Kolaudimi në Shqipëri, monopol “xhungël” abuzimesh e vjedhjesh

136
Ministria e Transportit, Ministria e Financave dhe kreu i qeverisë “Rilindja”, prej 2 vitesh kanë në tavolinë 5 kërkesa, propozime e rekomandime të dërguara prej BE, për heqjen e monopolit dhe liberalizmin e shërbimit të kolaudimit të automjeteve, por nuk i zbaton. Nëse për koncesionet e tjera, thuhet se kanë frikë nga arbitrazhi, në rastin e monopolit zviceran “SGS” të kolaudimit të automjeteve, nuk po kërkohet heqje e licensës së koncesionit të firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), por liberalizim të këtij shërbimi, duke futur në treg edhe firma të tjera. Këtë liberalizim e ka bllokuar shteti shqiptar, ose më saktë nuk po e lejon diktati që firma zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) ka vendosur dhe ushtron mbi shtetarët shqiptarë, ndërkohë që në vendet e BE e madje deri ën SHBA nuk monopol të kolaudimit të automjeteve! 
Në 22 vende të BE nuk ka monopol, kolaudimi bëhet në qendra shitjeje automjetesh e auto-servise
Një herë në vit, duhet të shkosh të bësh kolaudimin e automjetit atje ku gjenden qendrat e kontrollit teknik të firmës zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Përse duhet ta bësh atje dhe vetëm atje? Nuk themi që kjo firmë të mos ketë të drejtën e licencës për kolaudim mjetesh, por të mos ketë monopolin e kolaudimit të afro 600 mijë mjeteve që janë në Shqipëri, 40% prej të cilave i detyron të përsëritin me pagesa shtesë kolaudimin për shkaqe… kot! Në vendet e BE, kontrolli teknik i mjeteve (kolaudimi) bëhet në qendra tregtare të automjeteve, në pika servisi e në autogarazhe mekanike të licencuar. Në SHBA, p.sh., nuk bëhet fare kolaudim automjetesh. Në Itali, Gjermani, Francë, Austri, Spanjë, Greqi, Suedi e madje edhe në Zvicër prej nga është kompania zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), kolaudimi i automjeteve të reja bëhet 1 herë në 5 vitet e para pas daljes në qarkullim dhe 1 herë në dy vjet, pas 5 vitesh nga kolaudimi i parë dhe përherë bëhet nëpër auto-servise të licencuar. Në vendet e BE, nuk paguan taksë të dytë e të tretë kolaudimi, në rast kthimi për plotësim mangësish në automjet. Ndërsa në Shqipëri, kjo firmë shërben si monopol, ku automjetet duhet të kolaudohen vetëm tek “Societe Generale de Surveillance” (SGS)?! Përse nuk liberalizohet ky shërbim monopol nga shteti shqiptar, i futur si monopol në Shqipëri në mënyrë të kundërligjshme edhe si koncesion edhe si proces tenderimi me dosje dokumentare të falsifikuara e afera korruptive? 
———————————————————-
Ja Vendimi Nr. 312, datë 18. 04. 2014 i Autoritetit Konkurrencës, për liberalizmin e kolaudimit të makinave, të cilin Ministria e Transportit nuk e zbaton
1. Ministria e Transportit, në kohën kur ka nënshkruar marrëveshjen për dhënien e koncesionit “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”, nuk e ka zbatuar detyrimin e parashikuar në nenin 69, pika “1” shkronja “b” të Ligjit për të kërkuar vlerësimin e Autoritetit te Konkurrencës për dhënien e të drejtës ekskluzive të kontrollit teknik të automjeteve.
2. I është dhënë e drejta e ushtrimit të kësaj veprimtarie vetëm një operatori në mënyrë ekskluzive, e cila përbën një kufizim sasior për hyrjen në këtë treg.
3. Shqetësimi është kufizimi sasior i pikave të kontrollit teknik të detyrueshëm vjetor sidomos për rrethet e mëdha, që ka sjellë si pasojë radhë të gjata.
4. Tarfiat e kontrollit teknik të automjeteve në Shqipëri, janë më të larta se ato të aplikuara para nënshkrimit të kësaj marrëveshje (janë rritur) edhe me të larta se tarifat në shumë nga vendet e BE.
5. Kontrolli teknik i automjeteve në vende të ndryshme të BE dhe të botës, ofrohet i liberalizuar me shërbim nga disa operatorë, të cilët kryejnë dhe shërbimin e servisit.
6. Në Shqipëri, nuk zbatohet Legjislacioni i ri i Bashkimit Evropian/direktiva e re për koncesionet e miratuar nga Këshilli në datën 11 Shkurt 2014 (32014L0023) Direktiva 2014/23/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Evropës e datës 26 Shkurt 2014, mbi dhënien e kontratave të koncesioneve tip OJ L 94, 28/03/2014, p. 1–64). 
7. Ministria e Transportit, brenda 3-4 muajve të kërkojë nga “Societe Generale de Surveillance” (SGS) të krijojë më shumë se një alternativë për kryerjen e koluadimit të automjeteve në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër.
8. Të krijohet mundësia e ofrimit të kontrollit teknik të automjeteve nga disa operatorë.
9. Të zbatoj menjëherë, Direktivat BE të datës 11 Shkurt 2014 dhe datës 26 Shkurt 2014, lidhur me rregullat e reja për koncesionet, duke zbatuar parimin e transparencës dhe konkurrencës së lirë.
———————————- 
Ja 22 vendet e BE, ku kolaudimi bëhet në qendra shitjeje automjetesh dhe auto-servise
1. Austri
2. Belgjikë
3. Bullgari
4. Kroaci
5. Çeki
6. Danimarkë
7. Estoni
8. Finlandë
9. Francë
10. Gjermani
11. Greqi
12. Hungari
13. Irlandë
14. Itali
15. Luksemburg
16. Maltë
17. Norvegji
18. Poloni
19. Portugali
20. Sllovenia
21. Spanjë
22. Suedi