KLSH kallëzon në prokurori dy ish-drejtues të ZVRPP Tiranë e 6 – përgjegjës zone dhe specialist

85
• Regjistruar objekti i një qendre tregtare pa llogaritur e arkëtuar detyrimin prej 171 milion lekë. Mosllogaritje dhe mosndalimin ndaj disa investitorëve të pallateve të detyrimeve të tyre në lidhje me taksën e kalimit të pronësisë.
• Lejuar tjetërsimi e shitja e pronës së kthyer “shtet” nga Gjykata.
• Hequr kufizimi për pasuri të përfituara në kundërshtim me ligjin të cilat ishin përfituar si “tokë pa fryt” ndërkohë që ndodheshin mbi argjinaturën e lumit “Lanë”. Hequr kufizimi për një sërë pasurish të tjera, pa patur asnjë shkak ligjor dhe pa plotësuar dokumentacionin ligjor të kërkuar.
• Regjistruar një sërë pasurish “ndërtesë”, në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit duke shtuar në disa raste edhe sipërfaqjen e pasurisë dhe shkaktuar mbivendosje.
• Performancë e ulët në administrimin e praktikave të cilat për një periudhë 5 vjeçare arrijnë mbi 15533 dhe për të cilat ZVRPP, ndonëse ka arkëtuar nga qytetarët rreth 55,3 milion lekë, ende nuk iu ka ofruar atyre shërbimin e kërkuar. Vetëm si pasojë e mosbashkëpunimit me KVVVTP nga 2209 kërkesa të paraqitura i është kthyer përgjigje vetëm për 37% të tyre.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programeve të auditimit nr. 703/1, datë 22.07.2015, 703/2 datë 25.09.2015 dhe 703/3, datë 15.10.2015 ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, për periudhën Janar 2012 – Qershor 2015 të aktivitetit të këtij institucioni.
Nga auditimi rezultoi një performancë e ulët e ZVRPP në administrimin e praktikave dhe kërkesave në proçes, të cilat për një periudhë rreth 5 vjeçare arrijnë mbi 15533 praktika dhe për të cilat ndonëse ZVRPP ka përfituar nga qytetarët rreth 55,3 milion lekë ende nuk iu ka ofruar atyre shërbimin për të cilin ata kanë kryer pagesën. Si pasojë e mosbashkëpunimit me KVVVTP pranë Prefektit Tiranë, nga 2209 kërkesa të paraqitura është kthyer përgjigje vetëm për 836 kërkesa ose 37%, me tejkalim afati deri në 5 vjet.
Gjithashtu nga auditimi u evidentuan një sërë rastesh të regjistrimit me mbivendosje nga vetë ZVRPP, të pasurive të llojit tokë, troje, objekte.
Bazuar në shkeljet e konstatuara dhe të evidentuara në mënyrë më të detajuar në Raportin e Auditimit, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë kallëzimin penal (nr. 703/22, datë 20.01.2016) penal për 8 persona, ish-nëpunës të ZVRPP Tiranë (2 ish-Drejtues F.H dhe E.B. dhe 6 ish-përgjegjës zone dhe ish-specialist E.D, B.H, H.Xh, F.B, N.Z. dhe E.Q.) me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit penal, si dhe indicie penale (nr. 703/23, datë 20.01.2016) për 11 persona (drejtuesin aktual të ZVRPP Tiranë, 3 ish-Drejtues, 3 jurist dhe 4 përgjegjës zone) për mosndjekje dhe mosevidentim të pajustifikuar të proceseve gjyqësore dhe administratve lidhur me 37 vendimet marrë nga Gjykatat dhe KVVTP. Në total dëmi ekonomik i konstatuar nga auditimi i KLSH-së arrin në rreth 298.52 milion lekë.
Referuar shkeljeve të pasqyruara në kallëzimin penal të përcjell organit të Prokurorisë, KLSH ka konstatuar:
 Shmangie të detyrimeve të investitorëve të pallateve në lidhje me taksën e kalimit të pronësisë.
