Luan Rama uron socialistët: Ata që themeluan PS nuk mendonin që sot vlerat e saj do dominoheshin nga krimi

140

Ish-ministri dhe deputeti i PS, Luan Rama, ka uruar sot socialistët për 28-vjetorin e themelimit të partisë. Në një shënim në Facebook, Luan Rama kujton vlerat dhe parimet që sollën krijimin e kësaj partie dhe i krahason me situatën në të cilën ndodhet sot PS-ja e Edi Ramës. Rama përmend në shkrim dhe emrat e njerëzve që drejtuan këtë parti në momente më kritike për vendin, shumica e të cilëve janë akademikë dhe intelektualë të njohur.

Postimi i plotë i Luan Ramës në Facebook:

Gëzuar ditëlindjen e Partisë tonë Socialiste shoqe dhe shokë socialistë!

28 vjet më parë, e themeluam dhe e rritëm si forcë moderne e progresiste, në luftën për demokracinë pluraliste dhe shtetin e të drejtës, si mishërim të vlerave të patjetërsueshme të humanizmit e solidaritetit, pa menduar kurrë që saktificat dhe gjithë ai korpus vlerash e kontributesh fondamentale për Shqipërinë Europiane, do të bjerreshin e do të dominoheshin sot prej rekordesh që e lidhin atë mjerisht me krimin dhe korrupsionin endemik, me vjedhjen e votës dhe kriminalizimin e jetës politike dhe publike!

Respekt e mirëmjohje për të gjithë drejtuesit e parë të saj; Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Spiro Dede, Ismail Lleshi, Namik Dokle, Dritëro Agolli, Gramoz Ruçi, Fatmir Kumbaro, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Xhavat Lloshi, Sabit Brokaj, Fatri Sinani, Maqo Lakrori, Et’hem Ruka, Moikom Zeqo, Luan Hajdaraga e të tjerët, më të rinjtë që erdhën më pas si Ilir Meta e Pandeli Majko!

Nderim dhe respekt për të gjithë socialistët, prej 12 qershorit 1991 e tëhu, që njësoj si themeluesit, ishin e mbeten socialistë!

Në festën e themelimit të PSSH, 12 qershor 2000
Grupi i kandidatëve për deputetë të PSSH në rrethin e Tiranës, në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit 1992
Një pjesë e grupit parlamentar të PSSH. Foto e vitit 1999