Jani Babi: Bagëtia e ngordhur duhet groposur!

570
Sigal


Intervistë ekskluzive për “Telegraf” me z. Jani Babi, zv/ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

 Z. Babi, mijëra hektarë tokë bujqësore të përmbytur në Vlorë dhe Fier. Qindra bagëti të mbytura në këto zona. Ju si dikaster ç’po bëni?

 Sasia e konsiderueshme e reshjeve në këto ditët e fundit, në të gjithë basenet lumore në jug lindje të vendit, ka shkaktuar rritjen në nivele maksimale dhe daljen me shpejtësi nga shtrati të lumenjve Shkumbin, Seman, Osum, Drinos dhe Vjosë, shoqëruar me përmbytje  të zonave të banuara dhe tokave bujqësore. Nga dalja e lumit Vjosë janë përmbytur rreth 3000 ha tokë bujqësore dhe zona të banuara, kryesisht në Fier në komunat Frakull, Hekal, Levan, Ndërmenas dhe në zonën e Vlorës, komuna Novoselë dhe Selenicë, tek Bishti i Malit. Nivelet e ujit vazhdojnë të mbeten të larta, ndonëse ka ulje orët e fundit.

 Nga dalja e lumit Drinos, janë përmbytur  rreth 1000 ha toka bujqësore, kryesisht në komunat Dropull i Poshtëm, Çepan, Lunxhëri dhe Antigon. Aktualisht, situata po shkon drejt normalizimit, pasi niveli i ujit ka filluar të ulet dhe lumi rrjedh brenda shtratit të tij. Nga dalja e lumit Shkumbin, ka pasur përmbytje të pjesshme të tokave bujqësore në zonat Cërrik, Jogodinë dhe Vidhas. Aktualisht rrjedha e këtij lumi është rikthyer në shtratin e tij. Ndërsa nivelet e larta të lumit Seman nuk kanë shkaktuar përmbytje në pjesën e poshtme të rrjedhës, në zonën e Lushnjës.

 Sipërfaqja totale e tokave bujqësore nën ujë vlerësohet në rreth 4000 ha. Në zonat e tjera të vendit si Berat, Korçë  raportohen probleme të vogla. Gatishmëria është e plotë në të gjithë hidrovoret dhe rrjetin kullues, megjithëse dalja e lumenjve krijon një prurje të shtuar në drejtim të hidrovoreve.

 Në këtë situatë ajo ç’ka ne kemi bërë dhe po bëjmë është evakuimi i njerëzve dhe gjësë së gjallë, dhe menjëherë sapo të fillojë të ulet niveli i ujërave, do të fillojë edhe vlerësimi i dëmeve të fermerëve si dhe i objekteve të ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.

Gjithashtu, gjatë gjithë kohës janë monitoruar dhe po monitorohen argjinaturat mbrojtëse të lumenjve, ndërsa hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe punojnë me kapacitet të plotë. Me uljen e nivelit të ujit, e gjithë makineria e rëndë e bordeve të kullimit: Fier, Vlorë e Lushnje do të vihet në funksion të eliminimit të pengesave të mundshme për të larguar sa më shpejt ujin nga parcelat e fermerëve.

  Stuhitë e shiut dhe breshrit do të vazhdojnë gjatë gjithë kësaj jave. Keni mundur të merrni masa parandaluese?

 Përmbytjet kanë ardhur si rezultat i ngritjes së nivelit të lumenjve përtej pikës kritike të tyre, duke kaluar në shumë raste edhe nivelin maksimal të parashikuar të mbrojtjes me argjinatura. Pra kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore dhe në këto kushte, e rëndësishme është marrja e  masave për evakuimin e njerëzve. Ndërsa, për sa i përket reshjeve në vijim, duhet të saktësojmë se kjo rritje e nivelit të lumenjve është pasojë e një përfshirje të gjithë sipërfaqeve ujëmbledhëse të lumenjve (përfshi edhe Greqinë), me reshje intensive shiu për ditë me radhë dhe gjykoj se në vijim nuk do të kemi ulje të nivelit të ujërave dhe largim të shpejtë të ujit nga sipërfaqet e përmbytura, pasi lumenjtë gradualisht po kthehen në shtratin natyral

  Një këshillë tuajën për bujqit e zonave të prekura. Ç’duhet të bëjnë në këto momente?

 Para se t’i përgjigjem kësaj pyetje, duhet të theksoj edhe një fakt: një pjesë e banorëve kanë ndërtuar në shtretërit natyralë të lumenjve apo në zona të përcaktuara historikisht me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje. Ajo çfarë unë do t’i këshilloja fermerëve (në lidhje me bujqësinë), lidhet me faktin që duhet të largohen nga zonat me rrezik përmbytje dhe menjëherë sapo të fillojë largimi i ujit, në bashkëpunim me shërbimet e specializuara të veterinarisë, të bëjnë groposjen e bagëtive të ngordhura aty ku ka, si dhe me ndihmën e pushtetit vendor dhe Drejtorive të Bujqësisë, të sigurojnë ushqimin për bagëtinë dhe të vlerësojnë dëmtimet dhe ku është e mundur, marrjen e masave të shpejta rekuperuese.