 Heqje të kufizimeve pa asnjë shkak ligjor dhe pa plotësuar dokumentacionin ligjor të kërkuar.
 Regjistrime në favor të subjekteve private të kontratave për dhënien me qira të tokës bujqësore “shtet”.
 Regjistrimi i objektit të një qendre tregtare duke mos llogaritur e arkëtuar detyrimin prej 171 milion lekë.
 Regjistrimi i pasurive “ndërtesë”, në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit, madje duke regjistruar në disa raste edhe sipërfaqe shtesë.
 Lejimi i tjetërsimit dhe shitjes së pronës së kthyer “shtet” nga Gjykata.
 Regjistrimi i pasurisë duke pajisur poseduesin e saj me certifikatë pronësie në një kohë kur dokumentacioni mbi pronësinë ka lidhje me një tjetër pasuri e pronarë të tjerë.
 Heqje e kufizimit për pasuri të kufizuara si të përfituara në kundërshtim me ligjin pasi nuk mund të cilësoheshin si “tokë pa fryt” pasuri të ndodhura mbi argjinaturën e lumit “Lanë”.
Më konkretisht nga auditimi rezultoi:
 Në 1 rast është kryer heqje kufizimi pa shkak ligjor me pasojë vazhdimin e përfitimit të padrejtë nga subjekti në vlerën 19.7 milion lekë, ndërsa në 3 raste është hequr kufizimi për disa prona në zonën e Yzberisht-it dhe Mëzes-it, pa shkak ligjor dhe pa plotësuar dokumentacionin ligjor të kërkuar.
 Në 2 raste janë hequr kufizimet pa shkak ligjor dhe pa u plotësuar dokumentacioni ligjor për pronat me sipërfaqe totale 139500 m2 dhe lejuar kryerja e tjetërsimit për pronën me sipërfaqe 44430 m2.
 Në 5 rate për prona (objekte) me sipërfaqe prej 10755m2 është nxjerrë urdhëri për heqjen e kufizimit, në një kohë që ato ishin mbi argjinaturën e lumit Lanë në Mëzez, dhe ishin përfituar në kundërshtim me ligjin si “tokë pa fryt” duke qenë shtrat lumi dhe jo tokë bujqësore.
 Në 1 rast është regjistruar në favor të subjektit privat, kontrata për dhënien me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, për një sipërfaqe prej 39,52 ha, ku nga regjistrimi i një sipërfaqe prej 3000 m2 “Troje” të regjistruar në kundërshtim me ligjin si “tokë pa fryt”, është shkaktuar një dëm ekonomik prej 7.2 milion lekë.
 Në 6 raste, me sipërfaqe 6514 m2 në Mëzez, janë lejuar e kryer veprime në pasuritë me mbivendosje për bashkëpronarët, pa u referuar AMTP-ve.
 Në 2 raste është kryer regjistrimi i objektit Qendër tregtare, duke mos llogaritur e arkëtuar detyrimin e pagesës në vlerën 171 milion lekë.
 Në 4 raste në KKP-të, nuk është llogaritur e ndalur taksa e kalimit të pronësisë ndaj investitorëve të pallateve, për një sipërfaqe totale prej 3900.73 m2, në vlerën 3.9 milion lekë.
 Në 19 raste të regjistrimit të pallateve nuk është llogaritur dhe ndaluar taksa e kalimit të pronësisë, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme neni 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”, pika 2, për sipërfaqe 29907 m2 dhe vlerë 29.9 milion lekë, dëm ekonomik shtetit.
 Në regjistrimin e pallateve Zona 4 nuk kanë regjistruar në seksionin përkatës të KPP-ve, pra të KPP “mëmë” dhe nuk ka llogaritur e arkëtuar taksën e kalimit të pronësisë përkatësisht ndaj firmave private (për sipërfaqen 795,4 m2 në vlerën prej 0.8 milion lekë dhe për sipërfaqen 1014,69 m2 në vlerën prej 1.5 milion lekë).
