Kthehet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nisin gërmimet në Tepelenë

748
Fillojnë sot punimet për të kërkuar eshtrat e 80 të rënëve grekë në Dragot dhe më pas në Bularat. Si do të veprohet me kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin

Ekranizimi i njërës prej kryeveprave të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” do të kthehet tashmë në jetën reale. Këtë herë nuk do të kërkohen eshtrat e ushtarëve e kolonelit italian, por të një tjetër fqinji. Ditën kur në Korçë niste raundi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke, në Dragot të Tepelenës fillonte nga puna montimi i kampit për operacionin e kërkimit, gjetjes dhe rivarrimit të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës Italo-Greke. Infrastruktura teknike në fushën e Dragotit në Tepelenë tashmë është gati dhe nga sot do të startojnë edhe gërmimet. Varrezat ishin një nga pikat e diskutuara dhe të dakordësuara në takimin e Kretës mes dy ministrave. Tre kabina kanë mbërritur në terren si financim i palës greke dhe janë montuar nga një ekip i bashkisë së Tepelenës. Kabinat do të jenë mjedisi i punës për 6 ekspertë të palës greke, 6 të palës shqiptare dhe njëra do të shërbejë për anën teknike të operacionit. Zona është kufizuar nga grupi i punës për të shënjuar edhe territorin ku pritet të fillojnë gërmimet. Sipas marrëveshjes javën që nis pritet që të gërmohet për rreth 80 varre të të rënëve greke në këtë luginë buzë Vjosës. Parashikohet që më pas gërmimet do të zhvendosen në Bularat, ndërkohë që nuk ka një afat të përcaktuar kohor se sa do të zgjasin gërmimet në këtë zonë. Gërmimet për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore vijnë pas marrëveshjes së shkurtit 2009, mes qeverive shqiptare e asaj greke.

Vendimi i qeverisë
Më 13 dhjetor 2017, qeveria vendosi zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Greqinë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve të rënë në vitet 1940-1941. Në një vendim të posaçëm, qeveria shqiptare përcaktoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë Luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, të përcaktuar sipas marrëveshjes së bashkëpunimit. Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, do të ndërmarrin të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve. “Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë, të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes”, thekson vendimi. Gjithashtu, prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, do të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre. Ndër të tjera, një urdhër i posaçëm i vetë Ramës ka përcaktuar ekspertët e palës shqiptare në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve Shqiptarë dhe Grekë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, si dhe ekspertët në terren të palës shqiptare. Ministria e Mbrojtjes, në bazë të marrëveshjes, do të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.

Sigal