Sigal

Personi që shikoni në foto është Amarildo Çalameni, 21-vjeçari që aksidentoi për vdekje dy kushërinjtë Dogani. Amarildo, me origjinë nga fshati Arapaj ku ndodhi aksidenti i rëndë, humbi kontrollin e makinës “Volkswagen” për shkak të shpejtësisë së lartë, dhe përplasi djemtë e xhaxhallarëve pasi mjeti doli nga rruga.

Përplasja nga makina ishte fatale për kushërinjtë. Festim Dogani dhe Amarildo Dogani humbën jetën në vend. Ndërsa i plagosur mbeti kushëriri tjetër i tyre, fatmirësisht jashtë rrezikut. Ai shpjegoi sot për gazetarët se si rrodhi ngjarja.

“Pimë kafe dhe dolëm përjashta po rrinim, në muhabet e sipër dëgjoj një zhurmë frenimi shumë të madhe, kur pas çohet një nga këta çunat e xhaxhallarëve ikën i pari, kur ikën i dyti më kap cepi i makinës, më plas në mur te një shkallë atje. Këta çunat e xhaxhallarëve i pashë që makina i përplasi matanë”, thotë i plagosuri.

Drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja pas aksidentit, por u arrestua disa minuta më vonë nga Policia e Fierit. 21-vjeçari Amarildo Çalameni rezulton të jetë shofer problematik. Sipas të dhënave një ditë më parë, Amarildo Çalameni 21 vjeç është gjobitur disa herë për shkelje të ndryshme administrative.

Ai është ndëshkuar 10 herë me gjobë, konkretisht: brenda vitit 2018 ka marrë 3 masa për parakalime të gabuara, 2 masa për përdorim celulari, 1 masë administrative për tejkalim shpejtësie me pezullim të lejes së drejtimit në vitin 2017, dhe një masë për mungesë kontrolli teknik.