 Në 4 raste ishin regjistruar pasuritë me origjinë nga lejet e ndërtimit, ku rezulton se pagesa e taksave të shërbimit nuk është bërë sipas përcaktimeve të VKM-së përkatëse, në momentin që realizohet shërbimi i kërkuar, për rrjedhojë taksat e shërbimit janë likuiduar në vlera më të ulëta, duke shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën totale 2.2 milion lekë, nga 4 subjekte ndërtuese.
 Nuk është vendosur kufizim pasurie për 30 AMTP me mbi 45 pasuri me sipërfaqe totale prej 647660 m2 ku në 5 raste ishte marrë Vendim Gjykate për ti kthyer këto sipërfaqe në “shtet”, në 2 raste ishte marrë Vendim Gjykate për rrëzimin e kërkesë padive, në 2 raste kishte vendim nga KVVTP dhe në 1 rast ndonëse ishte vendosur shfuqizimi i plotë i AMTP-së dhe kthimi i sipërfaqes prej 1000 m2 në pronësi “shtet”, ishin kryer disa transaksione në lidhje me këtë pasuri pa vendosur asnjë kufizim ndaj saj. Ndërsa në 3 raste ishte bërë regjistrimi i 11 pasurive të paluajtshme me AMTP të cilat nuk përmbanin elementët e nevojshëm të formës dhe përmbajtjes.
 Në 4 raste, për 8 pasuri me një sipërfaqe prej 44740 m2 është bërë regjistrimi i pasurive të përfituara me AMTP, pa qenë banor, për toka të refuzuara dhe pa kufizime të parcelave.
 Në 4 raste, ishte bërë regjistrimi i pasurive “ndërtesë”, me sipërfaqe 1296 m2, në mungesë dhe me parregullsi të dokumentacionit tekniko ligjor duke regjistruar në 2 raste më tepër sipërfaqe. Gjithashtu në një rast gjurma e ndërtimit të objektit nuk ishte në përputhje me planvendosjen e miratuar, por ishte spostuar jashtë konturimit të sheshit të miratuar.
 Në 4 raste ishte lejuar tjetërsimi e shitja e pronës e kthyer “shtet” nga Gjykata dhe KVVTP, në sipërfaqen prej 20160 m2, duke krijuar mundësinë për moszbatim të vendimeve përkatëse të formës së prerë.
 Në 1 rast ishte bërë regjistrimi i pasurisë “ndërtesë” me sipërfaqe 2068 m2 dhe lëshuar certifikatë pronësie në favor të subjektit ndërtues, kur sheshi i ndërtimit nuk plotësohej me pronësinë mbi truallin sipas pjesëve takuese të pronarëve që zotëronin lejen e sheshit të ndërtimit për sipërfaqen prej 462 m2.
 Në 7 raste kanë regjistruar leje ndërtimi duke patur mospërputhje ndërmjet konfiguracionit të objektit me dokumentacionin ligjor dhe mbivendosje me pasurinë “shtet” me 7638 m2.
 Në 1 rast ishte bërë regjistrimi i pasurisë nga legalizimi me të meta dhe parregullsi të dokumentacionit tekniko ligjor, duke krijuar mundësinë e shmangies nga taksat lokale të urbanistikës në vlerën 7,7 milion lekë.
 Në 2 raste është bërë regjistrimi i lejeve të legalizimit në mungesë të kontratave të shitblerjes së truallit nga ALUIZNI dhe pa patur rrugë hyrje dalje në parcelë. 
 Në 1 rast ishin kryer veprime mbi pasurinë truall me sipërfaqe 13136 m2 duke e ndarë në atë në tre pasuri, por që pas ndarjes është shtuar sipërfaqja totale me 1758.4 m2 pa patur dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me origjinën e pronës.
