Mesazhet e At Gjergj Fishtës/ Politikanët e sotëm kanë çfarë të mësojnë nga testamenti i gjeniut të letrave. Evropa nuk na do dhe është…

1010
Sigal

Dhe Evropa hesht ose bën avokatin e djallit

Shkrimet e mrekullueshme të At Gjergj Fishtës, edhe pse janë formuluar rreth 100 vite më parë kanë po të njëjtat vlera për situatën e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Mal I Zi. Nga këto mesazhe mund te mësojnë jo vetëm intelektualët, por në radhë të parë politikanet e sotëm. Fishta dhe burrat e Shqipërisë të mbledhur në Manastir — me gjithë ndryshimet e mëdha, mbi te gjitha e donin Shqipërinë dhe vepruan për të mirën e nderin e saj. Sot vendit i mungojnë burra të tillë si Ismail Qemali, At Gjergj Fishta, Fan S.Noli, Sami, Abdyl dhe Naim Frashëri, Mjeda, Çajupi, Asdreni e dhjetëra e dhjetëra heronj që shkruan historinë e Kombit me pushkë dhe me penë. Pikërisht mungesa e këtyre personaliteteve që u shkrinë për mëmëdhenë ka bërë që vendi të jetë në kaos dhe të lundrojë me vela të cilat po e çojnë nga fryn era më e fortë. Kjo erë evropiane shpesh herë ka treguar mungesë qëndrueshmërie, e ka luftuar dhe copëtuar kombin shqiptar sipas interesave të tyre të vjetra si para 110 vitesh edhe në ditët e sotme po të kemi parasysh ndarjen e Kosovës, ndarjen dhe shkëputjen e trojeve shqiptare për t’ua dhënë shpërblim Malit të Zi, masakra e Çamërisë nga shovinizmi grek, gjaku i kuq i së cilës vazhdon të ngjyrosë hartën e zezë të fuqive të mëdha Evropiane. Ndaj Shqipëria dhe shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, të lexojnë, dhe të zbatojnë porositë dhe amanetet e Rilindësve të mëdhenj dhe të vërtetë dhe jo të atyre që pasi vodhën pasurinë dhe Shqipërinë, vodhën edhe emrin e madh që identifikon RILINDËSIT E KOMBIT. Evropianët e sotëm nëpërmjet ambasadorëve, të dërguarve të posaçëm apo reporterëve vijnë e ikin, fusin përçarje, shpërblehen nga shtetarët dhe lënë pas tyre tokën e djegur, emigrimin dhe kurbetin e shqiptarëve. Vendi ka rënë në dorë të bandave dhe kriminelëve, të cilët kanë zaptuar pasuritë e vendit duke u kthyer në oligarkë. Dhe Evropa hesht ose bën avokatin e djallit. Ligji mungon dhe bandat punojnë me rregullat e mafies. E atëherë kur këto rregulla prishen vetëgjyqësia dhe plumbat janë gjyqi për kundërshtarët. E përsëri Evropa hesht, madje nxit politikën, se jeni në rrugë të mbarë. Atje ku paratë e krimit riciklohen si investime ….pikërisht atje pushteti jo vetëm ai ekonomik, por dhe ai politik gjyqësor, pse jo edhe një pjesë e atij mediatik janë në duart e krimit… Në një realitet të tillë nuk ka zhvillim as stabilitet dhe as perspektivë. Pjesa e ndershme e shoqërisë bën bilancin. Kështu me korrektese, me vlera dhe zbatim të ligjit mbetesh i varfër… Kriminel nuk jemi se nuk e kemi në gjak dhe ndërgjegje, atëherë ikja është zgjidhje…do të thoshte Prof. Kabo.  Nëse një politikan i çdo niveli telefonon një kriminel, nëse një bashkiak i jep leje ndërtimi një krimineli…, nëse një qeveritar ha e pi me një të inkriminuar… ky realitet quhet Republika e të Inkriminuarve…Dhe përsëri Evropa hesht dhe disa nga emisarët e saj flirtojnë në lokale dhe hotele luksi. Ndaj dhe shqiptarët të dekurajuar marrin arratinë dhe përsëri Evropa fërkon duart për këtë maskaradë në zemër të kontinentit plak. Në thelb të qytetërimeve janë besimet fetare, por edhe gjuha. A mund të jetë kjo një arsye se, përse Evropa mban këtë qëndrim, gjë që ka detyruar rreth 1 shekull më parë At Gjergj Fishtën të bëjë deklaratën më të fortë por edhe më realiste për fuqitë evropiane. Ja shkrimi i plotë i gjeniut të letrave, kulturës dhe krishterimit shqiptar, pasardhës e denjë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbe.

