Nesër reshje të dendura shiu, Bashkia ngre grupet e punës

514
Shirat e dendur do të rikthehen sërish nesër, gjatë gjithë ditës e deri në mbrëmje. Për pasojë disa prej rrugëve më problematike në kryeqytet, mund të krijojnë vështirësi në qarkullim. Bashkia e Tiranës thotë në një komunikatë për mediat se janë ngritur grupet e posaçme të punës për të përballuar problematikat që mund të hasen gjatë ditës së nesërme.
“Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët e saj se gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes së nesërme, priten sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative,” thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Po ashtu Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet, për të shmangur trafikun e rënduar, ndërsa sqaron se do të shtohen linjat e transportit publik në qarkullim.
Më tej Bashkia e Tiranës ka evidentuar rrugët më problematike të cilat mund të bllokohen:
Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)
Rr. Don Bosko
Rr. e Kavajës
Rr. Imer Ndregjoni
Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)
Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ – ‘21 Dhjetori’)
Rr. Myslym Shyri
Rr. e Dibrës
Për çdo rast emergjence, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrat 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative, ndërsa këshillon shmangien e kalimit pranë lumenjve në zonat periferike.
Sigal