Sigal

Marrja e dëftesës së notave për nxënësit është momenti final i mbylljes së vitit shkollor. Kjo dëftesë merr një rëndësi edhe më të madhe në mbarimin e dy cikleve, atë të mesëm të ulët (AMU), pra arsimit të detyrueshëm nëntë-vjeçar, dhe atij të mesëm të lartë (AML). Kështu, nxënësit e klasës së nëntë, adoleshentët pesëmbëdhjetë-vjeçarë do të marrin në duar Dëftesën e lirimit, e cila i jep të drejtën të shkojnë në arsimin e mesëm të lartë, aq shumë të dëshiruar për ta. Por, fatkeqësisht, kjo dëftesë me rëndësi të veçantë për nxënësit, për Ministrinë përgjegjëse për Arsimin është konsideruar si një “defter bakalli” (një regjistër apo letër e shkruar keq, jo sipas rregullave) që, në fakt, mbetet pas kësaj letre. Kështu, njohur nga mediat, nxënësit do marrin në dorë një dëftesë notash me gabime numerike në listimin e lëndëve (nga numri 9 kalon në numri 11) dhe me shkrim dore do të shkruhet numri i regjistrit të veçantë (sipas një urdhri që i është dërguar me e-mail drejtorive të shkollave, më 11 Korrik 2018). Plotësim me shkrim dore tek dëftesa e klasës së nëntë, një dokument zyrtar?! Pra, nxënësit tanë, mbi të cilin bien pasojat e një sistemi të rrënuar arsimor, duhet, tashmë, ta marrin edhe të vulosur dështimin e këtij sistemi në Dëftesën e Lirimit.

Me sa duket, Ministria nuk ka pasur “kohën e mjaftueshme”, paskërkësh qenë në “urgjencë” , si gjithmonë, shtypja e dëftesave. Por, për çfarë e ka kohën kjo Ministri? Për zhvillimin e shkollës dhe kujdesin ndaj nxënësit, jo! Dëftesat e lirimi rezultojnë me gabime, por pas disa ditësh që janë shpërndarë dhe mësuesit kanë plotësuar një pjesë të dëftesave (duke korrigjuar me shkrim dore gabimet sipas udhëzimeve me e-mail) sot, më 12 Korrik i është kërkuar mësuesve t’i dorëzojnë dëftesat dhe të rrinë në pritje të zgjidhjes së këtij absurdi të vulosur nga Ministria përgjegjëse për Arsimin. Por, ky është një skandal, një akt i papërgjegjshëm dhe abuziv! Kjo është shpërfillja që arroganca e pushtetit nuk kursen për asgjë. Por, jo vetëm Dëftesat e lirimit janë një skandal më vete, por është dhe mungesa e dëftesave për të gjitha klasat. A do marrin nxënësit dëftesa për këtë vit mësimor ? Por çfarë presin? E pra, kjo është sot gjendja e dëftesave, një procedure e përvitshme, tenderi i së cilës hapet në muajin janar dhe duhet të mbyllet në muajin prill, që çdo gjë të jetë gati menjëherë pas mbarimit të vitit shkollor. Por, ky proces, “çuditërisht”, është gjithmonë i vonuar nga Ministria. Pse gjithmonë përballemi me dëftesa me gabime dhe vonesë në shpërndarjen e tyre? Pse pikërisht sot tërhiqen Dëftesat e Lirimit, pasi janë plotësuar një pjesë, pas urdhrave të njëpasnjëshme të korrigjimit të tyre me dorë nga mësuesit? Si mund të justifikohet kjo situatë e paprecedentë? Por, në fakt, Ministria përgjegjëse për arsimin ka krijuar një “traditë” të sajën me menaxhimin e tillë të këtij procesi, që, dukshëm, ka interes të madh për të. Kështu, vetë ministria është përcaktuesja e fituesit të tenderit të shtypjes së dëftesave, dhe ndodh “çudia” që kompania fituese nuk ofron çmimin më të ulët për dëftesa, por, përkundrazi , ofron një numër më të pakët dëftesash nëpërmjet një “bashkëpunimi frytdhënës” me ministrinë, siç ndodhi vitin e kaluar, p.sh., nga 100 mijë dëftesa ofroi 80 mijë).