At Gjergj Fishta: “Uh! Evropë ti kurva e motit…”

At Gjergj Fishta, (1871-1940) është një krijues madhështor jo vetëm për letërsinë shqipe, por është edhe një personalitet tejet i dalluar për shumë segmente të jetës sonë kombëtare. Nuk është tepruar edhe kur është krahasuar me Homerin, apo Danten, sepse për letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare, Gjergj Fishta na paraqitet edhe si Homer edhe si Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler. Nga do të studiohet poezia e tij, arrijmë në përfundim, se angazhimi i Fishtës për kombin, kulturën, për shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte preokupim mbi të gjitha preokupimet. Duke qenë krijues me një kredo origjinale, një mendje erudite, një burrë i zakonit, një prift i devotshëm, i cili kishte gjetur strehë në nderin, besën dhe cilësitë morale të jetës tipike, patriarkale shqiptare, Fishta për asnjë moment nuk iu nda fatit të kombit e Atdheut, as atëherë kur e trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur e kritikoi dhe e satirizoi. Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Noli dhe bashkëkohësit e tij fatin e tyre jetësor e kishin lidhur me fatin e shqiptarit, që po kolovitej në katrahurën e madhe njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin po e kafshonin, po e ndanin dhe po e bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe Rusisë.

Edhe pse prift i besimit katolik, edhe pse i orientuar me tërë qenien nga kultura dhe tradita pozitive evropiane, Fishta në krijimtarinë e tij i mbeti besnik zërit të kombit e Atdheut, duke bërë përpjekje për ta mbrojtur nga të gjithë, sepse edhe ishte sulmuar nga të gjithë: Nga Turqia që po hiqte shpirt, nga Greqia, e cila, falë luftës së Ali Pashë Tepelenës, me ndihmën e Evropës kishte shpallur pavarësinë, nga Serbia, e cila po dyndej me zjarr e barbari drejt tokave shqiptare, madje edhe nga Bullgaria, Mali i Zi, por edhe Italia e përtej detit. Duke parë dhe duke përjetuar thellë në shpirt këtë katrahurë që ishte derdhur mbi shqiptarët, doemos se ai do të protestonte dhe protestën e tij do t i hidhte në ballë Evropës, Moskovit, Stambollit. Duke qenë njohës i thellë i rrethanave politike, diplomatike e shoqërore, Fishta ishte i vetëdijshëm se shtetet e Evropës po e sakrifikonin Shqipërinë, me qëllim për të kënaqur orekset e shteteve sllave dhe me qëllim për ta dënuar një komb të tërë, asokohe kombin me numrin më të madh të banorëve në Ballkan, i cili në përpjekjen e tij për mbijetesë kishte pranuar islamin, por kurrë pushtimin dhe robërinë turke.

Andaj ai kishte derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër, pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës.

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Këto vargje diskrete të zemërimit dhe pezmit, Fishta i kishte deklamuar si shqiptar, si pjesëtar i një kombi që po viktimizohej dhe po sakrifikohej për interesat e sllavëve dhe grekëve të Ballkanit. Zemërimi i Fishtës kishte arritur kulmin, kur në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, Eduard Grei Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Madhe dhe Kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte pranuar se paqja e lidhur mes Fuqive të Mëdha do të peshonte mbi kurriz të Shqipërisë dhe, përderisa ishte fjala për paqe, do të sakrifikohej Shqipëria, meqë ishte shtet më i dobët dhe pa asnjë aleat të botë. Evropa e asaj kohe përfillte interesat e veta, ashtu sikur po përfill edhe sot Brukseli zyrtar, duke ia plotësuar Serbisë, “këlyshëve të Rusisë” të gjitha kërkesat, duke krijuar edhe një Republikë të vogël serbe në veri të Kosovës, me qëllim për ta mbajtur peng bashkimin e shqiptarëve, edhe 100 vjet pas Konferencës së Londrës, edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

 Gjergj Fishta më së miri e kishte kuptuar hilenë e Evropës, e cila thirrej në qytetërimin e saj të lashtë, në drejtësi e barazi, në të drejta kombëtare për vetëvendosje. Ai i çori maskën Evropës, e cila për të kënaqur orekset e këlyshëve të Rusisë cariste, ishte pajtuar që të viktimizoheshin shqiptarët e Shqipëria. Pezmi i Fishtës ende gjallon, jo vetëm në vargjet e tij por gjallon te zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve liridashës. Po është klasa politike shqiptare, në Tiranë, Prishtinë e Shkup, e cila na përkujton edhe disa “sallahana” të kohës së Fishtës, të cilët edhe një qind vjet pas copëtimit të trojeve të Atdheut mbeten po ata, gjakpirës, rriqna e ushejza të pangopur.

