45 deputetë të PS do ndryshojnë zonat, 15 nuk do futen në listë, 450 të rinj lakmojnë të futen në listën e Ramës

425
Përparim HALILI
Në Kongresin Elektoral të PS, do të lexohet formalisht lista e emrave të paracaktuar nga kreu i “Rilindjes”
Ankthi dhe oreksi i një “ushtrie” individësh brenda e jashtë PS, për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë të “Rilindjes”, ka futur në garë emra të gardës së vjetër të PS, udhëheqës të rinj të rilindjes, shokë e miq të rinj e të vjetër të kryetarit të PS dhe rrjetës septike dhe familjare të tij e të atyre që kanë fuqi të plotë ndikuese mbi të
“Historia” e listës së deputetëve të “Rilindjes” të 23 qershorit 2013, ka këtë realitet: Në të u futën jo pa dijeni prej kryetarit, shumë personazhe me rekorde kriminale, të cilët u nxorën dhe vetë-ikën një e nga një, duke arritur skandali deri aty, sa në listat e disa qarqeve nuk kishte me kandidatë për t’i zëvendësuar
Kryesia e Partisë Socialiste, deklaroi dje, se do te mbledh kongresin elektoral, në të cilin do të shpallen platformat dhe piketat e fushatës zgjedhore parlamentare, të 18 Qershorit 2017. kryesia vendosi të thërrasë Asamblenë Kombëtare më datë 2 prill, ndërkohë që në fund të muajit prill, do të mblidhet Kongresi Elektoral. Lajmi që qëndronte brenda këtij njoftimi zyrtar të PS, ishte ky: Përveç programit elektoral, kongresi do të miratoj edhe listën e kandidatëve për deputetë të “rilindjes” në të gjitha qarqet e vendit. Ajo që i mungonte lajmit ishte fakti, që kupola e “rilindjes”, më saktë kreu i saj Edi Rama, ka nisur prej kohësh hartimin e listës kandidatëve për deputetë, duke përcaktuar edhe renditjen e tyre numerike në listat e qarqeve, se cilët do të jenë në grupin e parë të fituesve, cilët në mes të listës e cilët në fund të saj. Ky fakt, ka futur në “ethe” drejtuesit e PS si ata që janë brenda “vijës së verdhë” të klanit të kryetarit Rama, por më në ankth janë drejtuesit e partisë, që gjenden, ose më saktë që janë lënë jo pa qëllim jashtë “kangjellave të oborrit” të kreut e të klanit të kreut të “rilindjes”. Ndaj dhe sipas burimeve nga brenda kupolës së “Rilindjes”, thuhet se listat e kandidatëve për deputetë që do të paraqiten për miratim në kongresin elektoral të 30 prillit 2017, do të jenë një formalitet, mbasi emrat janë përzgjedhur prej kryetarit Rama dhe kupolës që komandon PS-në. Prej Ramës është vendosur në masën 90% të listës, se cilët do të jenë kandidatët për çdo qark të vendit, madje edhe për çdo rreth e zonë elektorale. Miratimi gjoja i listës së kandidatëve në kongresin elektoral do të jetë një falsitet, sa për të justifikuar stërkëmbëshat ndaj atyre që do të mbeten jashtë kandidimit, ose që do të vihen në fund të listave, sa për të përligjur largimin e tyre me mandate të pa fituar. Ankthi dhe oreksi i një “ushtrie” individësh brenda e jashtë PS, për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë të ‘rilindjes”, ka futur në garë emra të gardës së vjetër të PS, udhëheqës të rinj të rilindjes, shokë e miq të rinj e të vjetër të kryetarit të PS dhe rrjetës septike dhe familjare të tij e të atyre që kanë fuqi të plotë ndikuese mbi të për shumë arsye shërbimesh e përfitimesh, që përfliten publikisht si abuzime ministrave e ish-ministrave që u shkarkuan nga kryeministri dhe që dje, ky shkarkim u finalizua nga presidenti Nishani. “Historia” e listës së deputetëve të “rilindjes” është një “faqe e zezë” e parlamentarizmit shqiptar, për faktin se në listat e 23 qershorit 2013, u futën jo pa dijeni prej kryetarit, shumë personazhe me rekorde kriminale, të cilët u nxorën dhe vetë-ikën një e nga një. E për me tepër, i turpshëm është fakti, që listat e kandidatëve për deputetë të “rilindjes” në qarqe, ishin të mbushura “nga fundi në krye” me aq kontingjente të botës së krimit, sa në disa qarqe, pas largimit dhe vetë-largimit të tyre, nuk kishte me emra në listën e kandidatëve! Nuk e dimë nëse kreu i “rilindjes” ka zënë mend nga ky zullum që bëri me listat e deputetëve të qershorit 2013, por dimë faktin që përsëri po bën përzgjedhje sipas shijes dhe interesave të veta, pa u konsultuar me bazën socialiste. ndaj dhe duke ditur faktin që listat e harton vetëm kryetari Rama, deputetët aktualë, kandidatët e mbetur në listat e vjetra dhe ata që lakmojnë të futen në lista për t’u bërë deputetë, janë vërsulur me të gjithë mjetet dhe mënyrat, pazaret dh, skenarët dhe prapaskenat që njeh bota e “triumfit”, për të kapur një vend në listën për deputetë, madje mbi vijën e parë të atyre që mendohet se do të fitojnë mandatin e deputetit. Brenda kësaj