 Si po mbrohet Shkodra nga përmbytjet e kësaj periudhe?

 Fatmirësisht kaskada e lumit Drin ka aftësi akumuluese ujërash dhe nuk kemi asnjë sinjal apo rrezik për fillimin e shkarkimeve nga Vau i Dejës, apo prurje të mëdha të lumit Buna, të cilat bëhen shkak për përmbytje të fushës së nën Shkodrës. Në gjykimin tonë, problematika e përmbytjeve është kryesisht në zonën juglindore dhe kjo për shkak të prurjeve shumë të mëdha të lumenjve Osum, Devoll, Drinos, Vjosë, Seman dhe Shkumbin.

  Dikasteri juaj ka me dhjetëra eskavatorë krahëgjatë që mund të thellojnë lumenjtë problematikë, siguruar kohë më parë nga një projekt me një fond të qeverisë japoneze. Çfarë është bërë për thellimin e lumenjve si Buna, Vjosa, Semani, Devolli, etj., gjatë verës 2014?

 Theksoj se Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit  të Ujërave (MBZHRAU) është përgjegjëse për operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese të ujitjes dhe kullimit, kanaleve të ujërave të larta si edhe një pjesë e argjinaturave mbrojtëse të tokave bujqësore. Regjimi i lumenjve nuk është objekt i drejtpërdrejtë i MBZHRAU por ndikon në funksionimin e skemave të kullimit dhe largimin e shpejtë të ujit nga tokat bujqësore. Është e vërtetë që ka ardhur koha e vlerësimit të rrjedhës së lumenjve nëpërmjet vlerësimit të ndikimeve të aktiviteteve të ndryshme në shtretërit e lumenjve, si marrja e zhavorreve, mbushjet që mund të kenë ndodhur në segmente të veçanta, gjë e cila kërkon studim nga agjenci të specializuara dhe ndërmarrjen e veprimeve rehabilituese, të cilat kanë kosto shumë të larta dhe kjo nuk është në tagrin e MBZHRAU. Gjithashtu, është e nevojshme që përfundimisht të përcaktohen vijat kufizuese të brigjeve të lumenjve, për të disiplinuar të gjitha aktivitetet në shtretërit e lumenjve. Nga ana tjetër, duhet që të rivlerësohen edhe standardet e sigurisë së mbrojtjes nga përmbytjet nga lumenjtë. Për sa i përket ekskavatorëve krahëgjatë që kanë Bordet e Kullimit, ato janë mjete me të cilat mirëmbahet infrastruktura e ujitjes dhe kullimit nëpërmjet pastrimit të kanaleve kryesore të kullimit dhe ujitjes dhe nuk janë mjete me të cilat mund të thellohen apo pastrohen shtretërit e lumenjve.

 Janë me qindra ha zona bujqësore të përmbytura. Si po punon Ministria e Bujqësisë të sigurojë bazën ushqimore për blegtorinë e këtyre zonave?

 MBZHRAU ka angazhuar të gjitha strukturat e varësisë që të monitorojnë nga afër gjithë situatën dhe po ndikojnë, brenda mundësive, të ndihmojnë për sigurimin e bazës ushqimore apo marrjen e masave për bagëtitë e mundshme të ngordhura.

 Dëmet ekonomike kuptohet që janë të mëdha. Tani është situata emergjente, por ajo do të kalojë shpejt, me rregullimin e kohës. A ka në plan dikasteri juaj një program zhdëmtimi për fermerët dhe bujqit e zonave të prekura nga përmbytjet?

 Theksoj se këto nuk janë përmbytjet e para që kanë ndodhur dhe në vazhdën e kujdesit të qeverisë për fermerët, menjëherë sapo të fillojë largimi i ujërave do të fillojë procesi i vlerësimit të dëmeve në kultura bujqësore, gjënë e gjallë, ndërtesa etj., si dhe do të vlerësohen edhe dëmtimet në objektet e ujitjes dhe kullimit (kanale ujitës, vepra marrje, kanale kullimi, argjinatura mbrojtëse etj.). Gjykoj se pas vlerësimit të dëmeve, qeveria do të ndërmarrë një sërë veprimesh për t’i ardhur në ndihmë fermerëve të dëmtuar dhe mendoj se ekzistojnë mundësitë për kompensim të fermerëve nga kjo fatkeqësi natyrore.

 A janë dëmtuar kanalet vaditëse e pompat e ujit të rezervuarëve, nga këto përmbytje? Nëse po, si mendoni t’i riparoni?

 Ne besojmë se ka dëmtime, por me largimin e ujërave gjithçka do të vlerësohet shpejt dhe do të merren masa për të bërë funksionale sistemet e ujitjes, para fillimit të sezonit të ujitjes maj 2015.

 Ju faleminderit!

Intervistoi: Dorentina Hoxhaj