Në Mallakastër e Tiranë, përkujtim për 81 vjetorin e ish-Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi

960
Kujtim BORIÇI
Syrja XHELAJ
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, paraditen e djeshme, qindra besimtarë bektashianë përkujtuan në Greshicë të Mallakastrës 81-vjetorin e ish-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Ndërkohë, po ditën e djeshme, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror, Hirësisë së Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ceremonia vazhdoi në Odeonin në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë. 
Në ceremoninë e zhvilluar në Mallakastër, e cila nisi në orën 11:00, merrnin pjesë kryebashkiaku vendas Agron Kapllanaj, drejtues të tjerë vendorë, klerikë bektashianë e të besimeve të tjera, besimtarë të ardhur nga gjithë Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi si dhe besimtarë të shumtë vendas. Ceremoninë e hapi Kryegjyshi Botëror Edmond Brahimaj, i cili ndëqr të tjera theksoi: “E nisim së bashku festimin e kësaj dite të bekuar, 4 marsit, ditë që na kujton se 81 vjet më parë, në fshatin Lusën të Kukësit, shumë pranë madhështisë së malit të Korabit, erdhi në jetë vëllai dhe babai ynë, prijësi shpirtëror, i paharruari, Dede Reshat Bardhi. Zoti qoftë i kënaqur me devocionin e thellë që ky Shenjtor, tregoi në udhëtimin e tij të përjetshëm!. Ndërkaq, 4 marsi i çdo viti, përbën një gëzim të dyfishtë për të gjithë ne, që mblidhemi çdo vit në këtë vend të bekuar, sepse datëlindja e Dede Reshat Bardhit, në mënyrën më të bukur dhe domethënëse, lidhet me ringritjen e teqesë së Greshicës, me rikthimin e lavdisë së shkuar të kësaj vatre të Haxhi Bektash Veliut. Së bashku me lartësimin e mureve të teqesë ne kryem artin e madh të ngritjes së tyrbes, ku u vendosën eshtrat e baballarëve që na frymëzuan në ato kohëra të vështira. 

Jo pa qëllim, eshtrat e tyre, shteti ateist që lamë pas, në vitin 1967 i zhvarrosi dhe tyrbet e teqetë i shembi, sepse ai shtet, në thelb, kërkonte të na ndante nga Zoti, duke i çuar në harrimin e përjetshëm eshtrat dhe emrat e ndritur të baballarëve tanë. Por ja si erdhën kohërat, ja si shkon në vend vullneti i Zotit të Lartë, emrat e diktatorëve të djeshëm po harrohen dita-ditës, emrat e Shenjtorëve bektashinj po kujtohen dita-ditës me respektin dhe nderimin e merituar!”. Në përshëndetjen e tij, kryebashkiaku Kapllanaj, mes të tjerave theksoi:”Sot është një ngjarje e shënuar për të gjithë ne, pasi lidhet me përkujtimin e datëlindjes së një prej klerikëve bektashinj e atdhetarëve, Kryegjyshit Reshat Bardhi, i cili ishte dhe mbetet shembull i klerikut të përkushtuar dhe njeriut që predikoi e punoi për dashuri, paqe, mirësi e harmoni mes njerëzve”. Ndërsa Kujtim Jazaj, biznesmen i cili kontriboi në ringritjen e Teqes së Greshicës, mes të tjerave theksoi: “Dede Reshat Bardhi u përpoq me mish e me shpirt, gjatë gjithë jetës së tij, për të mbajtur të pa fikur qiririn e Haxhi Bektash Veliut. Ai ishte dhe do të mbetet shembulli i klerikut që i shërbente besimtarit, me atë përulësi që yzmetçinjtë mallakastriotë shërbejnë nëpër ditë festash të mëdha. Unë do të ruaj gjithmonë ën shpirt, ditën e përurimit të kësaj teqeje, vite më parë. Mes lotëve që nuk i mbante dot, ndërsa pa tyrben, m’u drejtua duke më thënë: “Kujtim! Ti që mendove për këtë tyrbe, ti që fute këtu eshtrat e dervishëve dhe baballarëve duke u dhënë vlerën e merituar, do të kesh shumë mirësi. Zoti do t;a shpërblejë në jetë e mot!”.Ndërsa ceremonia përkujtimore e zhvilluar në Tiranë, u parapri me një film dokumentar dhe ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së ish-Kryegjyshit Botëror Baba Reshat Bardhi. Kreu aktual i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mes të tjerave, në përshëndetjen e tij theksoi: 

“Në panteonin e mrekullueshëm të baballarëve dhe dedelerëve tanë, Dede Reshat Bardhi qëndron kurdoherë frymëzues për milionat e besimtarëve bektashianë, duke u shndërruar jo vetëm në një vlerë të këtij tarikati, por në institucion të qëndresës kulmore ndaj rrebesheve, si edhe mishërimi i traditave tona më të vyera. Ai erdhi në këtë botë, si një dashuri e natyrshme e një gruaje dhe një burri nga trevat veriore shqiptare, për t’u larguar prej saj i përcjellë nga dhimbja dhe dashuria shpirtërore e miliona njerëzve dhe ishte sa një vullnet i Zotit në këtë botë, aq edhe fat e besim për të gjithë ne që e kemi njohur, ia kemi dëgjuar zërin, ia kemi ndjerë frymën. Në udhëtimin e gjatë të Tij, në udhën e Hakut, Ai do të ndeshej me të papritura drithëruese qysh në hapat e parë. Kur ishte ende në çastet e parë të njohjeve me misteret e tarikatit, u detyrua të merrte rrugën e internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Shteti ateist i atyre viteve, kishte projektuar goditjen ndaj fesë dhe Dede Ahmet Myftari ishte ndër Kurbanët e parë të asaj kasaphane antifetare. Jeta e dervish Reshatit u vu në provë dhe Ai e kaloi atë pa arsye hezitimi, sepse për Të, sikundër për çdo dervish bektashian, besa e dhënë në mejdanin e Haxhi Bektash Veliut, ishte edhe mbetej më e vlefshme se të gjitha ditët, muajt dhe vitet që do të rridhnin më pas. Ai vajti në Drizar, ndonëse e “këshilluan” të rrinte në Selinë e Shenjtë, duke i çelur edhe perspektiva të karrierës fetare. Ai iu bashkua Myrshidit të Tij, sipas modelit tradicional të tarikatit, duke u shndërruar në një oaz paqeje për krejt myrshidët shqiptarë të asaj kohe”.
Pas përshëndetjes së Kryegjyshit Botëror Edmond Brahimaj, përshëndetën dhe klerikë të besimeve të tjera fetare në Shqipëri, personalitete shtetërore e shoqërore, etj…
Sigal