Ministri Edmond Panariti: 15.91 milionë euro për aftësinë ripërtëritëse ndaj përmbytjeve

507
Kryeministri Edi Rama bashkë me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe ministrin e Bujqësisë Edmond Panariti, prezantuan dje në Novoselë, 20 km larg qytetit të Vlorës, Programin e Rimëkëmbjes nga Përmbytjet ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe BE-së në zonën Bishan- Novoselë, të klasifikuar si një nga zonat më prekura nga përmbytjet, në një gjatësi prej 410 metrash, e cila aktualisht është në rehabilitim. Në fjalën e tij,ministri Panariti falënderoi qeverinë shqiptare, BE dhe PNUD për mbështetjen konstante në të gjithë komponentët e këtij programi dhe i siguroi ata për zbatimin me rigorozitet të tij. “Për herë të parë, Shqipërisë do t’i ofrohet një paketë me projekte mbështetëse grant nga BE-ja, si përgjigje ndaj situatës së krijuar nga emergjenca e përmbytjeve, që ka goditur Shqipërinë në janar /shkurt 2015, me qëllim parandalimin e rrezikut nga katastrofat natyrore dhe menaxhimin e përmbytjeve, në vlerë totale prej 15.91 milionë Euro. Programi synon rritjen e aftësisë ripërtëritëse ndaj përmbytjeve me paralajmërimin më të hershëm dhe mekanizmat për parandalimin e fatkeqësive si dhe përforcimin e infrastrukturave të mbrojtjes nga përmbytjet. Lumi Vjosa doli nga shtrati i saj në zonën e njohur si Myzeqeja e Vlorës ku dhe shkaktoi dëme të rënda në infrastrukturën ekzistuese të mbrojtjes nga përmbytjet. Në fushën e Bishan-Poro, lumi dëmtoi segmentet në anën e djathtë të kanalit të ujitjes U1 (16km në gjatësi), i cili ka një funksion të dyfishtë në këtë zone atë të kanalit të ujitjes që mbulon një sipërfaqe të ujitshme prej 3500 ha si dhe pritat mbrojtëse nga përmbytjet në anën e majtë të lumit Vjosa (Myzeqeja-Vlorë). Punimet që janë duke u zbatuar në zonën Bishan synojnë mbrojtjen e tokave bujqësore të zonës përreth të cilat kanë qenë të përmbytura nga uji. Nga ky projekt përfitues direkt do të jenë rreth 12.000 banorë në zonën e Novoselës. Qëllimi i këtij aktiviteti konsiston konkretisht në: Rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me mbështetjen e BE-së, për komunitetet e prekura nga përmbytjet në rajonet e Vlorës, Fierit, Gjirokastrës, Beratit dhe Korçës; Rritjen e ndërgjegjësimit rreth kontributit kryesor të ofruar nga BE-ja për të përmirësuar jetën dhe cilësinë e jetesës së banorëve në këto komunitete të prekura nga përmbytjet;Rritjen e ndërgjegjësimit se domosdoshmëria e infrastruktures kyçe të mbrojtjes nga përmbytjet, me qëllim ruajtjen e tokës bujqësore dhe mjetet e jetesës, do të mundësojnë rifillimin e aktiviteteve ekonomike dhe atë të prodhimit bujqësor, në fushat respektive të këtij programit”.
Sigal