 Gomari i Babatasit

Ju rrugaça sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë me ne,

do t’na qelbi fis e atdhè?

Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,

se tash ma jemi tue u njoftë,

se kush jini e shka jini

se kah shkoni e se kah vini

plang e shpi se kah i kini

e sa pare u ban gjaku:

se për ju, po, duhet laku,

për me u vjerrë o kund m’do i shpat!

Deri dje, pa kmishë mbi shtat,

me ‘i gjysmë setre t’pa astar,

lshuemum krahve kalavar

e me ‘i komçë t’njtitme nën grykë:

pantallonat me “gjyslykë”

kto edhe lidhun me nji spagë:

shtatit rreshke e ba saragë,

t’tanë gordec e berbalec

pa ndo ‘i msim, pa ndonji dije,

me ‘i fillore a nji iptadije,

erz e shpirt qitun nën themër:

turq a sllave a grek me zemër,

falun barkut veç Shqipnisë,

si ajo marrja e t’gjith njerzisë…

tuj u shite ju për gjithë treg,

sod na mbahi “Skandërbeg”,

e ngërdhucë, goditë, limue,

rrue, qethë, pipirique,

tash n’ “smoking”, tash në “bon-jour”

ju, qi dje s’kishit as ushkuer

me lidhë brekët me nder me thanë

m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,

rrugën krejt na e keni zanë,

ke na shkoni pash e m’pash,

edhe besa me “gulash”

me “afishe” e me “sultjash”,

me “kjumshtuer” e me “ashurè”,

“kosha gjelash” si kubure,

“tarator”, “pilaf me kos”,

“mish me qepe” e “majdanos”

“shish qebap”, “brizholla viçi”,

“kunguj t’mbushum”, “kuzuici”,

“kabuni”- e “mualebi”.

Barku sod ju rri ju kodër,

kargatisë e bamun lodër:

der sa ata burrat e dheut,

qi për jetë e nderë t’Atdheut

kane ra n’luftë si shqipe t’leta,

kanë shkri gja e shpija t’veta,

kanë tuj dekë rrugave unit,

me iu dhimbë gurit e drunit.

Përse, po, kta matrahulla,

kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,

n’vend qi ju me u vu n’konop,

a se brinjt m’jau zbru me shkop,

a, mos tjetër, me u ngushtue

me xjerrë zhuri kund m’ndo ‘i prrue

për me shtrue ndo ‘i rrugë të shtetit

a me dlirë ndo ‘i skelë detit,

lavjerre buzësh, harru si viça

kqyrin m’ju si t’ishi ogiça,

për me u pri udhës s’qytetnisë

e me i sjellë t’marën Shqipnisë.

Ani kush, pra, me i pri kombit:

ju, do pyka bijtë prej llomit

qi “shqiptarë” vedit i thoni,

jo pse ju Shqipninë e doni,

jo pse ju ndo ‘i send kuptoni

shka asht Atdheu e shka asht Liria,

shka asht Vllaznija a Parasija,

Përparimi e Qytetnia,

por veç pse ende der më sot

nji tyran s’po e gjeni dot,

nën kambë t’cillit ju me u shtrue,

se un ma tash ma jam regjë me jue,

e jau njof shpirtin der m’palc,

pleh i ndytë me u bartun n’shalc

e me u qitë jashta Shqipnije.

Pezmi i Fishtës ishte drejtuar në të gjitha anët, sepse edhe trojet shqiptare ishin sulmuar nga të gjitha anët. Për më keq edhe më keq shumë nga politikanët, bajraktarët e fisnorët shqiptarë të asaj kohe kishin përfituar mbi kurrizin e Shqipërisë, e cila kishte mbetur në mëshirë të kohës dhe, përderisa të huajt ia copëtonin tokat dhe ia masakronin banorët autoktonë, kishte edhe mjaft shqiptarë trutharë e tradhtarë që kishin qitur në treg tokat e Atdheut, si Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogolli, Cen Kryeziu (cernogllaviqi) e të tjerë. Fishta vajtonte dhe fshikullonte fatin e zi të shqiptarit, i cili ishte degdisur nga të gjitha anët, atij nuk i kishte mbetur as gjë në dorë, meqë ishte sulmuar nga jashtë e nga brenda…

Shka bajnë tash shqyptarёt?….

