Mungojnë fondet për argjinaturën e lumit Osum, rrezik për përmbytje

60

Bashkia: Kemi hartuar projektin para 5 vitesh, por s’kemi para. Presim nga qeveria.

 BERAT-Prej 5 vitesh një projekt për rikonstruksionin e argjinaturës së lumit të Osumit ‘fle’ në sirtarët e institucioneve qendrore në Tiranë, ndërkohë, afrimi i stinës së dimrit, rrezikon përmbytje me pasoja në qytet dhe rrethinat e tij. Alarmi për situatën aktuale jepet nga administrata e Bashkisë së qytetit të Beratit. Sipas Flutura Bramit Drejtoresha e Shërbimeve Publike ‘situata mbetet kritike, pasi konstrukti ekzistues i argjinaturës është i dobët dhe prurjet e shumta ujore, mund të sjellin përmbytje me pasoja”…

SITUATA

Megjithë ndërhyrjet e pjesshme, kryesisht në kohë reshjesh, për mungesë fondesh, prej vitesh në argjinaturën e lumit të Osumit, nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje serioze. Situata është rënduar më tej nga shkarjet masive të tokës që kanë devijuar prurjet e lumit, deri në bllokime të përkohshme në segmente të veçantë të tij. Për këtë shkak, muret e mëparshme për gjatë pikave të rrezikshme në lum, pothuaj nuk janë më. Ata janë dëmtuar nga prurjet, ose në të shumtën janë shkëputur nga njëra-tjetra, duke lënë prurjet në rrjedhën e tyre kaotike. “Gjatë përmbytjeve të mëparshme, shpërthimi i shtratit të Osumit nga prurjet, përveç dëmeve të konsiderueshme në toka, ka sjellë përmbytje dhe në dyqanet apo bizneset që ushtrojnë aktivitet bri tij. Dëmet ekonomike kanë qenë të konsiderueshme”- shtojnë burimet për “Telegraf”.

BASHKIA

Duke folur për situatën, drejtorja Brami shton se “investimi për të bërë “zap” prurjet e Osumit, sidomos në stinën e dimrit, kërkon fonde të shumta, të cilat nuk mund të sigurohen nga të ardhurat e bashkisë”. Për këtë shkak, shpresa për investime në këtë drejtim dhe evitimi i katastrofave të mundshme nga përmbytjet, mbetet financimi nga Tirana. “Kemi hartuar një projekt para 5 vjetësh dhe e kemi dërguar në qeveri për miratim e lëvrim fondesh. Por me gjithë premtimet, asnjë herë në këtë kohë nuk na është miratuar. Para pak kohësh, bashkiak e ka përsëritur kërkesën e saj zyrtarisht, e shpresojmë që të mbështetemi me fonde nga qeveria. Në të kundërtën, rreziku i përmbytjeve nga lumi i Osumit, mbetet real”,- pohon Flutura Brami.