Martirët e Demokracisë

81
Reshat Kripa

Vijon nga numri i kaluar
Në Mukje zhvillohet takimi i njohur midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Pjesëmarrësit e saj janë figura të njohura të të dy palëve. Rezultatet e këtij takimi historik tashmë njihen: Luftë të përbashkët kundër okupatorit, Shqipëri etnike dhe vendosja e pushtetit me anën e votës së lirë. Komunistët shqiptarë nuk ishin të kësaj mendjeje. Ata kishin vendosur që pushtetin ta mbanin për vete. Pa u tharë boja e marëveshjes së Mukjes, e braktisën atë. Në Shqipëri filloi lufta vëllavrasëse. Masakra të tmerrshme bëheshin në çdo skaj të saj. Më lejoni të permend disa: atë të Libohovës me 105 viktima, të Gjirokastrës me Boço Kalon në krye me 17 viktima, të Myzeqesë me 65 bujq të pafajshëm, të Tiranës në nëntorin e 1944-s me 38 intelektualë të vrarë. Prishja e marëveshjes së Mukjes, vrasja e Hysni Lepenicës me tridhjetepesë trimat e tij dhe fillimi i vëllavrasjes, e detyruan Syrjain të shpërndante batalionin dhe të hiqte dorë nga kjo luftë që tashmë ishte kthyer në luftë civile. Shtabi i forcave të Zonës së Parë Operative i propozoi të bashkohej me forcat partizane. Ai nuk pranoi. – Nuk u largova nga Balli, por nga vëllavrasja. Bindjet politike nuk i ndryshoj. Me ju nuk mund të vij se nuk mund të bëhem komunist. – i tha Dr. Ibrahim Dervishit që kishte ardhur për t’i bërë propozimin. U largua dhe u vendos familjarisht në Lushnje. Me mbarimin e Luftës kthehet përsëri në fshat. Kryesonte Këshillin e Gjërë Popullor të Rrethit Tepelenë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Nisi ndërtimin e shtëpisë së djegur nga italianët, por nuk arriti ta mbaronte. Në muajin tetor arrestohet me të njëjtën akuzë si miku i tij Zeneli dhe më 17.11.1947 dënohet me vdekje me pushkatim, vendim që ekzekutohet më 14 janar 1948. 

Zenel Shehu lindi në vitin 1918 në fshatin Toç të Tepelenës. Ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, e njohur në gjithë krahinën. Më 28 Nëntor 1912 është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë. Në janar 1920 zgjidhet dhe mer pjesë në Kongresin e Lushnjes. Po atë vit organizon dhe mer pjesë në krye të çetës së tij në luftën patriotike të Vlorës. Zenel Shehu shkollën fillore e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pastaj vazhdoi mësimet me bursë shteti në shkollën tregëtare në Vlorë. U dallua si një nxënës i shkëlqyer. Me mbarimin e shkollës tregëtare shkon në Itali, ku vazhdon universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin 1939, me rastin e pushtimit të Shqipërisë, detyrohet të ndërpresë studimet dhe të kthehet në Shqipëri. Këtu e mobilizojnë ushtar dhe e dërgojnë në Pukë. Së bashku me disa shokë të tjerë braktis shërbimin ushtarak dhe hidhet në ilegalitet, në rradhët e çetave partizane. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit, me luftëtar të zonës së Krahësit dhe Buzit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë bashkëpunon dhe luan një rol kryesor me luftëtarë të tjerë partizanë dhe ballistë si Syrja Vasjari, Asaf Dragoti, Hajri Zaçe, Abaz Shehu, Fejzo Ismaili e të tjerë. Me prishjen e Marëveshjes së Mukjes krahu i djathtë i forcave partizane, filloi ta kuptojë lojën aspak të ndershme të udhëheqësve të tyre. Një ndër këta ishte edhe Zenel Shehu. Në Kongresin e Përmetit pati kurajon t’u drejtohej udhëheqësve me fjalët: – Ne morëm armët dhe dolëm në mal dhe vumë në dispozicion të Luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes, për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend të tij simbolin sllav të yllit të kuq. Pas fjalës së tij Tahir Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha: -Çfarë bëre kështu more Zenel?! Nuk luftohet kështu si ti, se të merr plumbi ose në ballë ose prapa koke. Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave. Pas mbarimit të Luftës emërohet nënprefekt i Tepelenës. Propozohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por hiqet nga lista nga organet drejtuese në Tiranë. Në fillimin e vitit 1946 heq dorë nga detyra e nënprefektit. Arrestohet në shtatorin e atij viti. Me vendimin Nr. 242 datë 17.11.1947 dënohet me pushkatim. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948. 

