Tradita dhe suveniret shqiptare prezantohen në Sarandë

1116

Agron MEMA

Prej tri ditësh në qytetin e Sarandës, përgjatë shëtitores tradicionale të saj, ka startuar edicioni i 7-të i Festivalit të Traditës dhe Suvenireve Shqiptare. Ky është një aktivitet që zhvillohet për të shtatin vit radhazi në këtë qytet me iniciativën dhe organizimin e AJMMI (Agjencia Joniane e Medias, Mjedisit dhe Informacionit) e drejtuar nga veteranët e gazetarisë shqiptare Shkëlqim Hajno, Sofokli Mekshi dhe Panajot Boli dhe e mbështetur financiarisht nga bashkia e Sarandës, kryetarja e së cilës është edhe presidente e Festivalit. Kanë prezantuar punimet e tyre 85 artizanë nga qytetet e Shqipërisë dhe trevat shqiptare të malit të Zi dhe Kosovës. Në çdo tryezë dhe stendë pushuesit e shumtë vendas dhe të huaj janë prezantuar me traditën e hershme dhe të sotme të artizanatit shqiptar. Natën e parë i ka vizituar kryebashkiakja Floriana Koka, e cila i ka përgëzuar për iniciativën e tyre në drejtim të ruajtjes së traditës së popullit shqiptar në drejtim të artizaneve dhe suvenireve, ku në pjesën më të madhe të tyre sundonin motivet dhe simbolet kombëtare. Një kujtesë dhe ruajte në vazhdimësi e traditës kombëtare. Nga 85 subjekte pjesëmarrëse, 15 prej tyre janë pjesëmarrëse për herë të parë në këtë Festival si dhe dy shoqata me qendër në Tiranë. Punimet kanë qenë në dru, gips, materiale metalike të llojeve të ndryshme, leshi, lëkure bagëtish etj. Për nder të tyre si pjesëmarrës përveç certifikatës përkatëse, janë dhënë për herë të parë edhe certifikata e AJMMI-it si dhe 15 certifikata mirënjohjeje. Gjithashtu është prerë torta e traditës dhe një shëtitje në buzëmbrëmje me anijet turistike të biznesmenit sarandjot Ilir Hysi përgjatë bregdetit jonian, ka mbyllur këtë aktivitet kulturor të motiveve dhe traditës popullore.