Lavdosh FERRUNI/ HEC-et, revoltat dhe politikat

174

Revolta më e fundit kundër ndërtimit të një HEC-i në vendin tonë është ajo e Mirditorëve. Madje më shumë se revolt, teksa banorë të komunitetit kanë larguar me forcë punëtorët nga vendi i punimit. Protesta ka pasur në gjithë territorin e vendit, por duke qenë se HEC-et përgjithësisht janë në vendndodhje shumë periferike  dhe vështirësisht të arritshme nga mediat nuk janë ndjerë shumë. Protestat do jenë edhe më të forta kur të bëhen më të dukshme pasojat. Protestuesit kudo që janë kanë të drejtë. Politikat e ndjekura në Shqipëri pas 90s lidhur me HEC-et kanë munguar ose kanë qenë të gabuara . Edhe qeveria aktuale akoma nuk po prezanton ndonjë politikë adekuate për HEC-et, madje po hedh edhe hapa thellësisht të gabuara. Hap i tillë është p.sh., ftesa bërë Kinës nga Ministri i Ekonomisë, z Ahmetaj për të ndërtuar kaskadën e HEC-eve edhe në Lumin Vjosa, i vetmi lum i egër në Europë e që duhet të ketë një status ekstra të veçantë. Nga viti 90 deri në vitin 2000 politika shqiptare nuk u morr fare me burimet energjitike hidrike të vendit, ishte koha e piramidave e post piramidave. Në vitin 2000, më së shumti nga lobet ndërkombëtare të naftës, dhe në funksion të një plani të ndërtimit të naftësjellësit gjigand, AMBO me një terminal me 1 milion fuçi nafte në gjirin e Vlorës u bë e folur e rëndomtë e politikës, politika e diversifikimit të burimeve të energjisë, që do fillonte me TEC-in e Vlorës (fatkeqësisht filloi) e do vazhdonte me super tecin me qymyr në Porto Romano etj. Kjo politikë zgjati gati 10 vjet. Gjatë kësaj periudhe nuk thuhej asnjë fjalë për ndërtime HEC-esh. Flitej vetëm për sukseset që do arrinte TEC-i i Vlorës në furnizimin e jugut të Shqipërisë, zhvillimin e turizmit etj. Pas dështimit spektakolar me ndërtimin e TEC-it të Vlorës, dhe me “zbulimin” që bëri ministri i atëhershëm i financave z Bode, pasi TEC-i u ndërtua, se energjia e prodhuar nga TECi I Vlorës del 3 herë më e shtrenjtë se çmimi në treg i energjisë, politika pushoi së foluri për TEC dhe ju kthye me një verdikt të paparë HEC-eve, duke programuar ndërtimin e mbi 400 HEC-ve, pra kudo ku kish një rrjedhje uji.  Shqipërisë i duhet akoma të ndërtojë HEC-e, për të shtuar prodhimin e energjisë e për të shtuar rezervat ujëmbajtëse të nevojshme edhe në kuadër të ndryshimeve klimatike, por kurrsesi me mënyrën si është vepruar deri tani. Në plan të parë dhe me prioritet Shqipërisë i duhet të mbyllë ciklin e kaskadave mbi lumin Drin me HEC-in e Skavicës, i cili është i dizenjuar, e gjithë pranuar prej mjeshtrave Shqiptarë të ndërtimit të HEC-eve, këtu e 35 vjet të shkuara. Ky HEC do të mund të gjeneroj aq energji sa dhe 400 HEC-et e vegjël planifikuar për tu ndërtuar kudo nëpër Shqipëri, që do të sillnin katastrofë mjedisore në vend dhe impakt të fortë negativ social. Për më tepër Skavica do shërbente edhe si një rregullator i liqeneve prej digave të HEC-eve të mëposhtme, duke minimizuar dhe mundësinë e përmbytjeve në ultësirën e Shkodrës. Impakti ambiental i Skavicës është minimal, pasi diga e Skavicës është në pjesën e sipërme të rrjedhjes së Drinit. Tashmë ka filluar dhe zbatimi i projektit të kaskadës së HEC-eve mbi Devoll. Po më tej? Urgjenca tani është të bëhet harta e lumenjve sipas kërkesës së drejtorëve Europian të ujit “ zona – mos shko” , si fillesë e një masterplani të lumenjve sipas eksperiencës së Zvicrës e Austrisë. Tabela (në fakt ligji) “Zona –mos shko” duhet vendosur menjëherë për zonat e mbrojtura, ku janë planifikuar të ndërtohen HEC-e. “Zona – mos shko” më e madhe është lumi Vjosa, i vetmi lum i egër në Europë, një pasuri europiane që nuk mund të preket, për hir të gjithë banorëve të luginës në të dy anët e kufirit, për hir të brezave të ardhshëm (që të dallojnë lumin nga liqeni) Shqiptarë e Europian. Ata që kanë shkelur tek “zona – mos shko” e Vjosës duhet të ikin sa më parë.  Në “zonat –shko” duhet shkuar me mënd në kokë. Njerëzit që kanë vendosur në shekuj vendbanimet e tyre në buzë të lumenjve e kanë jetike rrjedhjen e lumit. Askush nuk ka të drejtë t’ ia marri ujin me tub e ta shkarkoj ku e thërret fitimi individual i pronarit të ri të ujit, përjetësisht pa pronar. Askush nuk ka të drejtë të përmbys tokat e banorëve vendas, duke i injoruar ata. Edhe nëse toka e përmbytur është “pa letra” ajo është prap e vendasve, është e drejta e tyre të kullosin bagëtinë, të peshkojnë, të ujitin tokat etj në territorin e të parëve.