Lulzim Basha: “I përkushtuar për transformimin e qytetit, në çdo cep të tij!”

509
Sigal

 Me një investim prej 23.8 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës “Xhemal Tafaj”, në njësinë bashkiake nr.8. Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur, se puna për transformimin e Tiranës po vijon me ritme të shpejta, në çdo cep të saj. “Rikthimi tek blloku “Xhemal Tafaj” më jep kënaqësinë e vizitimit të një pune të kryer mirë, me cilësi dhe në një kohë të shkurtër, kënaqësi që sot e ndaj me të gjithë banorët e këtij blloku dhe që dua t’i siguroj, sikundër edhe banorët e blloqeve fqinj e në të gjithë Tiranën, se transformimi dhe puna për ndryshimin pozitiv në Tiranë vazhdon me ritme të shpejta dhe do të vijojë. Unë mbetem i përkushtuar, për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve të Tiranës, në çdo cep të qytetit të Tiranës, në çdo kohë dhe siç vizitojmë sot këtë bllok të përfunduar, do të kemi rastin gjatë javëve në vijim, të shohim të tjera punë të mira të përfunduara në qytet dhe të tjera punë të mira që po fillojnë anembanë qytetit”, – deklaroi z. Basha.

 Lulzim Basha:7 kompani vazhdojnë garën për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës

Bashkia e Tiranës  përzgjedh 7 kompanitë, të cilat do të vijojnë garën për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha në një njoftim thotë: “Më datë 14 qershor, Bashkia e Tiranës ka hapur procedurën e parakualifikimit të ofertave, për ndërtimin e bulevardit të ri. Nga 15 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Gjermania, Austria, Itali, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe por edhe nga Shqipëria, të cilët shprehën interes për të ndërtuar bulevardin e ri të Tiranës, aktualisht janë përzgjedhur 7 prej tyre, pas vlerësimit të dokumenteve të paraqitura. Këto 7 kompani, brenda 30 ditëve duhet të paraqesin ofertën financiare, për të vijuar më pas me përzgjedhjen e kompanisë fituese, e cila do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës”, thekson Basha. Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61.000.000.00 euro, për zbatimin e projektit  të studios arkitekturore  “Grimshae Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Punimet e zbatimit të këtij projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 54.000.000.00  euro si dhe grantit  nga qeveria e Katarit me vlerë 7.000.000.00 euro. Në  fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor.  Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë,  godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra  biznesi etj. Korridori i lëvizjes përgjatë bulevardit veri – jug si dhe unaza veriore e qytetit do të sjellin zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane dhe mbetet zgjidhja e vetme për një mjedis sa më ekologjik. Ky projekt përveç se dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit.