Fier/1190 biznese ulin “qepenat”, për t’i shpëtuar “taksës së fushatës”

506
Skandali që po shoqëron fushatën elektorale të forcave politike në Fier, ka lidhje me faktin, që bizneseve të këtij qyteti, u janë dërguar “pusulla”, që të ndihmojnë fushatën e kandidatëve për kryetarë bashkie. Në Fier, administrata shtetërore përfaqësohet nga 4 forca politike, të cilat kanë ndarë administratën në 4 pjesë, secila me drejtoritë përkatëse që secila forcë politike ka nën kontroll. 
Denoncimi/ 113 letra e telefonata në redaksi: Na kërkojnë “gjobë” për fushatën
Në 5 ditët e fundit, në redaksinë e “Telegraf” kanë ardhur 113 denoncime me letra, me postë elektronike dhe telefonata, lidhur me skandalin që ka plasur në Fier. Tregtarët e Fierit, denoncojnë faktin që drejtoritë shtetërore në Fier, secila për llogari të forcës së vetë politike, kërkon prej tyre pagesa me vlerë të paracaktuar, si financim për fushatën e kandidatëve përkatës për bashkinë dhe anëtarët e këshillit bashkiakë. Tregtarët i ka mbërthyer paniku nga ky aksion taksimi absurd e antiligjor, që kanë nisur drejtoritë lokale në Fier. Sipas denoncimeve të ardhura në gazetë, deri tani janë skeduar 2200 tregtarë e biznese të çdo lloji, të cilët sipas “pusullës” që u është hedhur “nën derë”, duhet të paguajnë lekë ose të kontribuojnë me mallra që i shërbejnë propagandës së fushatës. në listë janë futur bizneset dhe tregtarët brenda qytetit të Fierit dhe të zonave që përfshinë harta e bashkisë së re të qytetit. Në disa nga denoncimet, deklarohet edhe taksa që ata duhet të paguajnë në “ndihmë të fitores”. Shuma që duhet të paguajnë bizneset e vogla është 50 mijë lekë të reja, shuma që duhet të paguajnë bizneset e mesme është 500 mijë lekë të reja, shuma që duhet të paguajnë bizneset e mëdha është 2 milionë lekë të reja, shuma që duhet të paguajnë 5 milionë lekë të reja. Listat janë bërë, “pusullat” janë dërguar, priten tregtarët të paguajnë “gjobën” e vendosur. Sipas denoncimeve, “taksidarët” kanë përhapur lajmin e frikshëm paralajmërues, se kush nuk paguan në vlerën dhe kohën e caktuar, do ndëshkohet me gjoba dhe mbyllje biznesi! Të vetmit “”biznese” që nuk janë futur në listat e pagimit të “taksës elektorale”, janë shitësit e bananeve, shitësit e farave dhe mbledhësit e… kanoçeve!
Fakti/ 80% e të skeduarve, biznese që kanë probleme me shtetin
Në listat e atyre që duhet të paguajnë, 80% janë biznese e tregtarë, që nuk janë në rregull me zbatimin e ligjeve të shtetit. Ndërsa 20% e të skeduarave, janë biznese e tregtarë që janë në rregull, por që paralajmërohen se nëse nuk paguajnë, do të kryhet reprezalje me kontrolle e gjetje e sajim “kleçkash”. Drejtorët e ndërmarrjeve që kanë në vartësi bizneset, kanë bashkëpunuar me drejtoritë rajonale të tatim-taksave, të shëndetit publik, të mjedisit, të sigurimeve shoqërore dhe me 12 drejtoritë e tjera rajonale, që veprojnë në Fier, nga dosjet e të cilave kanë nxjerr emrat e bizneseve që kanë probleme me mos zbatimin e detyrimeve ndaj shtetit dhe janë hedhur në veprim për tí kërcënuar me gjoba shtetit, nëse nuk paguajnë “gjoba elektorale” për fushatën e 21 qershorit, për llogari të forcës politike dhe aleancave që mbulojnë këto drejtori. Sipas informacionit tonë, këto biznese që nuk janë në rregull me zbatimin e detyrimeve dhe që tashmë janë skeduar si “viktima” që duhet të paguajnë për fushatën, thuhet se janë lënë qëllimisht jashtë detyrimit për të përmbushur detyrimit, me qëllimin për tí pasur burim financimi për fushatën. Këtë e konfirmon edhe një fakt: nga 13 mijë e 459 biznese të vogla, të mesme, të mëdha e VIP që ka Fieri, në muajt janar-prill janë kontrolluar 11 mijë e 734 prej tyre, por janë gjobitur vetëm 2053 biznese, ndërsa të tjerët janë toleruar e janë lënë në “harresë”, për t’u “trokitur” tani që është fushata, veçse jo për të paguar e përmbushur detyrimet e shtetit, por për të paguar privatisht “kontribut” për fushatën e kandidatëve të shtetit. Ka dhe një paralajmërim: Kush nuk paguan, ndëshkohet me 10 fish të gjobës që u takon sipas ligjit për mangësitë që kanë në bizneset e tyre! . 
—————————————–
Tmerri/1190 biznese ulin “qepenat” për të shpëtuar nga “taksa për fushatën”
Gazeta “Telegraf”, prej 3 ditësh ka investiguar këtë skandal që po ndodh në Fier me vendosjen e gjobave pirate ndaj biznesit të këtij qyteti, prej drejtorive shtetërore lokale. Përveçse fakti ekziston, ka edhe një realitet tjetër, që po shoqëron skandalin. Bizneset e piketuara, të cilëve u ka shkuar “pusulla”, përballë detyrimit për të derdhur lekë për fushatën, kanë dy rrugë: ose të paguajnë vlerën që u kërkohet nga drejtorët dhe sekserët e tyre në emër të kandidatëve dhe partive, ose sipas drejtorëve shtetërorë, të pranojnë të ndëshkohen zyrtarisht me 10 fish të gjobave që duhej të paguanin në shtet për mos përmbushjen e detyrimeve që ata kanë në bizneset e tyre. Por bizneset kanë gjetur një rrugë tjetër, për të shpëtuar nga detyrimi për të paguar “taksën e fushatës”. Shumë prej këtyre bizneseve kanë vendosur të mbyllin aktivitetin deri sa të mbyllet fushata duke ulur “qepenat”. Janë 1190 biznese që e kanë bërë deri tani këtë zgjidhje. Deri në 21 qershor, ata nuk do të punojnë, për të mos paguar taksën që u kërkohet, mbasi shumica e bizneseve të vogla, thonë se në 1 muaj, nxjerrin më pak se 50 mijë lekë të reja që u kërkohen, ndaj 1 muaj në periudhën 21 maj-21 qershor, po e mbyllin biznesin. Po kështu bizneset e mesme, të mëdha e ato VIP, kanë vendosur mbi portat e dyer tabelat “Mbyllur”! 
Sigal