Dhe ndërkohë që gara vazhdonte “kompania e privilegjuar” i shtypi dhe i bëri gati dëftesat, edhe pa mbaruar procedura ligjore e tenderimit. Por, ndalimi i prokurimeve më 5 Korrik 2017 me Vendim të Këshillit të Ministrave vuri në vështirësi “hartuesit” dhe “zbatuesit” e tenderit të dëftesave. Dhe, këtë qartazi e dëshmon nxitimi për nënshkrimin e prokurimit dhe kontratës së shtypjes së dëftesave, pa dijeninë e Ministrit si kompetencë ligjore e tij, nga ish-Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, edhe pse i pezulluar dhe shfuqizuar si autoritet kontraktor nga Ministri. Pra, nëpërmjet një maskarade të turpshme, abuzive dhe korruptive “zgjidhën” problemin duke shpërfillur strukturat institucionale në shkelje flagrante të ligjit. Llogaritur në këtë mënyrë, dëftesat për nxënësit, sigurisht, që do jenë gati kur i do Ministria dhe jo shkolla, do kenë probleme me cilësinë dhe do jenë me gabime, pasi nuk ka transparencë dhe nuk dihet, nëse janë të shtypura rishtazi, apo janë të lëna në një “rrëzë” nga vitit i kaluar si jashtë serie për arsye të gabimeve, por që riciklohen këtë vit. Por kjo, me sa duket, nuk përbëkërka problem për Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, kjo Dëftesë Lirimi nuk qenkërka aq me vlerë për të, pasi nxënësit, edhe me gabime në dëftesë regjistrohen në institucionet e Arsimit të Mesëm të Lartë, nuk përbën interes mungesa e dëftesave në shkolla, megjithëse viti shkollor ka pothuajse gjashtë javë që është mbyllur. Ky është një turp i madh! Dhe, ja ku jemi sot përballë faktit: Papërgjegjshmërisë dhe veprimeve jo transparente të Ministrisë së Arsimit, e cila duhet të japë shpjegimin institucional për këtë skandal dhe të zgjidhë menjëherë situatën, dhe jo me “arnime” dhe e-maile qesharakë, tregues të një degradimi të ministrisë përgjegjëse për arsimin, e cila, në fakt, ka humbur kredibilitetin për të qenë e tillë. Drejtuesit e mirëpaguar të Ministrisë përgjegjëse për Arsimin kanë detyrimin moral dhe atë institucional të sqarojnë këtë skandal dhe jo të shpërfillin nxënësin, mësuesin dhe prindërit duke i “dhuruar” atyre një proces tejet të paqartë dhe që bart hije të një korrupsioni të turpshëm, të cilit nuk i del as “koka” dhe as “këmbët”. Ata duhet të japin llogari edhe për dëftesat e munguara deri më tani në shkollë. Pra, kjo është Ministria e Arsimit që nuk i shërben të gjithë shqiptarëve por interesave klienteliste; kjo është Ministria e Arsimit që është mbërthyer nga paligjshmëria të cilën e ka kthyer në sistem; kjo është Ministria e Arsimit që ka tjetërsuar vlerat, ku e pamoralshmja është kthyer në të moralshme, vesi është kthyer në virtyt, babëzia për të rrëmbyer e rrënuar gjithçka është kthyer në normalitet ligjor. Prandaj, ajo sot rreshton skandale të njëpasnjëshme, sepse ajo nuk mund ta kontrollojë dot më sistemin e shkatërruar në çdo hallkë, të ngritur nga ajo vetë. Arroganca e pushtetit dhe babëzia e pamasë, duket, kanë gjunjëzuar gjithçka, çdo element të këtij sistemi arsimor që lëngon, plagët e të cilit po “brejnë” ngadalë cilësitë dhe mirësitë që kanë mbetur. Dhe, kjo duhet të marrë fund menjëherë, është emergjencë kombëtare! Nesër, do jetë tepër vonë!