditë simbolizon paqen dhe sakrificën në të mirë të së përgjithshmes, çka duhet të na udhëheqë në jetët tona. PDIU uron të gjithë besimtarët ortodoks por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë mirësi, solidaritet dhe ndjenjë komunitare, për ta bërë Atdheun tonë, ashtu siç na takon. Në këtë ditë të shënuar rikujtojmë me admirim punën atdhetare të asaj pjese të klerit ortodoks që dhanë gjithçka për atdheun. Përkujtojmë me respekt dhe përulje punën e palodhur të rilindasve të mëdhenj si Hirësi Grigor Gjirokastritit, të Fortlumturi Fan Nolit, të Fortlumturi Visarion Xhuvanit, të At Kristo Negovanit, të At Stathi Melanit, të At Dhimitër Dhimitrukës dhe të figurave të tjera të larta atdhetare të klerit ortodoks. Le të sjellë kjo festë gëzim, lumturi dhe dashuri për të gjithë besimtarët që e festojnë dhe për të gjithë kombin shqiptar. Paqja dhe mirësia, dy virtytet që simbolizojnë ditët e shenjta, janë lajtmotivi që duhet të ndjekim. Për shumë vjet Pashkët!” shprehet në urimin e saj PDIU – See more at: http://shqiptarja.com/aktualitet/2731/nishani-uron-festen-e-pashkeve-besimtareve-ortodokse-shqiptare-284891.html#sthash.yuqIMCnO.dpuf