Institucionet vendore, nuk paguajnë taksat bashkiake

207

DURRËS/ Flet drejtoresha e Tatim-Taksave, Juliana Reso: “Institucionet, miliona lekë detyrime të papaguara”

Në një kohë, që biznesit i ka rënë xhiroja ditore dhe paguan taksa më pak si pasojë e krizës që ka përfshirë ekonominë, ato që kontribuojnë edhe më shumë në uljen e të ardhurave të buxhetit të bashkisë, janë institucionet vendore, që të tjera, shifra deklarojnë në qeveri, e të tjera taksa paguajnë. Ndërmarrjet shtetërore, shprehen se, rezultatet e të ardhurave janë në nivele të kënaqshme e në rritje nga vitit në vit, janë pikërisht këto të fundit që nuk paguajnë as taksat vendore, pastrimin, gjelbërimin, taksën e pasurisë, taksa të cilat qytetarët janë të detyruar që për çdo muaj t’i paguajnë së bashki me faturën e energjisë elektrike.

Situata

Sipas drejtoreshës së Tatim -Taksave, Juliana Reso, një pjesë e institucioneve vendore prej vitesh nuk paguajnë asnjë taksë vendore, ku vetëm për Hekurudhën debia prej 7 vjetësh ka shkuar në 360 milionë lekë të vjetra ndërsa APD, nga viti në vit, shprehet se ka rritje të volumit të punës dhe të të ardhurave, por që kjo nuk është reflektuar në detyrimet ndaj bashkisë, të cilat kanë pësuar rënie, vit pas viti.

Hekurudha

Një situatë mjaft problematike është raporti që Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ka me Bashkinë e Durrësit. Për 7 vjetët e fundit kjo drejtori nuk ka paguar asnjë detyrim ndaj taksave lokale, duke bërë që debia të shkojë në plot 36 milionë lekë të reja. Kjo ka krijuar një gropë të zezë, në të ardhurat e Bashkisë së Durrësit, sepse kur nuk i paguajnë institucionet shtetërore. Çfarë i mbetet individit. Për çdo vit këtij institucioni i janë kërkuar pagesa e taksave vendore, por na kanë thënë se ne jemi në prag të falimentimit dhe nuk kanë paguar. Në 2009, u bë amnistia dhe Drejtoria e Hekurudhës nga kjo amnisti përfitonte ulje të 10 milionë lekëve, nëse do të  paguante detyrimet. Por edhe pas amnistisë nuk është paguar asnjë qindarkë për taksat bashkiake.

Autoriteti Portual

Nëse deri në 2009, APD paguante, 4.5 milionë lekë detyrime, ndaj Bashkisë së Durrësit, për vitin 2012 ka paguar 4.1 milionë lekë, për pastrimin gjelbërimin, taksa e tatime, duke fshehur mjaft të ardhura, që do të mbushnin arkën e bashkisë. Këto janë taksat që mblidhen për pastrimin gjelbërimin, nga bizneset që operojnë në Portin e Durrësit. “Këtu në port ka një problem shumë të madh sepse ka subjekte që nuk paguajnë detyrimet nga ndaj bashkisë, na bëjnë bllokadë sepse mbështeten nga politika. Kanë kryesisht agjencitë e biletave të trageteve, të cilat nuk paguajnë asnjë detyrim. Ne për këtë çështje shkuam tek drejtoria e Portit, sepse kërkojmë që Porti të vlerësojë të gjitha asetet që ka dhe kjo duhet bërë, sepse kështu i fshihen të ardhurat Bashkisë së Durrësit”,- tha Reso.