Mitro ÇELA/ Një ftesë për mbesën e Artan Santos

933
Sigal

Më 5 korrik, nipi im, Noah Saches Çela mbush dy vjeç. Kemi një javë që “thurim” plane. Të ftuarit. Lokali. Torta. Dhuratat… E Enjte. 26 qershor. Ora 9:00. Bashkë me nusen e djalit, Marlise Sanches nisëm të plotësojmë ftesat. Erdhi radha e Amel Goxhaj (Santo). Marlise mbylli zarfin por…zarfi i ra nga dora:

-Don Mitro! Lexo në ekran: Kanë vrarë gjyshin e Amel…?!
Lajmi më tronditi… Doja një ngushëllim për të mbledhur veten…Po si?… Mu kujtua një frazë nga Bibla:
-Mos të dëshpërohemi që na iku; të gëzohemi që e patëm!
Dhe unë e kisha mik Tanin… Jemi njohur rreth viteve ‘80. Unë gazetar i “vjetër”. Ai ekonomist i ri…
Diku mes viteve, kur shekujt i dorëzonin stafetën njeri – tjetrit, Tani më ftoi për kafe tek “Rogneri”.
-Mbrëmë më bënë një ftesë: “Tani! Ka ardhur koha të lësh biznesin për të qeverisur vendin: ministër i Financave?… Përgjigjen e duam nesër …Më iku gjumi? U bëra pak Hamlet: Të bëhem apo mos të bëhem?…Mu kujtua historia jote. Edhe ty të propozuan të bëheshe ministër i Turizmit në vitin 1992…Pse nuk pranove?
-Sepse unë nuk mund të lija karrigen e gazetarit, për kolltukun e ministrit?!
-Pas 6 vjetëve, je bërë pishman?
-Jo!
-Mitro! Edhe unë thashë “JO”. Që mbrëmë. Nuk vlen për mua “qyrku” i ministrit. Unë jam bankier?…
-Tani! Bankierët e vërtetë janë edhe shkrimtarë, poetë ose muzikantë… Ju e dini që Sejfulla Malëshova dhe Mitrush Kuteli kanë punuar në Bankën e Shqipërisë? I pari, poet. I dyti novelist… Edhe “babai” i bankierëve Alan Greenspain e ka nisur zanatin si saksofonist…
…Disa vite më parë… “Alo…Jam Tani…Dua të të fal një libër…Nuk kam shkruar për bankat! As për biznes…Letërsi dhe…Ha…Ha…Ha…  Pasi shkrova këto radhë, ndoqa kronikat. Disa minuta pas atentatit. I shtrirë para shkallëve. Bluza. Pantallonat. Këpucët…Gjak…Trishtim… Doja të shkruaja diçka të gëzuar. Po çfarë?  Në ndihmë më erdhi Boris Jellcini… Librin “Shënimet e Presidentit” e lexova këto ditë… Maj 1993. Nën rrogoz po përgatitej grushti i shtetit… “Më mundon pagjumësia,- shkruan Jellcini.- Ngrihem në orën dy-tre të natës. Dua të bisedoj. Të gjithë flenë…Filloj të shkruaj…Kthehem tek uni im. I hapur. I çiltër…Kam dy vajza. E madhja u sëmur. E shtruam në spital…Vajza tjetër ishte e vogël. Latante. Nuk kishte çerdhe. Vendosa ta çoj tek gjyshja. Hipa në tren. 30 orë larg. Njerëzit më shihnin dhe me siguri mendonin: Ku e shpie foshnjën ky muzhik?!…Në fillim fëmija fjeti…Natën e mori uria. Qante…Zgjoi gjithë vagonin …I dhashë gishtin…E lëshoi…M’u errën sytë? Po sikur t’i ndodhë gjë vajzës?…Ti bie shkurt: I dhashë të thithte gjoksin tim?! …Fëmija ndjeu ngrohtë…U qetësua…Njerëzit qeshnin…Disa gra u përlotën…Situatë e vështirë. Tragjike dhe komike?!”. Disa muaj më parë e takova Tanin tek “Siti Park”, të dy familjarisht. Të dy gjyshër të dalluar. Unë e kam nipin dy javë më të madh.
-Ku e ke Netin,- më pyeti për ezmerkën time.
-Po u bën “zbor” dyqaneve!
-Të të tregoj një barcaletë për ngushëllim?… E pyetën gazetarët një biznesmen: “Si u bëre milioner?”…Biznesmeni u përgjigj: “Me ndihmën e gruas?”… “Si?”…Biznesmeni tha: “Isha miliarder?!”…Mitro! Sigurisht që, kjo nuk ka të bëjë as me zonjën tënde e as me zonjën time?!
Dhe qeshi, siç dinte të qeshte Tani!
Lamtumirë miku im i mirë!