Kolonjë, Maliq, Pogradec, Devoll, ndihmë për zonat e thella

498
Sigal

Nuk ka raste të reja të prekur nga virusi, në këqyrje të vetizoluarit

Nga Vepror Hasani

Ashtu si Bashkia e Korçës, më e madhja në qarkun juglindor, e cila ka mundësi më të shumta, edhe bashkitë Kolonjë, Maliq, Pustec, Pogradec dhe Devoll po mbajnë familjet në nevojë me furnizim të ushqimeve, medikamenteve, barnave, detergjentëve, kryerjen e pagesave, pensionet, bazë ushqimore për blegtorinë etj. Kjo ndihmë ofrohet edhe për të sëmurët, për gratë me zgjidhje martese, për pleqtë e vetmuar për personat me rimbursim të barnave etj. Medikamentet dhe pensionet çohen edhe në zonat e thella. Ndërkohë po ndihmohen edhe fermerët me bazë ushqimore.

Kolonja dhe Maliqi

Në bashkinë e Kolonjës, kryetari i saj Erion Isaj, i cili njihet për të qenit aktiv në çdo situatë, ka qenë i pranishëm në çdo familjet të kategorive të përmendura më sipër, me këshillën: “Mos dilni nga shtëpia, furnizimin e keni të garantuar nga Bashkia juaj”. Për këtë arsye,  në shërbim të banorëve të saj, Bashkia Kolonjë ka një staf prej 68 vetash, e cila kryen furnizimin në të gjitha familjet në nevojë. Ndihma mund të kërkohet nëpërmjet telefonit përgjatë 24 orëve. Së fundi Bashkia Kolonjë u erdhi në ndihmë rreth 500 familjeve. Kjo ndihmë ofrohet për të moshuarit, për familjet me ndihmë ekonomike, për ato që marrin pagesën 6% të bllok-ndihmës dhe për familjet me pagesë paaftësie. Ofrimi i ndihmës do të vijojë deri në përfundim të karantinës. E njëjta gjë ndodh edhe në Bashkinë e Maliqit, ku kjo e fundit në bashkëpunim me njësitë vendore po mban të furnizuara me ushqim dhe  barna edhe banorët e fshatrave të zonave të thella si: Strelcë, Mesmal, Babjen Mjaltas, Tresovë etj. Gjithashtu, në zona të tilla po u vihet në ndihmë me bazë ushqimore për blegtorinë edhe fermërëve. Për ofrimin e ndihmës në zona të thella dhe malore, Njësia Administrative e Gorës ka ngritur një shtab pune, ku bëjnë pjesë pjesatrë të administratës, kryepleqtë e fshatrave, punonjës të shërbimeve, infermir dhe mjek. Ndihmat e këtij stafi kanë shkuar edhe në fshatrat Lozhan, Lozhan i Ri dhe Besmirë. Kjo zonë ka 12 fshatra me 2.600 banorë.

Pogradec dhe Devoll

Ndërsa Bashkia e Pogradecit për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, personave të vetmuar dhe pensionistëve po bashkëpunon me fondacionet humanitare. Nga burime pranë Bashkisë Pogradec mësohet se ndihmat e fondacioneve  kanë shkuar edhe në zonat e thella të Mokrës ku gjenden mjaft familje në vështirësi; ndihma e tyre është shtrirë edhe në njësitë administrative Proptisht, Trebinjë dhe Dardhas. Deri tani janë shpërndarë 1000 paketa ushqimore dhe mjete higjneike ndërsa do të vijohet dhe me shpërndarjen e 800 pakove ushqimore 800 në familje,  400 prej të cilave në  familje të tjera të zonat së Mokrës. Të njëjtat masa janë marrë edhe nga Bashkia Devoll dhe Bashkia Pustec. Njëkohësisht po vijohet edhe me dezinfektime.

 Gjithashtu vlen të theksohet se deri më tani nuk ka patur asnjë rast të ri të prekur nga virusi corona. E konfirmuar kjo edhe nga burime pranë mjekëve epidemiologë dhe Drejtorisë së Kujdesit Shëndetësor në Korçë. Personat që kanë patur kontakte me të prekur nga coronavirusi vijojnë të jenë të vetizoluar në banesa, dhe deri më sot nuk kanë shfaqur simptomat e njohura të virusit corona, që do të thotë se nuk ka raste të reja. Ndërkohë vijohet me gjurmimin e personave të tjerë, të cilët mund të kenë patur kontakte me të sëmurët që aktualisht ndodhen në Spitalin infektiv të Tiranës.