Han fiq e kastraveca

E pijn’mastikё e qesin petlla n’ujë;

E ngrehen rrugёs e fryhen si gjeldeca;

E rrin tue kqyrun udhёs ushtarёt e huej

Pale’a kanё ksulen qyp a se kapelё,

A ka uficiali kalin at apo pelё.

Askush më mirë se Fishta nuk i kishte identifikuar, akuzuar dhe diskredituar shkaktarët e vërtetë të humbjes së madhe të shqiptarëve dhe Shqipërisë, andaj duke qenë me mish i shpirt i interesuar për ta nxjerrë Shqipërinë në dritë, ai doemos se kishte një uzdajë në mos te Evropa, atëherë te ndonjë shtet i fuqishëm i saj, sikur ishte Italia fashiste. Dhe, në atë mendësi politike, Fishta nuk ishte i vetëm. Duke parë se bota kishte ndërruar shumë pas pasojave që sollën Luftërat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, pas Konferencës së Londrës dhe të Versajës, pas ngadhënjimit të Revolucionit të Tetorit në Rusi, Fishta doemos se kishte përkrahur mbështetjen e Shqipërisë te një fuqi e kohës, edhe pse ai nuk pati ndikim politik, as diplomatik, sepse Fishta kurrë nuk ka qenë zogist, edhe pse e kishte pushuar luftën kundër tij ashtu sikur bënë edhe Faik Konica e shumë emra të tjerë të njohur të kohës.

Ja një nga poezitë e tjera të At Gjergj Fishtës

I dbuemi

Lamtumirë!-vendet e mija,
Qe,po zhduken dalë-kadalë;
Gjimon deti,ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.


Kah njai diell, qi asht tue flakue
Andaj fill un tash do t’veta…
Lamtumirë!atdhe i bekue!
Lamtumirë!Për sa tjet jeta!


Nesër nade kur mbi ne
Rrezja diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhe
Mue prej teje ka me m’da!


E por n’pvetsha ret’ mizore,
e por n’pvetsha zogjt e detit;
Se për ty, moj tokë arbnore,
S’ka me m’folë ma mue t’shkretit…


Tjera fusha e tjera zalle
Kam me pa,e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjuhë, n’tjera qytete;


Vendin tem, por s’kam me pa,
Ku kam le e jam burrnue;
Syt e mi edhe kamë me kja,
Pa u gjetë kush qi me i ngushllue.


Pa kend temin, posë nji zotit,
Tue shkretue për dhe të huej,
Kanë me m’shkue mue ditt e motit
Sha e përbuzun prej gjithkuej.


Kam me pas shkretin’për votër,
E për shrojë të ndeztën ranë;
Kam me pasë, ulkonjën motër,
Kam me pasë ,ehu! tigren nanë…


Nana e mbetme për së gjallit
Ka me m’kja, kush edi, ndo’i dite,
Dersa mot ka, dekun mallit,
Kot ndo’i herë mue ka me m’pritë


Ka me i njehë, po, krushqit, e mjera,
Me i pru nanës n’shpi nji re:
Por i vllaj, kushdi, m’atë hera
Ka me u kalbun për nën dhe!


E njai dhe- ehu! kob prej qiellit!-
S’ka me kenë, jo dheu i t’parvet
Ku ma bukur qiella kthihet,
Ku ma ambël n’gjuhë t’shqyptarvet


Para Hyjt naltohet lutja,
E ku besa asht e shejtnueme
E ku zemrat s’dijn shka asht tuta,
E ku bjeshkët janë të madhnueshme.


Oh! Ju bjeshkët e Shqyptaris’!
E ku rriten djelm si zana!
Un ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Dersa t’muj me ligjirue,
Ju gjithmon kam me u përmendë!


E ato hala e qipariza
Kam me i pasë nder mend gjithmonë,
E ato stane e njato mriza:
E ato berre e ato kumbonë…


Por, oh vaj! Malet e mija,
që, po zhduken dalë-kadalë:
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka valë mbi valë.


Lamtumirë, pra,bjeshkë e male!
E ju shkrepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale,
E ju prroje e ju gurra!


Lamtumirë, ju mriza e stana!
Lamtumirë, kumbona e berr’e!
Lamtumirë, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe ,ene ju djerre.

Lamtumirë ti shpija e t’parvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhan shtektarvet
Miqt e babës edhe ku i prita

Lamtumirë, carani m’votër.

Lamtumirë ju armët e shkreta!
Lamtumirë! ti nanë e moter!
Lamtumirë, për sa t’jet jeta!…