Probleme për fillimin e vitit akademik tek Gjeologji-Minierat, ndërpritet edhe fondi i Ekselencës

    433
    Sigal

    INTERVISTA/Flet dekani i Gjeologjisë dhe Minierave Prof. Përparim Hoxha, për problemet që ka për vitin e ri akademik

    Fillimi i vitit të ri akademik e gjen fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave me një sërë problemesh, duke filluar që nga mungesa e ambienteve deri tek mungesa e stafit akademik. Një sërë problemesh që ka ky fakultet na i bën të ditura dekani i tij Prof. Përparim Hoxha në një intervistë për “Telegraf”. Sipas tij numri i kuotave është i lartë dhe për këtë arsye ka probleme dhe me ambientet. Një tjetër problem për Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave është edhe ndërprerja e fondit të Ekselencës.

     -Zoti Hoxha, a janë krijuar kushtet për fillimin e vitit akademik në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave?

    -Viti i ri akademik sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të fillojë në datën 8 tetor. Në fakt ka një problem që më duket se është anashkaluar që lidhet me studentët e vitit të parë. Ndërkohë që, struktura e ardhur nga ministria është në datën 8 tetor, po kështu deri në dhjetë tetor studentët kandidat që kanë fituar de fakto duhet të regjistrohen në fakultet. Kështu që, pas kësaj ceremonia e vitit të ri shkollor për vitet e para nuk ka si bëhet në datën 8 tetor, pasi ata kanë regjistrimet. Për fakultetin tonë janë planifikuar 600 kuota. Nga informacionet që unë kam në fazën e parë të regjistrimit janë regjistruar 550 kuota.

    -Ju thatë 550 kuota janë regjistruar nga 600 që janë planifikuar, pse nuk janë regjistruar të gjithë, nuk kanë pranuar degën e fituar apo kanë pasur arsye të tjera?

    -Gjithmonë ngelen disa vende të paplotësuara, si për shembull ata që e kanë fituar x degë e kanë pasur si preferencë të 6 dhe presin që të ngjiten më lart. Nuk besoj se ka ndonjë arsye madhore. Problemi që lidhet me procesin mësimor real është fakti që ne duke pasur kontingjente kaq të mëdha ne e kemi zhvilluar procesin mësimor me dy ndëresa. Por ka një, por nga mbrapa që është zgjidhur me udhëzimin e normave të ministrisë, që leksionet të bëhen në salla të mëdha. Problemi i tretë është që unë doja të vija në dukje ka të bëjë me masterin, që përmbledh si atë profesional dhe atë shkencor. Ne kemi një bazë laboratorike të cunguar sepse mundësitë financiare për ta rinovuar nuk i kemi, sepse biznesi nuk na ndihmon si ai privat, apo shtetëror. Ne kemi shumë shqetësim për përgatitjen e temave të diplomave. Kështu që ne po e gjykojmë që studentët tanë të masterit jo të gjithë do të mund të përgatisin tema diplomash. Një pjesë mund të përgatisin tema diplomash dhe një pjesë mund të japin provime.

    -Ju po thoni që keni kontingjente të mëdha studentësh, por ambientet dhe stafi a janë të mjaftueshme për ti pritur këto kontingjente?

    -Ne kemi një staf akademik rreth 55 pedagogë dhe po kaq pedagogë janë të ftuar. Me normat që ka sot arsimi universitar në fushat inxhinierike mesatarisht një pedagogu i bie të punojë me 12- 15 studentë, ndërsa ne këtë numër e kalojmë. Aktualisht raporti pedagogë-studentë  1- 25 studentë. Kjo pasi numri në total i studentëve është 1570. Kjo gjë në kushte inxhinierike është shumë e vështirë dhe kërkohet një staf i dyfishuar.  Ndaj dhe punimet laboratorike ne i bëjmë në grupe të mëdha dhe jo me 5 apo 10 studentë. Them se ka ardhur koha që në arsimin e lartë publik të bëhen investime më të mëdha për të përballuar të gjitha këto probleme që unë përmenda pak më lartë. Ne kemi kërkuar dhe hartuar strategji të fakultetit për marrjen e projekteve të ndryshme. Natyrisht ne kemi marrë në konsideratë se kush janë aspektet kryesore të tregut të punës. Ne kemi gjykuar se në përmbushjen e këtyre objektivave na duhen dhe ca pajisje dhe laboratorë të rinj. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se ne i njohim sado pak mundësitë konkretë që ka ekonomia e shtetit. Projektet që ne i kemi marrë duke konkurruar me mjaft instance, qoftë me Bankën Botërore, qoftë me projekte Tempus. Këtu dua të përmend dhe faktin se për rreth 2 vite ne si Fakultet përfitojmë një fond nga buxheti i shtetit, i cili lidhet me fondin e Ekselencës. Ky fond kryesisht përdoret për kualifikimin e stafit akademik dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitete shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Për këtë vit ky fond është pezulluar nga Dega e Thesarit pasi është bllokuar nga Ministria e Arsimit. Ky problem është i lidhur me dy faktorë së pari; edhe ata që kanë përgatitur projektin dhe kanë investuar për të realizuar diçka akademik nuk mund të rimbursohen dhe së dyti; një pjesë e stafeve tona iu është miratuar projekti, i kanë zhvilluar ato nëpër auditore brenda dhe jashtë vendit dhe asnjë shpenzim nuk iu është rimbursuar.

    -Aktualisht pranë fakultetit tuaj kanë nisur aplikimet për Mastera. Sa është numri i kotave për secilën degë?

    -Deri në datën 5 tetor ne do të kemi një sezon të mbrojtjes së diplomave, pasi një pjesë të studentëve të ciklit të parë të studimit kishin provime për vjeshtë. Ndaj provimet tashmë kanë mbaruar, është duke u përpunuar informacioni për secilin studentë dhe deri në këtë datë do të bëhet mbrojtja e diplomave. Ndërkohë, nga data 5 deri në datën 8 tetor do të nisin aplikimet për Masterat Shkencor dhe ato Profesional. Që në fund të vitit të kaluar ne kemi publikuar të gjitha kriteret që duhet të përmbushin studentët nëse do të ndjekin ciklin e dytë të studimeve. Tashmë studentët kanë gati dhe formularët, të cilët u japin mundësi që të njihen me degët përkatëse për secilin master.