Ministria e Bujqësisë: Mielli nuk është i “politizuar”, por i helmuar

77
Pas Gërdecit në mars 2008 dhe pas misrit pa kokrra në shtator 2008, në Vorë ka plasur skandali tjetër ushqimor me miell e grurë jashtë standardit dhe me përmbajtje “Älfatoksinë”, substancë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorit, që shitej më shumicë e pakicë prej firmës “Agro-Blend”, biznes ky i kandidatit për krye-bashkiak dhe kryetar aktual i bashkisë në Vorë, zotit Fiqiri Ismaili. Ka qenë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), institucioni i cili pas një kontrolli në proces nisur qysh prej 14 majit 2015, bërë në sillosët dhe depot e miellit e të grurit, të firmës private të krye-bashkiakut aktual dhe kandidatit të PD për Bashkinë Vorë, zotit Fiqiri Ismaili, 1 ditë më parë ka bllokuar 100 ton miell dhe 6800 tonë grurë. 
Lajmi zyrtar: Miell dhe grurë me “Alfatoksinë”
Sipas lajmit zyrtar të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), mielli është bllokuar mbasi nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare. Pas verifikimeve në ambientet e kompanisë “Agro-Blend”, regjistruar si aktivitet tregtar në emrin e bashkëshortes H. Ismaili u konstatua mungesa e kushteve higjeno-sanitare dhe mungesa e dokumentacionit shoqërues të sasisë së miellit që u bllokua. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), ka bllokuar 100 tonë miell të firmës “Agro-Blend shpk”, pasi rezultonin se ishin jashtë kushteve higjeno-sanitare. Inspektorët e Autoritetit Ushqimor, kishin kryer inspektime të miellit në 14 maj 2015 pranë kësaj kompanie dhe pas analizimit të grurit dhe miellit, vendosën për bllokimin e 100 tonëve miell dhe analizimin e 6800 tonëve grurë. Bazuar në legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, u morën masa urgjente për ndërprerjes e menjëhershme të aktivitetit të firmës dhe bllokimit të 41.3 ton miell, deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjithashtu ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë. Pas daljes së përgjigjes nga laboratori i Sigurisë Ushqimore (ISUV), ku mielli i dërguar nga inspektorët e AKU për analizë, rezultoi pozitiv me “Alfatoksinë”. Në datën 23.05.2015, Drejtori i AKU Tiranë, për garantimin e sigurisë ushqimore të konsumatorit, duke ju referuar gjurmueshmërisë së produktit “miell”, i cili rezultoi “pozitiv”, urdhëroi inspektim në subjektin “Agro-Blend shpk” dhe bllokim të miellit. 
310 tregëtarë e furra buke, dyndje në depot e “Agro-Blend” për të kthyer miellin
Sapo është publikuar lajmi i AKU, që mielli i “Agro-Blend” është jashtë standardeve higjieno-sanitare dhe me helmin “Alfatoksinë”, telefonat e kompanisë kanë qenë objekt thirrjesh, për të kthyer në depot e kompanisë miellin dhe grurin e blerë. Kompania ka bllokuar komunikimin me blerësit dhe kontraktuesit e saj, duke mos dhënë asnjë sqarim për rrezikun e miellit të shitur, të publikuar nga kontrollet e AKU. Pas këtij lajmi, paniku ka mbushur jo vetëm banorët e Vorës, të cilët janë blerës të këtij mielli e përfitues në kohë fushatash elektorale për efekt votash, por edhe prodhuesit e bukës dhe tregtarët e shumicës. Sipas burimeve tona, këto ditë në Vorë, janë harruar votat dhe flitet vetëm për miellin dhe grurin e helmuar që u ka shitur firma e krye-bashkiakut dhe kandidatit për krye-bashkiak. Por Vorën e kanë “populluar” në 24 orët e fundit edhe tregtarët dhe prodhuesit e bukës, që janë blerës të miellit, që sipas kontrollit të AKU rezulton me “Alfatoksinë”. Në 24 orët, pas daljes së lajmit për miell jashtë standardit, në “portën” e fabrikës kanë trokitur 310 tregtarë shumice dhe pronarë furrash buke, të cilët i kanë lënë miellin “në derë” firmës “Agro-Blend”. Gazeta “Telegraf” tentoi të merrte të dhëna më të plota nga AKU e Tiranës, por përgjigja e këtij institucioni ishte e thatë: “Gjërat janë sqaruar në njoftimin zyrtar”. Ajo që duket jashtë lajmit zyrtar është fakti, që konsumatorët që kanë përdorur miell nga kjo kompani, po përjetojnë panikun e rrezikut për shëndetin dhe jetën. Ndërkohë që firmat tregtare dhe furrat e bukës, klientë blerës të miellit të kësaj kompanie, po kërkojnë shpjegime se nga vjen ky miell e grurë, që rezulton me rrezikshmëri. Ata e lidhin shqetësimin e tyre, me faktin që ky mund të jetë mielli dhe gruri tagji kafshësh, i blerë nga Serbia dhe që “modifikohet” dhe përdoret si ushqim për njerëzit në Shqipëri, fakt të cilin gazeta “Telegraf” e ka denoncuar publikisht qysh 1 vit më parë. 
—————————————————————-
Çudia/ Pronari i miellit hesht, flet ish-deputeti i Vorës
Partia Demokratike, nëpërmjet ish-deputetit të saj për Vorën në vitet 2005-2009, zotit Astrit Patozi, ka reaguar ashpër dje, duke deklaruar se “kandidatit të PD për kryebashkiak në Vorë, zotit Fiqiri Ismaili i janë bllokuar 100 tonë miell, 6800 tonë grurë dhe i janë vendosur 400 mijë lekë gjobë, në shenjë presioni ndaj tij, duke i dëmtuar biznesin”. Çudia qëndron në faktin, se përse nuk reagon vetë pronari i miellit, zoti Ismaili, por në mbrojtje të tij, del një ish-deputet i zonës së Vorës! Kjo çudi ka ndodhur edhe në 15 mars 2008 kur shpërtheu Gërdeci, që në vend të dilte me deklaratë ish-deputeti Patozi, si i akuzuari nga ish-opozita PS, që dinte se ç’bëhej në Gërdec e madje “për vota” punësonte edhe skllevër fëmijë në Gërdec, në atë kohë në mbrojtje të tij doli me deklaratë, kreu i bashkisë Vorë, zoti Isamili! Kështu ndodhi edhe me misrin pa kokrra shitur si farë nga krye-bashkiaku Ismaili, që ndodhi 6 muaj pas Gërdecit, kur për çudi nuk foli pronari dhe shitësi i farës së misrit pa kokrra, por në mbrojtje të tij foli ministri Bujqësisë Jemin Gjana! Kjo çudi u përsërit dhe ditën e diel, ditë me miellin e bllokuar të kandidatit për bashkinë Vorë, zotit Ismaili, ku doli e foli ish-deputeti i Vorës, zoti Patozi, pikërisht ai që siç e dinë gjithë banorët e Vorës, nuk ka asnjë lidhje as me bizneset dhe as me miellin e zotit Ismaili.