Naço: Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve me strukturë të re

76
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço deklaron se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve tashmë do të funksionojë mbi bazat e një strukture të re, e cila ndër të tjera është trefishuar.
Deklarata e Naços është bërë gjatë një mbledhje që ai ka zhvilluar ditën e sotme me drejtues dhe inspektorë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, takim gjatë të cilit janë dhënë disa orientime lidhur me ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me ligjin.
Ndërsa ka bërë një analizë të shkurtër të situatës aktuale në sistemin penitenciar, Ministri Naço vuri në dukje se pjesë e axhendës për një sistem funksional ishte edhe ristrukturimi dhe zgjerimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Ndër të tjera, në planin e punës së SHKBB-ve do të jetë edhe një monitorim i kujdesshëm i zbatimit të urdhërit lidhur me planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, duke nisur që nga lejet shpërblyese apo të veçanta; ndalimin e vënies në përdorim të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të sistemit penitenciar për zgjedhjet vendore, në mbështetje të individëve kandidatë apo subjekteve zgjedhore; mospërfshirjen e punonjësve me uniformë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve por edhe stafit civil në fushatë.
Ministri Naço ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj kujtdo që do të neglizhojë në kryerjen më përgjegjshmëri të detyrës, dukë cënuar dhe vënë në rrezik sigurinë e sistemit.