Frank Shkreli/ Solidariteti Amerikan me Francën

585
Të hënën mbrëma, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry arriti në Paris për t’i shfaqur popullit francez solidaritetin e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve terroriste në Paris. Ai arriti në kryeqytetin francez nën masa të forta sigurie, për të shprehur ngushëllimet e rastit për viktimat e terrorit, për të theksuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Francën në këtë moment të vështirë, për të nënvizuar marrëdhëniet e forta, që historikisht kanë ekzistuar midis dy vendeve dhe njëkohësisht për të venë në dukje vendosmërinë e përbashkët të Washingtonit dhe Parisit për të luftuar terrorizmin. Me të arritur në kryeqytetin francez, ai shkoi në ambasadën amerikane në Paris të hënën mbrëma, ku mbajti një fjalim, duke e cilësuar Francën si “Miken më të vjetër dhe aleaten e parë të Amerikës.” Ai shtoi se, ky fakt vërtetohet më së miri në periudhat më të errëta dhe më të vështira të historisë së marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, duke thënë se, “Kjo ishte e vërtetë kur Laffayette kaloi Atlantikun 238 vjet më parë për të ndihmuar Amerikanët që të realizonin lirinë e tyre. Kjo ishte e vërtetë në vitin 1917, kur ushtria e gjeneralit amerikan Pershing zbarkoi në Francë për t’iu bashkuar frontit të aleatëve. Kjo ishte e vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika bashkoi forcat e saja me luftëtarët guximtarë e trima të rezistencës franceze për të kundërshtuar dhe për të mundur njërën prej ideologjive më të këqija që kishte parë ndonjëherë bota. Kjo miqësi dhe aleancë midis dy vendeve tona sigurisht që u vërtetua edhe 14 vjet më parë, shtoi kryediplomati amerikan John Kerry, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në New York, në Pensilvani dhe në Washington. Duke kujtuar reagimin francez ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai përmendi kryeartikullin në faqen e parë të gazetës së njohur franceze “Le Monde” në atë kohë, që pasqyronte atëherë ndjenjat e popullit francez në solidaritet me Shtetet e Bashkuara se, (“Nous sommes tous Americains”)”Ne të gjithë jemi Amerikanë”. Zyrtari i lartë amerikan nënvizoi se, “Ai ishte momenti që vuri në dukje qartë se, miqësia shekullore midis dy vendeve tona kishte arritur një nivel më të lartë, se thjeshtë një nivel miqësie: Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk ishin thjeshtë vende mike. Ne jemi një familje”, deklaroi John Kerry në Paris. Kryediplomati amerikan vazhdoi fjalimin e tij, duke thënë se, sot mbarë bota i bashkohet familjes tonë në pikëllimin që ndjejmë nga këto akte terroriste. “Terroristët i kanë deklaruar luftë mbarë qytetërimit. Ata vrasin grupin etnik Jeziditët vetëm se janë Jeziditë. Ata vrasin të Krishterët vetëm se janë të Krishterë. Ata vrasin Shiat vetëm se janë Shiat, e ashtu me radhë”, theksoi Kerry. “Terroristët përdhunojnë, torturojnë e plaçkitin dhe këto ata i quajnë vullnet i Zotit. Ndërkohë që ai i cilësoi terroristët si, “egërsira psikopate të rrezikshme, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetërimin”. Barbarizmi që shkaktoi dhunën, terrorin dhe vrasjen e pakuptimtë të 132 vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Paris – përfshirë edhe katër amerikanëve – nuk është vetëm një sulm kundër Francës, u shpreh Zoti Kerry, por kur të merren parasysh sulmet e tyre të fundit në Liban, në Irak, në Egjipt, në Turqi, dhe gjetiu, atëherë këto sulme përbëjnë një goditje kundër arsyes dhe objektivave tona të përbashkëta, me fjalë të tjera, shtoi ai, ky është një sulm kundër vet qytetërimit. Duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për humbje jete në sulmet terroriste në kryeqytetin francez, ai tha se, ata që u vranë në Paris nga terrorizmi nuk mund t’i ngjallim, por duhet të bëjmë atë që mundemi dhe kjo fillon nga një ndjenë e thellë solidariteti në radhët e njerëzve të mirë dhe të ndershëm kudo, “duke u angazhuar se nuk do të frikësohemi kurrë nga terroristët dhe duke premtuar se nuk do të lejojmë që këta vrasës të realizojnë objektivat e tyre të turpshme”, tha në fjalimin e tij në ambasadën amerikane në Paris, kryediplomati amerikan. Në këtë moment të vështirë për popullin francez, ai u shpreh duke u premtuar francezëve se, “Motrat dhe vëllezërit tuaj amerikanë do jenë pranë jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht pranë jush dhe me ju”, duke shtuar se “Sonte ne të gjithë jemi parisianë”. Ndërkohë që Presidenti i Francës, Francois Hollande i quajti sulmet në Paris si “një akt lufte” dhe përcaktoi Shtetin Islamik si përgjegjës për to, këtu në Shtetet e Bashkuara ka pasur thirrje ditët e fundit që, si rrjedhim, Washingtoni të bëjë diçka më shumë se shprehje solidariteti. Të dielën që kaloi në një program të rrjetit të televizionit amerikan, ABC, njëri prej kandidatëve republikanë për president, Senatori i Shtetit Florida, Marco Rubio tha se, sulmet terroriste në Paris nevojitin një përgjigje të fortë nga organizata NATO. Ai pasqyroi deklaratën e Presidentit francez se sulmet ishin një “akt lufte”, duke u shprehur se sulmet terroriste në kryeqytetin francez ishin në fakt të tilla dhe i cilësoi si, “Sulme kundër njërit prej aleatëve tonë në NATO dhe si përfundim, shtoi ai, duhet të vihet në veprim artikulli 5 i marrëveshjes së NATO-s për të formuar një koalicion me qëllim që së bashku të përballohet kjo sfidë”. Artikulli 5 i marrëveshjes NATO-s përcakton që një sulm kundër njërit prej anëtarëve të saj është një sulm kundër të gjithëve. Ndërkohë, që një kandidat tjetër republikan për president, ish-guvernatori Jeb Bush tha të dielën se, në qoftë se Franca, një prej aleatëve tanë më të vjetër, më të fortë dhe më besnikë në të gjithë historinë tonë, dëshiron invokimin e artikullit 5 të marrëveshjes së NATO-s, atëherë ne duhet të marrim parasysh kërkesën e saj, pasi sipas tij, sulmet përbëjnë një “kërcënim ndaj qytetërimit perëndimor”. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se, aleatët e Francës në NATO janë të gatshëm ta ndihmojnë Francën, megjithëse Parisi nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga Organizata e Atlantikut Verior, NATO. Me ose pa invokimin e artikullit 5 të marrëveshjes së aleancës NATO nga Franca, duket se të pakën Shtetet e Bashkuara dhe Franca, pas sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, do të rrisin bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të tyre anti-terroriste. Të martën në Paris, pas takimit të tij me Presidentin francez Hollande, Sekretari Amerikan i Shtetit, tha se, ata biseduan mbi një numër masash që mund të ndërmerren së bashku, për të qenë më të efektshëm në luftën kundër terrorizimit. Kryediplomati amerikan njoftoi gjithashtu nga Parisi se Presidenti i Francës, Francois Hollande do të vizitojë Washingtonin brenda një jave, për bisedime të mëtejshme me Presidentin amerikan Barak Obama.
Sigal