At Gjergj Suli u lind në fshatin Lekël të Tepelenës më 12 mars 1893, në një familje me bindje të thella të besimit ortodoks. Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmin në gjimnazin “Zosimea“ të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendoset në Boston dhe Filadelfia. Bie në kontakt me shqiptarë të tjerë dhe bëhet anëtar i shoqërisë “Vatra“. Ishte nën ndikimin fetar të imzot Fan Nolit. Kreu një shkollë fetare dhe pas saj shungurohet prift. Në vitin 1934 kthehet në Shqipëri. Pushtimi fashist e gjeti në fshatin e lindjes. Në dhjetorin e vitit 1946 arrestohet si dy të mësipërmit dhe dënohet me vdekje me pushkatim më 17.11.1947. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948. 

Baba Shefqeti i Koshtanit lindi në vitin 1885. Shërbeu për një kohë të gjatë në teqenë e Koshtanit, që ishte kthyer në vatër të shqiptarizmës. Ishte një antifashist i vendosur. Teqeja e tij u bë një qendër ku kuroheshin partizanët apo nacionalistët e plagosur. Si besimtar ndaj Zotit, nuk mund të pranonte ata që ishin bashkuar me djallin. Dhe kur ky e pushtoi vendin, jeta e tij nuk kishte më kuptim. Ai ishte i bindur se Zoti ishte i madh dhe se syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Me këtë besim përballoi momentet e fundit të jetës. Arrestohet në dhjetorin e vitit 1946 dhe dënohet më 17.11.1947. Ekzekutohet më 14 janar 1948.

Baba Ali Tomori ka lindur në vitin 1893 në fshatin Shalës të Buzit. Ishte i biri i Abazit, që kishte mbaruar shkollën e lartë për mësues në Stamboll dhe emëruar në Kozare të Selanikut, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1913 kthehet përsëri në teqenë e Prishtës. Pas masakrës së vitit 1914 nga ana e grekëve, detyrohet të marrë rrugën e emigrimit. Kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset si Baba në teqenë e Kulmakut, ku mori edhe titullin “Baba Ali Tomori“. Pushtimi i Shqipërisë edhe prej tij u prit me indinjatë të thellë. Si të gjithë bektashinjtë e tjerë edhe teqeja e tij u bë çerdhe e djalërisë kryengritëse. Kohët e fundit shërbeu në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Arrestohet në janarin e vitit 1947 dhe dënohet më 17.11.1947. Si shokët e tij ekzekutohet më 14 janar 1948. 

Këto ishin figurat kryesore të asaj masakre që u zhvillua atë natë janari në Gjirokastër. Por sa të tilla janë zhvilluar gjatë regjimit totalitar? Shkoni në sallën e gjenocidit të këtij muzeu dhe do të shihni fotografitë e disave nga mbi gjashtëmijë burrave të masakruar. Një pjesë prej tyre, gjatë periudhës kur vendin e qeveriste Partia Demokratike, kanë fituar titullin “Martir i Demokracisë“. Për të tjerët vazhdon heshtja. Ndërmjet tyre edhe për heronjtë e këtij shkrimi. A është e moralshme një gjë e tillë? Unë mendoj se jo. Hidhini një sy teksteve të historisë që studjohet nëpër shkolla dhe do të shihni se për këta burra dhe për këtë terror as që flitet fare. Atëhere kur do ta mësojë të vërtetën e këtij vendi brezi i ri që po rritet në atdheun tonë? Ne sot po jetojmë epokën e ndryshimeve të mëdha. Dhe unë besoj se kjo duhet të jetë koha e rehabilitimit të plotë këtyre figurave. Një gjë e tillë do të bëjë që të fitojmë Shqipërinë e ardhshme, Shqipërinë demokratike. Një problem tjetër është edhe ai i gjetjes dhe rivarrimit të eshtrave të të rënëve tanë. Ata janë pa varr, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit. Së fundi më lejoni të tregoj një ngjarje intime, lidhur me personazhet e kësaj kumtese. Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80-vjetorin e lindjes së mikut tonë, Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:

– Ndale pak të lutem!
Makina ndaloi dhe ne zbritëm.
– Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, – tha Eqeremi
Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë, sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“. Dhe eshtrat e martirëve u hodhën në lumë
– Fejzi, bjeri bories! – foli përsëri Eqeremi.
Dhe boria ushtoi në ato brigje në nderim të martirëve të lirisë dhe demokracisë.