beteje elektorale brenda “Rilindjes”, për të kapur vendet për deputetë, pra për ty futur në grup-listën e sigurt të fitores, por edhe në “brezin e dytë” të kësaj liste e karakterizon një përleshje e heshtur mes individëve e grupeve që përjetojnë lakminë për t’u bërë deputetë për herë të parë, të atyre që po bëhen gjyshër e gjyshe si deputetë, të atyre që kanë kaluar moshën e pensionit edhe me 5 e 10 vite dhe vazhdojnë të jenë deputetë, pro edhe të atyre me një e dy mandate, që duan të vazhdojnë deputetllëkun në PS me pazare e lëpirje të kolltukut të kryetarit. Brenda këtij dueli të heshtur, por të egër mes tyre, ka edhe një element tjetër: Ndryshimi i zonave të kandidimit të deputetëve aktualë. Sipas burimeve tona brenda “rilindjes”, thuhet se 45 deputetë aktualë të “Rilindjes”, mes tyre edhe 10 nga “Anëtarët e Byrosë Politike të PS”, do të ndryshojnë zonat e kandidimit. Pra, më 18 qershor 2017, këta nuk do të jenë më në zonat që janë votuar si deputetë në 23 qershorin e vitit 2013, por do të “emigrojnë” në listat e qarqeve të tjera. Shkaku dihet: Frika e ballafaqimit me votuesit dhe sidomos me bazën socialiste, të cilën këta deputetë e mashtruan, tallën e braktisën, deri edhe duke u mbyllur telefonat. Por ka edhe një fakt tjetër: Përveç braktisjes dhe mashtrimit, deputetët që do të ndërrojnë qarqet e kandidimit, krijuan bizneset e tyre, punësuan familjarët dhe shokët e tyre dhe nuk begenisën të merren me asnjë problem të zonës, me asnjë hall jetik të banorëve që u vdisnin fëmijët edhe nga anemia prej varfërisë ekonomike! Thuhet, se në listat e kryetarit Rama për 18 qershorin 2017, nuk do të futen edhe 15 deputetë aktualë të PS. Këta janë ata deputetë, të cilët kanë dalë nga “brazda e punëve dhe interesave” të kupolës së Ramës. Sipas burimeve, mësohet se sulmin për të kapur “1 numër” në listën e kandidatëve për deputetë, janë përfshirë mbi 450 persona, të cilët prej afro 2 muajsh janë “ankoruar” rrotull dhe brenda mjediseve të PS, për të garantuar emrin në listë. Gjithçka do të zbardhet ditën e Kongresit Elektoral, kur kjo listë përfundimtare do të lexohet formalisht, por që deri në ditën e shpalljes, do të shkruhet, fshihet e rishkruhet shumë herë, mbasi kështu janë katandisur edhe “punët” brenda kupolës së PS. Ajo që dihet me siguri është vetëm një realitet: Listat do t’i hartoj Edi Rama dhe klani i tij, ndërsa baza socialiste nuk do përfillet fare dhe ata që do të reagojnë kundër listës, do të hiqen edhe nga listat e anëtarësisë së PS! 
Po afron 18 qershori i premtimeve të stërpërsëritura prej 25 vitesh, në shumë zona nga të njëjtit deputetë të përjetshëm
Edhe kjo fushatë që nis pas 1 muaji, do të jetë “stina” e premtim-mashtrimeve të bollshme. siç ka ndodhur që prej vitit 1992 e deri më 23 qershor 2013, ku kandidatët e partive, të emëruar e futur në lista nga kryetarët e partive dhe klanet e tyre, kanë premtuar parajsën dhe kanë krijuar “ferrin” për popullin. Ata që do të kandidojnë sërish, do thonë të njëjtat premtime, do të “lidhen me popullin e do t’i “qajnë hallet”. Disa nga ata që 4 vjet më parë thanë: “Vota për mua, është mirëqenie për ju”, punuan për veten e tyre, për familjet e tyre, për luksin e tyre, për bizneset e tyre, për shokët e tyre. Ndërsa populli, që gëlltiti demagogjinë dhe mashtrimin e tyre, vazhdon të jetë prapë i zhytur “kokë e këmbë” në hallet e tij, i rreshtuar përpara sportelit të ndihmës sociale, i strehuar në baraka e shtëpi me qira, në kërkim të një pune ditore buzë rrugëve, me fëmijë të nxjerr si lypsarë, i përulur në banakun e dyqanit të lagjes për të lypur ushqime me listë. Ja një statistikë: Në shkallë vendi, gjatë 4 viteve të qeverisjes 2013-2017, janë shtuar 20% lypsarët, janë shtuar 19% të papunët, janë shtuar 50% të larguarit në emigracion, janë shtuar 30% krimet e të miturve me pasojë varfërinë ekstreme, janë shtuar 60% krimet në familje me pasojë varfërinë dhe papunësinë, janë shtuar 25% grabitjet e dhunshme në rrugë, banesa, lagje, banka, biznese, janë rritur me 11% vetëvrasjet nga varfëria, janë shtuar me 25% braktisjet e shkollës në sistemin 8-vjeçar dhe 18% në arsimin e mesëm, janë shtuar me 60% kërkesat për divorce më shkak bazë varfërinë! Pa asnjë dyshim, që edhe në fushatën e 18 qershorit 2017, do të dëgjohen përsëri premtimet e bëra në 10 e 15 vite më parë, madje të bëra nga të njëjtët deputetë që në zgjedhjet e 22 marsit 1992 dhe që… ende në prag të zgjedhjeve të 18 qershorit 2017, nuk janë bërë realitet… Por kandidatët, të vjetër e të rinj, përsëri do thonë: Do zgjidhim çdo problem që ka populli… 
Sigal