 Për zonën 4, nuk ka ndjekur procedurat për hartimin e dokumentacionit për regjistrimin, identifikimin e pasurive objekt e nuk ka kryer evidentimin e raportimin e ndjekjes së proceseve gjyqësore dhe pasqyrimin në KPP, lidhur me 16 vendimet e Gjykatave dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP) Prefekti Qarkut Tiranë nga të cilat në 12 raste ZVRPP ka qenë pale kërkuese, ku gjykata ka vendosur pavlefshmëri për të paditurit nga KVVTP, mbajtës të AMTP-ve sipas vendimeve për Zonës 4, në ZVRPP Tiranë të cilat janë dërguar për regjistrim të pavlefshmërisë së plotë dhe të pjesshme dhe regjistrim “shtet”, të 21 AMTP-ve me mbi 37 pasuri me sipërfaqe totale prej 152372 m2 dhe konkretisht: shlyerje të detyrimit ne vlerën 5.5 milion lekë ndaj shtetit për sipërfaqen e tjetërsuar prej 12740 m2 dhe kufizim, kthim e regjistrim në pronësi ”shtet” të sipërfaqes prej 146872 m2 tokë bujqësore të llojit “arë”,”vresht”,”ullishtë”. 
 Në 2 raste është lejuar tjetërsimi e shitja e pronës “shtet” në sipërfaqen prej 6500 m2 (e kthyer “shtet” nga gjykata), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëmin ekonomik në vlerën prej mbi 21 milion lekë, sipas çmimit të realizuar të kontratës së shitjes.
 Në 4 rast, ishte bërë regjistrimi i pasurisë duke pajisur poseduesin me certifikatë pronësie, pa administruar një titull të ligjshëm pronësor mbi sipërfaqen e pasurisë të llojit truall, me sipërfaqe 1735 m2, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerë prej 0.47 milion lekë.
 Në 2 rast, ishte bërë regjistrimi i pasurisë duke pajisur poseduesin me certifikatë pronësie për pasurinë të llojit truall, me sipërfaqen prej 21475 m2 dhe objektin 17441m2, kur kishte mospërputhje të sipërfaqes së njohur me atë të kthyer, kompensuar, kur rezulton se subjektit i është njohur e drejta e parablerjes për një sipërfaqe prej 32340 m2, e cila nuk ka qenë pjesë e pronës së njohur këtij subjekti.
 Në 1 rast, ishte bërë regjistrimi i pasurisë pallat, “Godinë banimi dhe shërbime 10 kat me 1 kat parkim nëntokë”, kur kishte rezultuar se objekti ishte ndërtuar pjesërisht mbi pasurinë e fituar.
 Në 1 rast, ishte bërë regjistrimi i pasurisë duke pajisur poseduesin e saj me certifikatë pronësie, pa administruar një titull të ligjshëm pronësor mbi pasurinë e llojit truall dhe objekt. Dokumentacioni mbi pronësinë nuk ka lidhje me këtë pasuri, por bënë fjalë për një tjetër pasuri e pronarë të tjerë.
Përsa i përket indicies penale (nr. 703/23, datë 20.01.2016) për 11 persona që KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë, në të argumentohet mosndjekja dhe mosevidentim i pajustifikuar i proceseve gjyqësore dhe administrative lidhur me 37 vendimet marrë nga Gjykatat dhe KVVTP, ku nga auditimi rezultoi që ZVRPP në asnjë rast nuk kishte vendosur masë kufizimi mbi pasuritë, nuk kishte bërë regjistrimin si pronë “shtet” të 332881 m2, dhe nuk kishte vendosur barrë mbi pasuritë e tjetërsuara në 9 raste për 31255 m2 me vlerën prej 22,604,135 lekë.
Sa më sipër, KLSH me shkresën nr. 703/20, datë 31.12.2015 mbështetur në germa “e” dhe “ç”, neni 11, Kreun IV, nenin 37 të Ligjit nr. 7691, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Ligjin nr. 33/2012, datë 29.4.2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, si dhe në kontratën individuale të punës, i ka rekomanduar Kryeregjistruesit ZQRPP Tiranë, fillimin e procedurave administrative për dhënien e masës disiplinore, nga “Vërejtje” deri “Ndërprerje të marrëdhënie të punës”, sipas shkallës së përgjegjësisë, për 30 nëpunës të ZVRPP Tiranë.